HistoriMAIN

Kështu foli Homo Erectus: kur filluam të flasim?

Në evolucionin njerëzor lindja e gjuhës konsiderohet një fazë vendimtare. Ndryshe nga komunikimi i thjeshtë, i cili mund të ndodhte me gjeste ose vokalizime në prani të objekteve të cilave u referohej, gjuha lejonte që “të folurit” të përdorej kur këto objekte mungonin, për të aluduar mbi veprime të së shkuarës, ose të së ardhmes. Homininët pastaj mund të ndanin mendimin dhe imagjinatën.

Kur?

Megjithatë, nuk ka asnjë marrëveshje midis studiuesve për kohën e këtij ndryshimi vendimtar. Disa këmbëngulin ta shohin gjuhën si një zotësi të kohëve të fundit, jo më e vjetër se 150 mijë vjet dhe i referohen Homo sapiens-ëve. Të tjerët e shohin si rezultat i një procesi më të ngadaltë që filloi shumë kohë më parë. Tashmë, një ese nga arkeologu anglez Steven Mithen, The Language Puzzle, e vendos fillimin e gjuhës 1.6 milion vjet më parë, pra nga Homo ergaster (ose Homo Erectus).

Domosdoshmëria

Në atë kohë ndodhën shumë gjëra që ndikuan në ndryshimin e komunikimit. U shfaqën veglat e gurit, që jo vetëm shprehnin konceptin e simetrisë, por kërkonin komunikim më kompleks për të përcjellë mënyrën se si ishin ndërtuar. Vegla tipike ishte amigdala, një lloj sëpate shumëfunksionale me dy faqe të barabarta dhe në formën e një bajameje të madhe.

Për më tepër, duke qenë pastrues të thjeshtë, d.m.th pastrues që merrnin mishin e kafshëve të mëdha tashmë të ngordhura, homininët ishin bërë grabitqarë të aftë që praktikonin gjuetinë e organizuar. Prandaj, gjuha ishte e domosdoshme për programimin dhe koordinimin e tyre.

Truri

Nëse para 2 milionë vitesh truri i tyre ishte afërsisht aq i madh sa ai i shimpanzeve, nga 2 në 1.5 milionë vjet më parë pati një encefalizim në rritje me zhvillimin e korteksit frontal, kështu që nga 500 cm kub që ishte ai i australopitekëve, ishte mbërritur tek 900 cm kub tek Homo. Një tru i madh sa 75% i trurit tonë sot.

Nga fjalët, tek veprat

Rastësia tjetër e rëndësishme është se rreth 1.6 milionë vjet më parë, homininët e gjinisë Homo u gjendën në Gjeorgji, Kinë dhe Indonezi, dhe për këtë arsye ishin protagonistë të migrimit nga Afrika: vështirë për t’u zbatuar pa përdorimin e një gjuhe të përbashkët, për grupet që u gjendën në mjedise të reja. Hipoteza e librit të Mithen konvergon me atë të gjuhëtarit amerikan Daniel Everett. Për të shkuar në Indonezi, Homo Erectus me siguri do të kishte nevojë për varka. Për t’i ndërtuar ato dhe për të lundruar, gjuha ishte e nevojshme. Por edhe sipas Everett, gjuha ishte një arritje graduale dhe jo një ndriçim i papritur.

E rëndësishme të kuptohemi

Gjuha e Homo Erectus karakterizohej ende nga gjestet që shoqëronin fjalët: këto, në sasi të kufizuar, në krahasim me gjuhët moderne, mund të ndryshonin kuptimin, në varësi të tonit të zërit. Vetë Mithen beson se disa aspekte të atij zhvillimi të hershëm gjuhësor 1.6 milion vjet më parë ende mbijetojnë në gjuhët moderne sot.

Fjalë onomatopeike

Fjalët, të cilat përmes tingujve ose gjatësisë së tyre, përshkruajnë objektet që përfaqësojnë, ishin pothuajse me siguri ndër fjalët e para të folura. Ndonjë shembull? “Boom” dhe “Crack” për të emërtuar rrufe dhe diçka që thyhet, për atë që gërhet, për të thënë se je i mërzitur, riprodhimi me buzë i zhurmës së valëve të detit apo erës për të treguar këto elemente. Në rastin kur janë përdorur fjalë të strukturuara, pra jo vetëm onomatopeike, është përdorur bashkimi i dy termave: rosa e egër, për shembull, mund të quhet “zog uji”. / Focus – Bota.al

Back to top button