Analiza

“Donte të kthehej si shpëtimtar i Francës. Vjen si shpëtimtar i UMP”

Sarkonga Alexandre Lemarié

Le Monde

Pak para njoftimit, nga Nicola Sarkozy, për kthimin e tij në politikë historiani Christian Delporte, autor i librit “Come back! Ose arti i rikthimit në politikë” zbërthen për “Le Monde” strategjinë e ish-presidentit për t’u rikthyer në skenën politike.

Si e analizoni ju mënyrën me të cilën Nicolas Sarkozy po vepron për kthimin e tij në skenën politike, dy vjet pas humbjes së tij?

Christian Delporte: Nicolas Sarkozy ka një kundër-model: atë të Valéry Giscard d’Estaing. Qysh prej vitit 2012, Sarkozy bëri krejtësisht të kundërtën e asaj që Presidenti d’Estaing kishte bërë pas humbjes së tij. Së pari, ai u kujdes për të pasur sukses në daljen e tij. Më 6 maj të vitit 2012, Sarkozy shkoi në takim me mbështetësit e tij, para të cilëve mbajti një fjalim të matur dhe të denjë. Valery Giscard d’Estaing, natën e dështimit të tij nuk gjindej dot më 10 maj të vitit 1981. Ai nuk bëri asnjë deklaratë dhe u kënaq me një fjalim televiziv mjaft të dështuar, nëntë ditë më vonë, para se të zhdukej nga radarët.

Sarkozy dhe miqtë e tij kanë ditur më pas të instalojnë idenë që ai nuk kishte humbur me të vërtetë në vitin 2012, që rezultati i tij i turit të dytë (48,36 %) ishte shumë i nderuar, madje që disa ditë fushatë më tepër do ta kishin lejuar atë të fitonte.

Presidenti Valery Giscard d’Estaing nuk ishte në këtë situatë. Humbja e tij ishte e pakundërshtueshme, kur ai madje kishte arritur pothuaj të njëjtin rezultat si Sarkozy (48,24 %). Ai ishte i humburi dhe pas largimit të tij nga Elysée, partia Bashkimi për Demokracinë Franceze (UDF), lëshoi mbi të një shigjetë. Dy vjet pas largimit të tij, Sarkozy mbetet shumë popullor pranë bazës së Partisë Bashkimi për një Lëvizje Popullore (UMP), asnjeri deri më sot nuk e ka zëvendësuar atë në krye të partisë.

Sarkozy nuk ka përsëritur gabimin e presidentit Giscard, i cili për t’u rikthyer në majë vendosi të rinisej nga baza, duke u zgjedhur këshilltar i përgjithshëm në vitin 1982 dhe deputet në vitin 1984. Paralelisht, ai kishte dalë herë pas here në emisionet televizive, duke marrë qëndrimin e ish-presidentit.

Kjo strategji e kishte prishur imazhin e tij. Dy vjet pas largimit, Sarkozy mbetet i perceptuar si një ish-president. Por ai rrezikon gjithashtu banalizimin e imazhit të tij dhe të shfaqurit si një njeri politik i zakonshëm, duke u rizhytur në “kënetë”.

Ju dalloni disa tipe të rikthimit. Me cilin nga këto tipe e lidhni ju Sarkozynë?

Ka dy modele rikthimi. Në disa raste, rikthimi është para së gjithash i provokuar nga një situatë e jashtëzakonshme, që krijon një nevojë për një njeri që bie nga qielli, siç ishte rasti i Clemenceau në vitin 1917, apo i de Gaulle në vitin 1958.

Por shumica e rikthimeve nuk i binden kësaj logjike. Ata janë më pak spektakolare dhe bëhen herë-herë në vite. François Mitterrand është një shëmbull i tillë. Shtatëmbëdhjetë herë ministër nën Republikën e IV, ai e pa të ardhmen e tij të kompromentuar në vitin 1958, kur u gjend pa mandat, pas humbjes në zgjedhjet legjislative. Për t’u ringritur, Mitterrand me durim do të thurte pëlhurën e tij, së pari duke krijuar një rrjet, pastaj duke u zgjedhur deputet në vitin 1962. Tribuna e Parlamentit i lejoi asokohe të shfaqej si kundërshtari i parë i de Gaullet dhe të imponohej si kandidati i të majtës në zgjedhjet presidenciale të vitit 1965.

Sarkozy do të kishte ëndëruar për një kthim si de Gaulle apo Clemenceau. Ideja e tij fillestare ishte të rikthehej si shpëtimtar i Francës. Por nuk është ky skenari që vizatohet, meqënëse ai përgatitet të rithkthehet përfundimisht si shpëtimtar i UMP-së. Kjo është për atë një vështirësi, sepse e rivendos atë në nivelin e një politikani si të tjerët.

Ju shkruani se “për t’ja dalë me sukses në kthimin e tij, i duhet gjithashtu t’ia dalë me sukses udhëtimit të tij në shkretëtirë”. Çfarë është kjo për Nicolas Sarkozynë?

Ky është një problem tjetër i tij i madh. Qysh prej vitit 2012, Sarkozy nuk la një kohë tërheqje, që do t’i lejonte atij të rikthehej duke thënë: “Unë jam tërhequr, kam reflektuar dhe kam ndryshuar”. Mënyra më e mirë për të përgatitur kthimin e tij, për të thënë apo të bërë që njerzit të besonin se ai nuk do të kthehej kurrë duke u angazhuar me vendosmëri për një karrierë tjetër. Këtë bëri De Gaulle, duke u bërë autor kujtimesh nën Republikën e IV, apo Alain Juppé, ish kryeministër dhe ministër i jashtëm, kur në vitet 2000 do të shkonte të studionte në Montreal. Sarkozy, në të vërtetë nuk ka dalë nga peisazhi politik. Ai rikthehet pa u larguar asnjëherë. Ai nuk la kohën e pendesës, që mund të lejonte të ngjallte ndjesë. Kjo për Sarkozynë është një handikap.

Çfarë mendoni ju për thirrjet që janë shtuar këto ditët e fundit nga ana e shumë drejtuesve të UMP-së, duke u shprehur në favor për kthimin e Sarkozysë?

Unë do të thoja se kjo është mënyra klasike. Për realizuar me sukses një kthim, duhet përgatitur mendjet. Kujtoni de De Gaulle. Në fund të vitit 1957, vetëm 11 % e francezëve të pyetur nga Instituti Francez i Opinionit Publik (IFOP) shpreheshin në favor për kthimin e tij. “Rreth meje, asnjeri nuk beson për kthimin e gjeneralit de Gaulle”, do të shprehej në fillim të vitit 1958 shkrimtari francez, François Mauriac. Asokohe, të afërmit e gjeneralit u bënë aktivë dhe me deklarat e tyre bënin thirrje për të shpallur shembjen e paevitueshme të Republikës së IV dhe nevojën e kthimit të një njeriu që “binte nga qielli”. Ata kuptuan se duhej përfituar nga rrethanat për të imponuar fatin. Në një farë mënyre, këtë kanë bërë dhe sarkozistët.

PERGATITI: S. METANI

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button