Analiza

Domosdoshmëria e një komuniteti të ri të Atlantikut

JOSE MARÍA AZNAR*

Oqeani AtlantikRënia e rëndësisë së rajonit të Atlantikut është parashikuar shpesh, teksa vëmendja globale zhvendosej drejt vendeve në brigjet e Paqësorit. Tendenca u shfaq që në vitet 1980, me rritjen ekonomike të Japonisë. Romanet dhe filmat që flisnin për “Tokën ku lind dielli” fituan shumë popullaritet. Sot, rritja e forcës ushtarake dhe ekonomike të Kinës, ka fituar vëmendje të ngjashme. Në të vërtetë, fuqia sot është shumë më e përhapur, dhe shumë njerëz e kanë zhvendosur interesin dhe fokusin e tyre nga Perëndimi, në Lindje. Edhe administrata aktuale e SHBA ka folur për një “bosht” (më vonë “ribalancim”) drejt Azisë.

Por unë jam një Atlanticist. Dhe sic e bën të qartë një raport i fundit për basenin e Atlantikut, do të ishte gabim të nënvlerësohej potenciali i rajonit. Me 65 shtete dhe 33 territore, nga Amerika e Veriut në Amerikën e Jugut dhe nga Europa në Afrikë, baseni i Atlantikut është i bekuar me një popullsi që, në pjesën më të madhe është në moshë të re dhe që premton shumë. Rajoni ka rezerva të mëdha energjia si dhe lëndësh të para.

Shumë prej vendeve të tij kanë institucione politikë me rrënjë dhe vlera të përbashkëta, dhe rajoni i Atlantikut po shndërrohet me shpejtësi në një mikrokozmos të botës së globalizuar. Prurjet e kapitalit, tregtia (dhe fatkeqësisht droga dhe krimi i organizuar) janë në nivele shumë të lartë në atë që po shndërrohet në rezervuarin energjetik të botës, me oqeanin më të lundruar dhe dhe burimet më të pasur të peshkimit.

E vërtetë, në basenin e Atlantikut, ashtu si gjetkë, ka pabarazi të mëdha dhe, në disa vende, institucione demokratikë të dobët. Por këto probleme dhe dallime nuk janë ato divergjenca radikale që i gjen në rajone të tjerë, përfshirë Azinë. Tendenca në Atlantik është drejt integrimit, që do të thotë se ka një potencial pothuajse të pakufishëm për zhvillim.

Për dy vite, kam udhëhequr një projekt në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike të Universitetit John Hopkins, për të promovuar një Nismë të Basenit të Atlantikut, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtij potenciali. Më shumë se 100 zyrtarë dhe ekspertë janë përfshirë. Pikëpamjet tona janë përmbledhur në një raport “Një Komunitet i ri Atlantik”, i botuar këtë javë në Uashington. Ne ofrojmë rekomandime specifikë për pesë fusha, ku marrëveshjet mes aktorëve të mëdhenj të rajonit do të sillnin përfitime të mëdha.

E para është energjia. Baseni i Atlantikut zë tani më shumë se një të tretën e prodhimit botëror të gazit dhe naftës. Ai zë pothuajse 60 përqind të rezervave të nxjerrshme të gazit nga shtresat argjilore, 12 përqind të rezervave tradicionale të gazit, si dhe 40 përqind të rezervave të provuara të naftës në botë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që SHBA të kalojë Rusinë në vitin 2015, si vend kryesor i prodhimit të gazit natyror, si dhe të lërë pas Arabinë Saudite në vitin 2017 si prodhuesi numër një i naftës.

Mes konkurrentëve të tjerë, Brazili po promovon industri energjetike të klasit botëror. Zbulimet në det në Ganë, Surinam, Namibi, Marok apo Argjentinë me siguri do të zënë vende me peshë në hartën energjetike të të ardhmes. Por nuk ka një kuadër që të lejojë bashkëpunimin ndërshtetëror. Një Forum Energjetik Atlantik do t’i shërbente zgjidhjes së problemeve të aksesit në energji dhe zhvillimit të qëndrueshëm në të gjithë rajonin.

Fusha e dytë që kërkon bashkëpunim është rritja ekonomike dhe zhvillimi njerëzor. Baseni i Atlantikut është rajoni më i rëndësishëm dhe i suksesshëm në botë për sa i përket tregtisë. SHBA dhe Europa zënë 50% të GDP total të globit dhe 30 përqind të transaksioneve tregtarë. Shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve në zonën e Atlantikut kap një shumë 2 miliardë Euro cdo ditë. Amerika Latine dhe Afrika kanë ritme më të lartë të rritjes ekonomike. Konsumatorët e tyre po kërkojnë gjithmonë e më shumë produkte dhe shërbime të reja, dhe në vitet e ardhshëm rajonet bregdetarë të të dy kontinenteve do të shndërrohen në motorrë të mëdhenj të ekonomisë globale. Por, sfidat janë shumë të mëdha. Pabarazitë mes vendeve të Atlantikut – dhe brenda tyre – janë pengesa kryesore për arritjen e potencialit të rajonit. Kështu që, përpjekjet për reduktimin e varfërisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit për zhvillim duhet të shkojnë paralelisht me një tregti më të lirë dhe tregje më të hapur.

Së treti është oqeani ynë i përbashkët. Strategjitë për shfrytëzimin e potencialit të pangacmuar të oqeaneve janë në modë kudo, por duhet të përpiqemi sëbashku. Sfida të tilla si rritja e nivelit të deteve, peshkimi, dhe siguria detare nuk mund të kapërcehen pa bashkëpunim rajonal. Prandaj raporti ynë bën thirrje për krijimin e një Forumi të Oqeanit Atlantik për të cuar përpara projekte bashkëpunimi në këtë oqean – që është trashëgimia jonë e përbashkët.

Fusha e katërt është siguria njerëzore. Nëse droga dhe trafiku njerëzor, kontrabanda e armëve, rreziqet kibernetikë, pastrimi i parave, korrupsioni, pirateria dhe terrorizmi mbeten jashtë kontrolli, ato do të dëmtojnë tregtinë globale, zhvillimin rajonal dhe stabilitetin politik në rajon. Shtetet e Atlantikut duhet të ndërmarrin veprime të përbashkët për të përballuar këto sfida.

Fusha e pestë dhe e fundit është zhvillimi i kulturës së zbatimit të ligjit dhe qeverisje demokratike efektive. Problemet me demokracinë në rajon, në Venezuelë për shembull, janë të ditur. Por në vende të tjerë, si Kili, Kolumbia dhe Peruja, mes të tjerëve, ka një rritje të përkushtimit ndaj normave dhe praktikave demokratike, që do të ndërtojnë një themel më të fortë për të fuqizuar institucionet e dobët demokratikë dhe kultivuar kulturën e zbatimit të ligjit.

Ata që janë gjallë sot kanë privilegjin e jashtëzakonshëm që të jetojnë në një pikë kthese të historisë së njerëzimit. Faktorë të tillë si revolucioni teknologjik, i mishëruar tek Interneti dhe teknologjitë e reja të komunikimit, si dhe ndryshimet e shpejtë në industrinë energjetike dhe rrjetet e infrastrukturës së transportit, janë duke ndryshuar ekuilibrin e marrëdhënieve dhe fuqive në mbarë botën.

Baseni i Atlantikut duhet të luajë një rol vendimtar në këtë ndryshim. Ne kemi përvojën e suksesshme të zonës së Atlantikut Verior në konsolidimin e demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit. Ne kemi potencial shumë të madh në zonën e Atlantikut të Jugut, në një botë e cila kërkon që ky potencial të bëhet realitet. Një komunitet i ri i Atlantikut që të punojë për rajonin si një e tërë mund të ndihmojë për të sjellë prosperitet për të gjithë ata që kanë fatin të jetojnë pranë këtij oqeani të mrekullueshëm.

* Jose Maria Aznar ka qenë Kryeministër i Spanjës nga viti 1996 deri në vitin 2004. Aktualisht është një akademik i spikatur në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike të Universitetit John Hopkins

Leave a Reply

Back to top button