Analiza

Ditët kur BE po “vdes”

Shkatërrimi i Ukrainës dhe peisazhet e rrënuara të ish-Jugosllavisë dëshmuan një urrejtje që vlon në vetvete, në një konfederatë të dobët shtetesh. Edhe pas 70 vjetësh pasi Traktati i Romës promovoi atë që do të bëhej më vonë BE, një brez i njerëzve të projekteve të mëdha të Evropës bëjnë gabime trashanike dhe manipulime me borxhet dhe politikat e kursimit. Por në momentin kur njerëzit të kuptojnë se çfarë katastrofe i pret nëse shpërbëhet BE-ja, do të jetë shumë vonë

Nga Dirk Schumer, “Die Welt”

Screen Shot 2015-03-25 at 18.53.16

Berlin – Greqia vs Gjermanisë: Çfarë drame! Çdo skenarist në Hollivud do të gjente kënaqësi tek brutaliteti i kësaj martese të veçantë. Njëra akuzon për mashtrime dhe vjedhje, tjetra përgjigjet me thirrje për shlyerjen e borxhit të Luftës së Dytë Botërore dhe dëmshpërblimet. Flamuj gjermanë dhe foto të kancelares Merkel janë djegur publikisht. Shaka mizore qarkullojnë mbi jugun e zhytur në borxhe, me vizitat e politikanëve nga veriu që kërkojnë masa të shtuara sigurie.

Si do të përfundojë e gjitha kjo?
Për fat të keq, e gjitha kjo nuk është ushqim për një skenar imagjinar, por një realitet politik në Evropë, që nga viti 2008. Duket se ndërsa po luhet kjo dramë agresive martesore, protagonistët e saj janë të pashqetësuar se sa shumë dëm i është bërë themeleve të Bashkimit Evropian. Por a ka diçka që ka mbetur nga rrënojat e së kaluarës?

Kur ideja evropiane mori formën e saj të bukur dhe potencialisht shëruese pas vitit 1945, ajo realisht u ndërtua mbi rrënojat e luftës. Askund tjetër në botë nuk kishte terren më të përbashkët evropian, sesa në Aushvic, ku njerëzit e të gjitha kombësive evropiane ishin vrarë.

Mes gërmadhave nga Kaena në Nuremberg, nga Roterdami në Milano, luftërat kombëtare të të gjithëve kundër gjithë të tjerëve, të cilat patën shpërthyer në Evropë që prej rënies së Perandorisë Romake, ishin për t’u hedhur mbi koshin e plehrave të historisë. Unioni mendohej se ishte një ledh mbrojtës kundër Bashkimit Sovjetik anti-demokratik, dhe pragmatizmi ekonomik një kurë për të gjithë.

Në vend të Napoleonit, Bismarkut apo Hitlerit, ishin politikanët veteranë të butë e të urtë, kryesisht katolikë, si Konrad Adenaueri, Sharl de Goli dhe Alçide de Gasperi, të cilët ia dolën që të zgjidhnin problemet ndërkombëtare me formimin e komisioneve të reja. Dalëngadalë, por me siguri, edhe plagët më të këqija të së kaluarës më në fund filluan të mbyllen dhe u bënë plagë më të vogla, dhimbjet e të cilave ishin të durueshme, pa patur nevojë që sovraniteti kombëtar të vihej ndonjëherë në diskutim.

Evropa nuk ishte e vendosur haptaz, por arriti fshehurazi në marrëveshje mbi debatet rreth parimeve themelore. Por diçka duket se shkoi keq në fabrikën e kompromiseve të formuara në Bruksel, Luksemburg dhe Strasburg. Më vonë, historianët mund të identifikojnë si pikë kthese futjen e monedhës së përbashkët Euro (1998- 2001) dhe përpjekjen e dështuar të vitit 2005, për të miratuar një Kushtetutë të përbashkët evropiane.

Me një monedhë të përbashkët dhe kushtetutë, projekti i mijëvjeçarit dukej i përcaktuar të ishte i lidhur mjeshtërisht dhe të kurorëzohej me lavdi. Edhe pse Euro dështoi vetëm në rastin e ndihmës financiare ndaj Greqisë, kushtetuta evropiane “vdiq” para se të mund të merrte krahë, kur ajo u hodh poshtë nga kombet evropiane themeluese të unionit, si Franca dhe Holanda.

Nëse BE-ja është parë si një treg i përbashkët, duke bashkur atë që mundej, Euro ka kontribuar në këtë fatkeqësi në krijimin e një centrifuge sociale. Madje po ndodh edhe më keq: mangësitë demokratike që ishin toleruar për shkak të avantazheve të një tregu të përbashkët dhe kufijve porozë, janë bërë tashmë të padurueshme për qytetarët e BE-së.

Vrima e zezë, që dikur ishte përgjegjësi evropiane, ka gëlltitur kontratat ligjore sa i përket rregullimeve të borxhit kombëtar. Kredo të tilla si liria e udhëtimit dhe trajtimi human i refugjatëve janë fenomene që tani kanë më pak rëndësi, nga Britania e Madhe deri në Greqi. Ajo që dikur e quanim fryma evropiane është asgjësuar përgjatë gjithë procesit.

Athina, sjellje prej Putini
Por nëse kjo nuk është aq e frikshme sa duhet, bastionet e fundit të mirësjelljes ndërkombëtare janë shkatërruar, pas dekadash të një tregu të përbashkët dhe ligjeve të përbashkëta. Zyrtarët grekë, të udhëhequr nga kryeministri Aleksis Cipras, po kërkojnë dëmshpërblime që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kërcënojnë se do t’u mundësojnë terroristëve islamikë të udhëtojnë për në Berlin, duke i lejuar emigrantët e paligjshëm në Greqi të udhëtojnë drejt veriut, në rast se eurozona vazhdon që t’i imponojë politika shtrënguese.
Edhe presidenti rus Vladimir Putin nuk ka shkuar kaq larg. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka kurrë një fatkeqësi të përbashkët sociale, që trajtohet me më shumë cinizëm dhe shpifje. Tashmë është koha kur metodat e mirë-praktikuara të demokracisë në
Gjermani duhet të japin frytet e veta: një thirrje e ambasadorit grek, një deklaratë parlamentare dhe diskutim në Berlin, kundërmasat e marra, llogaritjet e publikuara publikisht dhe bilancet, dhe një deklaratë në lidhje me pozicionin gjerman.

Por ndonëse çdo qytetar ka të drejtë për përfaqësimin e duhur, kjo degë e veçantë e politikave kombëtare është joekzistente brenda makinerisë së taktikave të BE-së. Nuk ka debat, as padi ndërkombëtare, asnjë sqarim. Bashkimi Evropian ka dështuar, përderisa dy shtete urrejnë njëri-tjetrin. A mund të gjendet ende ndonjë bazë e përbashkët evropiane?

Diktatorë si politika
I njëjti arsyetim ka bërë që shumë grekë të pyesin nëse institucionet evropiane ishin në gjumë kur u fut monedha e përbashkët evropiane. Nuk kishte vallë asnjë seksion brenda Bankës Qëndrore Evropiane, që mund të shqyrtonte me detaje bilancet greke? Çfarë bënin diplomatët gjermanë në Athinë, kur mesa duket nuk pati raportime të dërguara në Berlin në lidhje me partnerin krejtësisht jo të besueshëm financiar, sikurse ishte Greqia asokohe? Ndoshta e gjithë kjo është dashur të zhduket në kënetat e errëta të zyrave të BE-së?

Kancelari gjerman në vitet 1982-1998, Helmut Kol tha në vitin 2002 se ai e kishte futur Euron “si një diktator”. Dhe ky duket kështu ka qenë. Në një diktaturë, qytetarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë që qeveria e tyre të justifikojë veprimet e saj, sidomos kur 369 miliardë Euro kërkohen nga Gjermania në formën e dëmshpërblimit për Luftën e Dytë Botërore, kur prona e tyre është në rrezik për t’u konfiskuar, apo edhe kur aktet e terrorit janë përdorur si një këst kundër tyre. Eksperimenti evropian i pasluftës është më në krizë se kurrë më parë. Çfarë lloj bashkimi është ai, ku askush nuk merret vesh me njëri-tjetrin? A është gjendja kaq e çoroditur, saqë në këtë fazë, një divorc i ndershëm dhe ndarje e aseteve është i pamundur?

Zgjedhjet më të fundit për në Parlamentin Evropian rezultuan me fitoren e partive të së djathtës ekstreme dhe së majtes ekstreme, që fituan një numër rekord vendesh. Por nuk është për t’u çuditur. Qytetarët e BE-së janë thjesht më të shqetësuar për sigurinë e vendit të tyre, sesa mbi atë të konfederatës së shteteve. Aty ku e tashmja dhe e ardhmja duket e zymtë, nostalgjia lulëzon në mënyrë natyrale. Pikërisht këtë neo-patriotizëm duhej të zbehte Bashkimi

Evropian. Në fakt nuk është bërë asgjë për t’u përballur me këtë fenomen.

Shkatërrimi i Ukrainës dhe peisazhet e rrënuara të ish-Jugosllavisë dëshmuan një urrejtje që vlon në vetvete, në një konfederatë të dobët shtetesh. Edhe pas 70 vjetësh pasi Traktati i Romës promovoi atë që do të bëhej më vonë BE, një brez i njerëzve të projekteve të mëdha të Evropës bëjnë gabime trashanike dhe manipulime me borxhet dhe politikat e kursimit. Por në momentin kur njerëzit të kuptojnë se çfarë katastrofe i pret nëse shpërbëhet BE-ja, do të jetë shumë vonë.

a.g./www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button