Ekonomi

Drama qendrore e Europës

Ndonëse në Milano do të diskutohet për skema garancie për të rinjtë etj., të gjithë sytë dhe veshët do të jenë nga ajo çfarë mund të mësohet për dramën qendrore ekonomike mes Gjermanisë nga njëra anë, dhe Francës e Italisë nga ana tjetër

renzi merkel hollande

Gavin Hewitt

BBC News

Të mërkurën, udhëheqësit e Europës do të mblidhen në Milano për samitin e tyre të radhës mbi papunësinë dhe rritjen ekonomike. Pritshmëritë janë të ulëta. Takimi është më shumë një ide e Kryeministrit italian, Matteo Renzi, i cili dëshiron t’i demonstrojë një audience të brendshme se është në krye të luftës së Europës për të ulur shifrat e papunësisë. Edhe pse udhëheqësit do të diskutojnë si t’i japin jnë shtytje rritjes ekonomike, ato që do të jetë e pamundur të fshihen do të jenë ndarjet e mëdha brenda eurozonës – dhe kjo është drama qendrore e Europës këtë vjeshtë.
Gjermania ka shpallur me krenari se ka një buxhet të balancuar. Ndryshe nga ajo, Franca dhe Italia jo vetëm po mundohen shumë me buxhetet e tyre; ato po kërcënojnë të shkelin rregullat e BE për buxhetin. “Franca i bën vetë rregullat”, thotë kryeministri Manuel Valls. Komisioni Europian mund ta ndryshojë fare mirë këtë deklaratë.
Le të marrim rastin e Italisë. Ajo tashmë ka “grisur” edhe parashikimet që kish bërë vetë. Rritja ekonomike këtë vit do të jetë -0.3% krahasuar me parashikimin, që ishte 0.8%. Rritja ekonomike vitin tjetër do të jetë vetëm 0.6%.
Niveli i prodhimit industrial në Itali ka rënë me një të katërtën gjatë gjashtë viteve të fundit. Papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë, në nivelin 12%. Deficiti i saj buxhetor po rritet, ndonëse qeveria thotë se do mundet ta mbajë nën 3%.
Reformat e tregut të punës
Matteo Renzi argumenton se në këto “rrethana të jashtëzakonshme”, ka nevojë për shumë më tepër fleksibilitet të rregullave. Rritja ekonomike, dhe jo konsolidimi fiskal, duhet të jetë prioritet. Kështu që, në vend të adoptimit të reformave të rëndësishme, ai dëshiron një interpretim më pak të rreptë të rregullave për buxhetin.
Për të përkuar me samitin, Renzi po shtyn fort atë që është elementi kryesor i programit të tij të reformave, Ligjin për Punësimin. Diskutime të mëdha ka ngjallur fakti që ligji i ri zbut Nenin 18, sipas të cilit punonjësit që janë larguar pa të drejtë nga puna, kanë të drejtën të rikthehen. Ministrat e Renzit besojnë se kjo gjë shkurajon marrjen në punë dhe kontribuon në përdorimin e tepruar të kontratave të përkohshme. Ai është e vendosur që kjo masë të përkojë me samitin, ndonëse për ta miratuar do i duhet një votëbesim.
Gjermanët janë të kujdesshëm. Ata janë më pak të interesuar në shpalljen e reformave, se sa në zbatimin e tyre. Ka shumë detaje të këtij Ligji për Punësimin që janë të paqartë dhe nuk ka gjasa që ai të kalojë në parlament deri vitin e ardhshëm.
Por edhe vetë ekonomia gjermane po dobësohet. Porositë në fabrika gjatë gushtit pësuan rënien më të shpejtë në pesë vite. Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 1.5%, por më pak se parashikimi.
Vizitorët në Berlin do të dinë që qeveria atje është e shqetësuar jo vetëm sepse është e goditur nga ngjarjet ndërkombëtare si sanksionet kundër Rusisë, por edhe prej “shëndetit” të Italisë dhe ekonomisë së dytë më të madhe të eurozonës, Francës.
Franca nuk do ta arrijë objektivin e saj sa i përket buxhetit. Deficiti mbetet në 4.3% dhe shumë larg objektivit. Do të mbetet në këtë nivel për të paktën dy vitet e ardhshëm. Francezët po shkurtojnë shpenzimet, por jo aq shpejt sa do të donte dikush në Europë.
Injorimi i francezëve vjen edhe me një paralajmërim. Kryeministri Valls, në Londër të hënën, tha se programi i masave të kursimit kish qenë “brutal” dhe kishte kthyer milioina njerëz kundër Europës. Rritja ekonomike në Francë është 0.5% dhe prioriteti në Paris është pikërisht rritja ekonomike.
Së bashku Franca dhe Italia po bëjnë thirrje për fleksibilitet në interpretimin e rregullave të buxhetit. Italia do të donte një fond europian për rritjen ekonomike prej disa miliarda eurosh. Të dy vendet do të donin që Gjermania të rriste shpenzimet dhe të reduktonte tepricën buxhetore. Ata besojnë se shndërrimi i kursimit në prioritet i ka bërë një dëm jetëgjatë dhe e ka tensionuar strukturën sociale të Europës.
Gjermanët tregojnë Spanjën dhe Irlandën si shembuj të shteteve që përqafuan reformat e tregut të punës më herët dhe tani po shohin dobinë. Ata vënë në dyshim vendosmërinë e italianëve dhe besojnë se dy vitet e parë të administratës Hollande janë cuar dëm.
Kjo është beteja qendrore politike. Aktori më me ndikim në skenë është Banka Qendrore Europiane. Ajo që tani po zbaton programe të ndryshëm stimujsh.
Normat e interesit janë në nivele shumë të ulët dhe bankat paguajnë për “parkimin” e parave cash në BQE brenda natës. Nëse risqet e deflacionit vazhdojnë të rriten, atëherë pritet një lehtësim sasior në shkallë të plotë nga fundi i këtij viti.
Ndërkohë, rënia e vlerës së Euros po ndihmon eksportet e Europës. Në shumë vende, përfshirë Italinë, janë eksportet që po sjellin edhe atë pak rritje ekonomike që ekziston.
Kështu që, ndonëse në Milano do të diskutohet për skema garancie për të rinjtë etj., të gjithë sytë dhe veshët do të jenë nga ajo çfarë mund të mësohet për dramën qendrore ekonomike mes Gjermanisë nga njëra anë, dhe Francës e Italisë nga ana tjetër.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button