
Presidenti kinez Xi Jinping u ka dhënë urdhër forcave të armatosura të vendit të tij, që të jenë gati për të pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027. Megjithëse Shtetet e Bashkuara ruajnë një politikë “paqartësie strategjike” mbi mënyrën se si do t’i përgjigjeshin një pushtimi, presidentët si republikanë ashtu edhe demokratë kanë deklaruar se Amerika do ta mbronte ishullin. Pentagoni ka hartuar një vlerësim të klasifikuar shumëvjeçar që tregon se si do të zhvillohej një konflikt i tillë: dokumentin “Overmatch”.
Ky raport është një rishikim i plotë i fuqisë ushtarake amerikane, përgatitur nga Zyra e Vlerësimit Strategjik e Pentagonit dhe ai iu dorëzua zyrtarëve më të lartë të Shtëpisë së Bardhë gjatë vitit të kaluar. Raporti katalogon aftësinë e Kinës për të shkatërruar avionët amerikanë, anijet e mëdha dhe satelitët, si edhe identifikon pikat e dobëta të zinxhirit të furnizimit të ushtrisë amerikane. Detajet e tij nuk janë raportuar më parë.
Pasqyra që ofron raporti është shqetësuese. Pete Hegseth, sekretari i mbrojtjes, tha në nëntor se në simulimet e luftës kundër Kinës, “ne humbim çdo herë”. Kur një zyrtar i lartë i sigurisë kombëtare i administratës Biden mori dokumentin “Overmatch” në vitin 2021, ai u zverdh në fytyrë kur kuptoi se “çdo as që kishim në mëngë, kinezët e kishin të dyfishuar dhe trefishuar,” sipas një zyrtari të pranishëm.
Vlerësimi tregon diçka edhe më shqetësuese se rezultati potencial i një lufte për Tajvanin: ai vë në dukje mbështetjen e tepruar të Pentagonit te armët tepër të shtrenjta dhe të brishta, ndërkohë që kundërshtarët po përdorin armë të lira dhe teknologjikisht të avancuara. Ai gjurmon rënien shumëdekadëshe të aftësisë së Amerikës për të fituar një luftë të gjatë kundër një fuqie të madhe.
Simulimet mund të gabojnë; analistët nganjëherë e mbivlerësojnë aftësinë e kundërshtarëve. Por kjo panoramë nuk duhet injoruar. Gati katër dekada pas fitores së Luftës së Ftohtë, ushtria amerikane është e papërgatitur për kërcënimet globale të sotme, si edhe për teknologjitë revolucionare.
Kjo është një histori e vjetër. Pavarësisht paralajmërimeve të shumta, udhëheqësit ushtarakë dhe politikë, të stërvitur me një seri supozimesh, taktikash dhe armësh, nuk arrijnë të përshtaten me kohën. Ashtu si ushtria franceze në vitin 1940, e ngujuar pas vijës mbrojtëse Maginot, ose si formacionet e blinduara ruse në Ukrainë në vitin 2022, të shkatërruara nga raketat Javelin, rezultati është katastrofik për atë që nuk heq dorë nga konceptet e vjetra, nuk adopton armë të reja dhe nuk rishikon strategjinë e vet të luftës.
Në këtë pikë rrezikon të gjendet sot edhe SHBA-ja. Administrata Trump kërkon të rrisë buxhetin e mbrojtjes në mbi 1 trilion dollarë në vitin 2026. Një pjesë e madhe e këtij fondi do të shkojë kot, duke financuar kapacitete që i shtojnë dobësitë, në vend që të forcojnë pikat e forta.
Pasojat globale mund të jenë të rënda. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përdorur gjithmonë ushtrinë e tyre në mënyrë të drejtë ose efektive. Por një Amerikë e fortë ka qenë thelbësore për një botë ku liria dhe begatia janë më të përhapura, se sa pothuajse në çdo moment tjetër të historisë. Evropa Perëndimore, Japonia dhe Koreja e Jugut sot janë demokraci të pasura, pjesërisht falë fuqisë amerikane. Një botë ku Kina totalitare arrin epërsi ushtarake në Azi dhe Rusia ndihet e lirë të kërcënojë Evropën, do t’i bënte amerikanët më të varfër dhe do të rrezikonte demokracitë kudo. Kjo është një perspektivë që duhet parandaluar me vendosmëri.
Ky realitet i ri ka dalë në pah sidomos në Ukrainë që prej pushtimit rus të vitit 2022. Forcat ukrainase, me shpikje të thjeshta por efektive, neutralizuan flotën dikur të fuqishme të Detit të Zi, duke përdorur varka të vogla të telekomanduara, të mbushura me eksplozivë. Shumë prej bombarduesve më të rëndësishëm rusë u dëmtuan ose u shkatërruan këtë qershor nga dronë të vegjël ukrainas, të futur fshehurazi në territorin rus dhe të lëshuar deri edhe nga Siberia. Në lindje të Ukrainës, dronët që kushtojnë vetëm disa qindra dollarë, dhe që Ukraina dhe Rusia po i prodhojnë me miliona, e kanë kthyer fushëbetejën, në “një përzierje të “Asgjë e Re nga Fronti i Perëndimit” me “Blade Runner”, siç shkruan analisti i sigurisë Max Boot.
Që të kuptojmë ku shkojnë paratë amerikane, mjafton të shohim aeroplanmbajtësen U.S.S. Gerald R. Ford, e cila u vu në shërbim për herë të parë në vitin 2022, pas një dekade ndërtimi e vonesash. Ajo përfshin teknologji të reja, përfshirë reaktorë bërthamorë të avancuar dhe katapulta elektromagnetike për lëshimin e avionëve, duke e bërë më efikase sesa klasa Nimitz që ajo zëvendëson. Çmimi: rreth 13 miliardë dollarë – vetëm për anijen. Kjo pa llogaritur miliardat për avionët që ajo mbart dhe anijet shoqëruese që duhen për ta mbrojtur.
Ky arsenal është i vlefshëm nëse dëshiron të luftosh me një vend të dobët si Venezuela. Por Gerald R. Ford, e cila aktualisht ndodhet në Karaibe, është fatalisht e goditshme nga armët e reja. Kina ka krijuar rreth 600 armë hipersonike, të cilat fluturojnë me pesëfishin e shpejtësisë së zërit dhe janë shumë të vështira për t’u ndalur. Shtete të tjera kanë nëntëdetëse shumë të qeta me motor diesel-elektrik, të afta për të fundosur aeroplanmbajtëse amerikane.
Në simulimet e luftës si ato të përshkruara në dokumentin “Overmatch”, anije si Ford shpesh shkatërrohen. Megjithatë, Marina amerikane planifikon të ndërtojë të paktën edhe 9 aeroplanmbajtëse të tjera të të njëjtit lloj. Ndërkohë, SHBA nuk ka vënë ende në shërbim asnjë raketë hipersonike.
Mendoni rrezikun e një sulmi rus ndaj një shteti të NATO-s, si Estonia. Ka prova se Moska mund të jetë duke testuar mënyra për ta bërë këtë, përfshirë prerjen e kabllove nënujore nga të cilat varen forcat e NATO-s. Rusia po mëson shumë shpejt nga “laboratori i luftës” në Ukrainë. Më herët këtë vit, forcat ukrainase kapën një dron rus të ndërtuar me pjesë komerciale, që mund të navigonte në mënyrë autonome drejt objektivit – një lloj “rakete lundrimi” e blerë në internet.
As aleatët nuk janë të imunizuar. Kina ka instaluar malware në rrjetet kompjuterike që kontrollojnë rrjetet elektrike, sistemet e komunikimit dhe furnizimin me ujë të bazave ushtarake amerikane. Kjo fushatë kibernetike, e kryer nga grupi i hakerëve të sponsorizuar nga shteti, i njohur si “Volt Typhoon”, rrezikon aftësinë e ushtrisë amerikane për të lëvizur pajisje dhe trupa në rast të një krize në Paqësor, dhe mund të prekë edhe civilët. Zyrtarët amerikanë të sigurisë kibernetike kanë hasur vështirësi në gjetjen dhe heqjen e malware-it.
Pse administratat e njëpasnjëshme, si republikane ashtu edhe demokrate, kanë vazhduar të investojnë në mënyrën e vjetër të luftës?
Një arsye është inercia. Kanale të tëra financimi në Kongres dhe Pentagon janë të thella dhe të vështira për t’u ndryshuar. Një oligopol prej pesë kontraktorësh të mëdhenj të mbrojtjes – nga 51 që ishin në fillim të viteve ’90 – ka interes të shesë versione gjithnjë e më të shtrenjta të të njëjtave anije, avionë dhe raketa.
Një faktor tjetër është kultura ushtarake. Oficerët e lartë lidhen fort me teknologjitë dhe taktikat në të cilat kanë bërë karrierë. Kur gjenerali David H. Berger, si komandant i Marinës, vendosi në vitin 2020 të hiqte tanket e trupave detare (të vështira për t’u transportuar e mirëmbajtur) për të krijuar një forcë më të lehtë e më të shpejtë kundër Kinës, ai u përball me rezistencë të ashpër institucionale. Por ai kishte të drejtë. Lufta në Ukrainë tregoi sa të goditshëm janë bërë tanket.
Ka edhe një dështim konceptual: ideja se më e sofistikuara është gjithmonë më e mira. Për dekada, ushtria amerikane është mbështetur tek sisteme të personalizuara, komplekse dhe jashtëzakonisht të shtrenjta.
Kjo kishte kuptim dikur, kur kundërshtari kryesor, Bashkimi Sovjetik, ndiqte të njëjtën qasje, dhe Perëndimi mund ta shtynte drejt rrënimit ekonomik. Por problemi me armë kaq të sofistikuara dhe të shtrenjta është se ato nuk mund të prodhohen shpejt ose në numër të madh. Ushtria kërkon tani dronë të vegjël – por jo për disa qindra dollarë si në Ukrainë, por një version më të sofistikuar që kushton dhjetëra mijëra dollarë. Dhe, pa dyshim, versionet e shtrenjta prodhohen shumë më ngadalë.
Armët tradicionale – si predhat e artilerisë, anijet dhe avionët – mbeten të rëndësishme, por industria amerikane e mbrojtjes ka humbur aftësinë t’i prodhojë ato shpejt dhe në sasi të mëdha. Në rast të një lufte me Kinën, SHBA do të mbetej shpejt pa municione esenciale, siç ka paralajmëruar Jake Sullivan, këshilltar i sigurisë kombëtare. Pentagoni shpenzoi rreth një të katërtën e gjithë stokut të tij të raketave interceptuese me lartësi të madhe, vetëm për të mbrojtur Izraelin nga sulmet me raketa balistike të Iranit këtë vit. Dhe ajo luftë zgjati vetëm 12 ditë. Tre vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, SHBA nuk prodhon dot aq raketa Patriot sa kërkon Kievi.
Ushtria amerikane i ka rezistuar ndryshimit për dekada. Pentagoni nuk ka pasur një sekretar të fortë mbrojtjeje që të imponojë zgjedhje të vështira që nga koha e Robert M. Gates, i cili shërbeu si për George W. Bush ashtu edhe për Barack Obaman. Ashton B. Carter, një nga të parët që mori dokumentin “Overmatch”, nisi disa eksperimente për reforma, por me efekt të kufizuar. John McCain paralajmëroi për vite me radhë në Kongres, por pak gjë ndryshoi.
Ka disa shenja se administrata aktuale është e gatshme për ndryshim. Ushtria ka anuluar tankun e lehtë të pasigurt dhe të pasuksesshëm M10 Booker dhe disa programe të tjera problematike. Shtëpia e Bardhë po shtyn për një rishikim të mënyrës se si blihen armët. Por Hegseth ka mbikëqyrur kryesisht një kaos menaxherial, largime oficerësh dhe rrjedhje informacioni që, në një administratë normale, do ta kishin detyruar të jepte dorëheqjen. Përdorimi i ushtrisë nga Presidenti Trump për dislokime të brendshme ose misione të paligjshme antidrogë nuk është lloji i ndryshimit që i duhet vendit.
Transformimi kërkon kohë të gjatë. Muajt kaotikë të mandatit të dytë të Trumpit treguan rreziqet e keqpërdorimit të ushtrisë. Ato gjithashtu e shpërqendruan vëmendjen nga urgjenca e reformës. Sfidat strategjike që ka përballë Amerika – ndër to një Kinë në ngjitje, një Rusi revanshiste dhe kërcënimet kibernetike e biologjike të gjeneruara nga inteligjenca artificiale – do të zgjasin shumë më tepër se kjo administratë. Edhe pse asnjë prej tyre nuk mund të zgjidhet me forcë, ato gjithsesi kërkojnë një ushtri amerikane të besueshme, si garanci për rendin ndërkombëtar dhe sigurinë e botës së lirë.
Në afat të shkurtër, transformimi i ushtrisë amerikane mund të kërkojë më shumë shpenzime, kryesisht për të rindërtuar bazën industriale. Si përqindje e ekonomisë, shpenzimet e mbrojtjes sot – rreth 3.4 për qind e PBB-së – mbeten pranë nivelit më të ulët në më shumë se 80 vjet, edhe pas rritjeve të fundit që ka bërë Trumpi.
Një botë më e sigurt kërkon me shumë gjasa më shumë angazhim ushtarak nga aleatë si Kanadaja, Japonia dhe Evropa, të cilët prej kohësh mbështeten te taksapaguesit amerikanë për siguri. Kapaciteti industrial i Kinës mund të balancohet vetëm duke bashkuar burimet e aleatëve në të gjithë botën.
Në fund të fundit, siguria kombëtare amerikane varet më pak nga buxhete gjigante dhe më shumë nga investime të mençura. Shpenzimet e mëdha për simbole tradicionale të fuqisë rrezikojnë të anashkalojnë burimet e vërteta të forcës amerikane: inovacionin e pandalshëm, aftësinë për t’u përshtatur shpejt dhe gatishmërinë për të hedhur poshtë supozimet e vjetra.
Të jemi të qartë: SHBA ka nevojë për një ushtri më të fortë, para së gjithash, për të parandaluar luftërat – jo për t’i nisur ato. Ndërsa rindërtojmë ushtrinë tonë, duhet të ndjekim diplomacinë me kundërshtarët tanë. Në të njëjtën kohë, duhet të përgatitemi për më të keqen. Parandalimi i luftës është qëllimi i parë i çdo strategjie të suksesshme për të shmangur konfliktet e zgjatura – dhe ne duhet të adresojmë dobësitë tona përpara se armiqtë të tentojnë t’i shfrytëzojnë.
Trump dhe administrata e tij kanë marrë paralajmërimet e fundit të dokumentit “Overmatch”. Nevoja për ndryshim është urgjente. Pyetja është nëse do të veprojmë në kohë.
THE NEW YORK TIMES – Në shqip nga bota.al





