Analiza

Domosdoshmëria e pavarësisë së sunitëve irakianë

Screen Shot 2015-06-13 at 10.03.32

Nga Alon Ben-Meir

“Huffington Post”

Njëri nga parakushtet kryesore për mposhtjen e ISIS-it në Irak, është përcaktimi i së ardhmes politike të sunitëve irakianë. Për sa kohë që nuk e dinë se çfarë i rezervon e ardhmja, atanuk kanë asnjë arsye për të vendosur mendjen dhe shpirtin e tyre në luftën kundër Shtetit Islamik. Sunitët nuk janë të përgatitur për të bërë të gjitha sakrificat e nevojshme, vetëm për të përfituar qeveria shiite në Bagdad, të cilën ata e refuzojnë dhe e përçmojnë edhe më shumë se vetë ISIS-in. Njëkohësisht me luftën kundër Shtetit Islamik, administrata e Obamës duhet të fillojë negociatat për statusin e ardhshëm të irakianëve sunitë.

Për Shtëpinë e Bardhë, të besosh se Iraku do të bashkohet vetiu pas disfatës së ISIS-it, është një iluzion i pastër, sikurse ndarja e Irakut në 3 shtete ndodhi de fakto, menjëherë pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Duke humbur dominimin e tyre në Irak, në favor të shiitëve në vitin 2003, pas 81 vitesh sundimi të vazhdueshëm, sunitët ende refuzojnë të pranojnë atë që ata e konsiderojnë një parodi historike.

Raportet ndërmjet dy komuniteteve fetare, janë përkeqësuar më tej nga 8 vitet e qeverisë shiite të udhëhequr nga Nuri al-Maliki, i cili abuzoi me pushtetin e tij dhe margjinalizoi, keqtrajtoi dhe viktimizoi komunitetin sunit. Fakti që koalicioni i më shumë se një duzine vendesh, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të luftuar ISIS-in nga ajri dhe toka, deri tani ka dështuar, kjo është për shkak të mungesës së një strategjie gjithëpërfshirëse për të mposhtur Shtetin Islamik, si dhe mungesa e angazhimit të irakianëve sunitë për të luftuar Kalifatin, që zë pjesën më të madhe të 3 provincave të tyre.

Sunitët e gjejnë pa dashje veten dhe shpesh vullnetarisht në mbështetje të ISIS-it, pasi ata janë të lidhur më shumë fetarisht me Shtetin Islamik, sesa me shumicën shiite, të cilët janë të vendosur të ruajnë qeverisjen ekskluzive mbi të gjithë Irakun. Qeveria e supozuar unitare e Irak që kërkon SHBA, është një farsë. Nuk ka asnjë unitet;kryeministri Abadi është i dobët, dhe ka bërë shumë pak për të qetësuar komunitetin sunit. Irani vazhdon të ushtrojë një ndikim të rëndësishëm politik në Bagdad, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në luftën kundër ISIS-it përmes milicisë së saj, akt të cilin sunitët e kundërshtojnë, porse SHBA-ja ka rënë dakord në heshtje.

Irakianët sunitë, nuk e shohin përfshirjen e Iranit si diçka kalimtare, dhe duke nxjerrë mësim nga përvoja e tyre e fundit, ata në asnjë rrethanë nuk duan t’ia dorëzojnë të ardhmen e tyre trilleve të Teheranit, që e cilësojnë një armik të paepur.

Sauditët, të cilët janë të alarmuar nga ambicjet rajonale të Iranit, dhe ndërhyrja e tij sistematike dhe e dhunshme në punët e brendshme të shteteve arabe- në Siri, Irak, Liban, Jemen dhe shumë vende të tjera – ndjejnë se vetëm duke lejuar irakianët sunitë të krijojnë shtetin e tyre të pavarur, mund të parandalojnë Iranin të vëndosë një kontroll të plotë mbi Irakun.

Për më tepër, duke pasur parasysh faktin (të cilën SHBA e njeh), se kurdët e Irakut janë në rrugën  e sipër për të shpallur pavarësinë e tyre, do të jetë e pamundur për t’i mbajtur sunitët brenda shtetit aktual. Në një takim të kohëve të fundit në Uashington, Presidenti Masud Barzani i Kurdistanit të Irakut e deklaroi publikisht synimin e tij për të lëvizur drejt pavarësisë, pohim që u konfirmua më vonë nga një zyrtar i lartë amerikan, si një ngjarje e pashmangshme.

Edhe pse kurdët kanë vuajtur shumë nën regjimin sunit të Sadam Hyseinit, ata tashmë se bashkë me këta të fundi, e konsiderojnë qeverinë shiite si armiqësore dhe kundërshtojnë idenë e federalizmit, pavarësisht sesa pak të lidhur do të jenë me qeverinë qëndrore në Bagdad.

Shtetet e Bashkuara, tanimë duhet të fillojnë një dialog me qeverinë e Irakut dhe udhëheqjen sunite, për të krijuar një kornizë për autonominë politike të Irakut sunit, sipas modelit të Irakut kurd, çka përfundimisht do të çojë drejt pavarësisë së plotë në një kohë të dytë.

Çështja qëndrore që duhet të përfshihet në çdo marrëveshje për pavarësinë sunite, është shpërndarja e drejtë e të ardhurave nga nafta, gjë që do të kërkonte një mekanizëm të rreptë, të ruajtur ndërkombëtarisht, dhe detyrues nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për të siguruar zbatimin e të përhershëm dhe të plotë të saj.

Sunitët kanë nevojë për sigurinë e qartë, se në asnjë rrethanë ndonjë qeveri shiite nuk do të pezullojë shpërndarjen e fondeve apo mbajë peng shtetin sunit, dhe shprehur qartë pasojat politike dhe financiare, duke përfshirë sanksionet dhe pezullimin e ndonjë ndihmë financiare dhe ushtarake.

Kurdët irakianë tashmë kanë krijuar një precedent të tillë, ndërsa transferuan fondet nga shitja e tyre të pavarur e naftës, tek qeveria qendrore të Irakut. Për të qenë të sigurtë, të treja shtetet e pavarura, do të duhet të zbatojnë një formulë që do të kënaqë pjesën e tyre të ligjshme të të ardhurave të naftës.

Një marrëveshje e drejtë në ndarjen e të ardhurave të naftës, mund t’i hapë rrugën për mirë edhe marrëdhënieve më të ngushta mes tre shteteve, çka do të çojë në një bashkëpunim më të madh në shumë fusha të tjera, duke përfshirë programet e përbashkëta ekonomike të zhvillimit, bashkëpunimit mbi sigurinë, tregtinë, etj.

Administrata Obama, tanimë duhet të mendojë seriozisht përtej mposhtjes së ISIS-it dhe sigurisht përtej arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, mbi programin e tij bërthamor. Teherani, ka kapacitetin dhe synimin të ndërpresë çfarëdolloj marrëveshje politike në Irak, që nuk i shërben interesave të tij.

Prandaj, Iranit i duhet bërë mjaft të qartë, se SHBA-ja nuk do të tolerojë asnjë veprim subversive, që dëmton mirëqenien dhe stabilitetin e shtetit të sapoformuar sunit. Për të penguar Iranin, të mos veprojë në mënyrë djallëzore, Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin garanci mbi sigurinë e shtetit sunit, në kuadër të linjës së angazhimit të saj për sigurinë e kurdëve të Irakut.

Kjo gjithashtu, do të ketë një ndikim serioz pozitiv në luftën që zhvillohet përmes përkrahjes nga prapa mes sunitëve dhe shiiteve, si në Siri ashtu edhe Irak, ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit për dominim rajonal, e cila në të kundërt mund të zgjasë për dekada të tëra.

Mungesa e një strategjie të qartë amerikane në Irak, fakt të cilin Presidenti Obama e pranoi kohët e fundit (“Ne ende nuk kemi një strategji të plotë, për shkak se kjo kërkon angazhime nga ana e irakianëve”-) është enigmatike. Ajo ngre pyetjen, sesi SHBA mund të angazhohet në një luftë, pa patur një strategji të qartë për të mposhtur armikun, dhe se cili duhet të jetë rezultati i dëshiruar.

Kjo jo vetëm pse trupat irakiane, nuk janë plotësisht të trajnuara dhe të gatshme për të luftuar;edhe nëse do të ishin, s’do të mund të mposhtnin të vetëm ISIS-in, me ose pa mbështetjen e milicisë iraniane.

Mungesa e një strategjie, i ka lejuar grupet ekstremiste të të gjitha bindjeve politike dhe fetare, që të konvergojnë në Irak dhe Siri dhe përfitojnë nga situata kaotike që ka përfshirë të dyja vendet. Është koha për administratën Obama, që së bashku me partnerët e saj të koalicionit, të hartojë një strategji për mposhtjen e Shtetit Islamik, që domosdoshmërisht kërkon futjen e një numri domethënës trupash tokësore, të mbledhur nga koalicioni dhe që do të përfshinte një kontigjent amerikan, për të sjellë një humbje më të shpejtë të ISIS-it.

Pa këto hapa, ISIS-i do të vazhdojë të zgjerojë kontrollin e tij territorial dhe të përforcojë më tej pozitat, sidomos në provincat sunite, çka do ta bëjë gjithnjë e më e vështirë dhe të kushtueshme mundjen e tij. Përsa i përket futjes së trupave, Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin sunitëve të Irakut garanci, se pavarësia e tyre e ardhme politike, është e sigurtë.

a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button