Psikologji

Duaj, por jo me gjithë shpirt. Respekto, por jo kur nuk e meritojnë. Ji i sinqertë, por jo aq sa ta marrin atë për dobësi

Çdo gjë e bukur e ka një ditë fundin e vet. Nuk ka rëndësi forca, apo madhësia e saj. Gjërat janë bërë për të shkuar drejt një fundi, disa drejt një fundi të afërt, e të tjerat drejt një fundi disi më të largët. Njerëzit vdesin, pallatet rrënohen, ndjenjat ftohen. Asgjë nuk i shpëton një rregulli kaq universal.

Pikërisht kur mendon se ke gjithçka dhe se ajo gjithçka do të zgjasë përgjithmonë, atëherë ndodh diçka që i prish të gjitha dhe zhgënjimi është shumë më i madh. Unë dua që ti ta bindësh veten, se çdo gjë vjen për të ikur. Nuk e ndryshon dot këtë rregull. Përpiqu, mundohu, zhgënjehu, ama në fund do të jetë dhimbja ajo që do të të japë po të njëjtin mësim. Më vjen keq ta pranoj, por për dikë që nuk dëgjon, dhimbja dhe zhgënjimet japin mësimet më të mëdha.

Mos u kap pas ndjenjave. “Dashuro, por mos bjer në dashuri, sepse çdo gjë që bie, thyhet” do të thoshte këngëtarja Taylor Swift dhe ka shumë të drejtë. Çdo gjë që bie, thyhet. Kjo gjë ndodh për shkak se nuk kuptohet rregulli që gjërat nisin për të përfunduar. Nëse nuk përfshihesh shumë në ndjenjat me dikë, edhe fundin me të e kalon më me lehtësi.

Mos i ndalo njerëzit të largohen nga ty. Kur vjen momenti që ata lodhen nga ty, apo gjërat nuk po funksionojnë mes të dyve, më mirë lëri të shkojnë. T’i lejosh të tjerët të largohen, është një formë e shprehjes së dashurisë. Nëse i do ata mjaftueshëm, por ata duan të largohen, mos i ndalo. Askush nuk është pronë e askujt.

Duaj, por jo me gjithë shpirt. Respekto, por jo kur nuk e meritojnë. Ji i sinqertë, por jo aq sa ta marrin atë për dobësi. Duhet çdo gjë me limite, sepse kur përfshihesh shumë në diçka, fundi i saj të lëndon më shumë ty. Sado i/e vogël të jesh, ky rregull të detyron të ulesh shpejt në tavolinën e të rriturve dhe ta pranosh! / Bota.al

Back to top button