Rrjetet sociale shpesh shihen si pasqyrë e mizorisë njerëzore. Një burrë krijoi në TikTok një ushtri prej 500 000 ndjekësish për ta ndryshuar këtë. Arma e tyre: mirësia.

Çdo ditë, Laura Tigeleiro, nga Staten Island i Nju-Jorkut, hapte TikTok-un dhe përballej me një det urrejtjeje. «Të gjithë talleshin me syrin tim», thotë ajo.
Tigeleiro vuan nga skleroza e shumëfishtë, një sëmundje autoimune që ka bërë që njëri prej syve të saj blu depërtues të anohet anash. «Doja vetëm të ndaja receta të shëndetshme dhe ndoshta të bëja disa miq», thotë ajo. «Por ata thoshin gjëra të tmerrshme. Më lëndonte vërtet.» Pastaj, marsin e kaluar, telefoni i saj u mbush papritur me njoftime dhe gjithçka ndryshoi.
Njëra nga videot e saj ishte bërë virale, duke marrë mbi 15 000 komente dashamirëse. «Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte. Isha e shtangur», thotë Tigeleiro. Disa ditë më vonë e zbuloi: ajo ishte vënë në shënjestër të Kindness Mob — «Turmës së Mirësisë».
Kindness Mob është një kanal në TikTok i drejtuar nga Tyler Brickley, specialist i marketingut digjital nga Kansas City në SHBA, i cili e nisi projektin në vitin 2023. «Është një formë trollimi», thotë ai. Çdo ditë, Brickley i orienton gjysmë milioni ndjekësit e tij drejt dikujt që po bullizohet ose po lihet në harresë dhe u kërkon ta mbushin me komente dashamirëse. «Po i marrim mekanizmat e ngacmimit në internet», si koordinimi dhe anonimiteti, dhe po i përdorim për të bërë mirë. «Dhe duhet ta them: funksionon.»
Këtu ka diçka më interesante sesa thjesht njerëz që sillen mirë. Kur turma ndërhyn, bullizmi shpesh ndalet, ndonjëherë përgjithmonë. Ky është një shembull i asaj që studiuesit e quajnë «teoria e përhapjes shoqërore», sipas së cilës sjelljet pozitive ose negative kalojnë nga njëri person te tjetri si një virus. Studiues të shquar më thonë se lëvizja e Brickley-t tregon se si mund ta ndryshojmë drejtimin jo vetëm të një platforme interneti, por ndoshta edhe të një kulture të tërë.
Mirësia si mision
«Kjo lloj sjelljeje në internet është e mrekullueshme, por sigurisht që na duhet më shumë», thotë Nicholas Christakis, profesor i shkencave shoqërore dhe natyrore në Universitetin Yale. «Është e mundur që kjo Turmë e Mirësisë po u krijon njerëzve mundësinë të hedhin hapat e parë drejt kontributeve më domethënëse që do të na duhet të japim, nëse duam të ndreqim mangësitë e shoqërisë sonë.»
«Më 1 janar 2023, po mendoja për vrullin që marrin sjelljet», thotë Brickley. «Më duket sikur shumë prej njerëzve që lënë komente negative nuk i mendojnë vërtet ato që shkruajnë.» Ata thjesht ndjekin turmën.
«Në atë çast më lindi ideja», thotë Brickley. «Mendova: po sikur të hap një kanal, të mbledh dhjetë veta në një klub të vogël dhe ta mbushim hapësirën e komenteve me pozitivitet, që ta ndryshojmë balancën?»
Dhjetë ishte një synim modest. Sipas përllogaritjeve të Brickley-t, ai ka organizuar 350 ndërhyrje të tilla dhe videot e përzgjedhura marrin mesatarisht nga 1 000 komente. Postimet më të suksesshme marrin dhjetëra mijëra komente ose më shumë dhe tërheqin miliona shikime. Në një ndërhyrje të kohëve të fundit mori pjesë edhe personazhi i famshëm Paris Hilton.
Shpesh, pjesëtarët e turmës zbulojnë se u pëlqen shumë llogaria që po «sulmojnë» dhe vazhdojnë ta ndjekin. Kjo ua ndryshon jetën njerëzve.
Renee Penick, një gjyshe nga Ohajo në SHBA, thotë se ndodhej pranë shtratit të të shoqit në spital kur mbërriti Turma. Kjo i dha forcë në një çast krize dhe krijoi një komunitet të tërë rreth videove të saj. Nocturne, një muzikante nga pjesa veriore e shtetit të Nju-Jorkut, thotë se turma i solli aq shumë admirues të rinj, sa tani po përgatitet të nisë një turne.
Pasi Brickley e drejtoi ushtrinë e tij te Tigeleiro, ajo fitoi aq shumë ndjekës të rinj, sa TikTok-u filloi ta paguante. Ajo thotë se fitoi mjaftueshëm para për t’i blerë familjes një makinë të re, për të cilën kishin shumë nevojë.
«Ëndërroja një jetë më të mirë dhe Tyler-i ma dha atë mundësi», thotë Tigeleiro. «Ia detyroj të gjitha atij, por ai nuk do të ishte dakord me këtë.»
Ndërkohë, Brickley bën çmos që personat e përzgjedhur nga Turma e Mirësisë të mos e kuptojnë se çfarë po organizohet. «Nuk jemi ne në qendër të kësaj historie. Synimi është të heqim pengesën, t’i largojmë të gjitha ato komente plot urrejtje, që përmbajtja e atij personi të mund të dalë në pah.»
Dhembshuria që përhapet
Kur njerëzit më flasin për anën e errët, aq të njohur, të botës në internet, e përshkruajnë atë si një pasqyrë: një sistem që thjesht pasqyron mizorinë e natyrshme të shpirtit njerëzor.
Megjithatë, Christakis thotë se ky është një interpretim i gabuar i asaj që ndodh në rrjetet sociale. «Po, ne njerëzit kemi evoluar edhe me prirjen për të gënjyer, për t’u ndarë në fise, për të qenë të ligj dhe për të dëmtuar të tjerët», thotë ai. «Por po aq kemi evoluar për të qenë të mirë; për të shfaqur dashuri, miqësi e mirësi dhe për t’u mësuar të tjerëve.»
Siç argumenton Christakis në librin e tij Blueprint: The Evolutionary Origins of a Good Society, «Plani: Origjina evolucionare e një shoqërie të mirë», këto cilësi të mira duhet të peshojnë më shumë se të këqijat në gjendjen tonë të natyrshme. Përndryshe, njerëzit do të kishin mësuar të jetonin të izoluar, jo në shoqëri ku janë vazhdimisht në kontakt me njëri-tjetrin.
«Rrjetet sociale i shfrytëzojnë këto cilësi të lashta, miqësore dhe bashkëpunuese», thotë ai, si duke mundësuar anonimitetin, ashtu edhe përmes algoritmeve që nxjerrin në pah konfliktin dhe përplasjet për të shtuar ndërveprimet dhe për të na mbajtur me sytë te telefoni.
Me fjalë të tjera, Christakis thotë se puna e Turmës së Mirësisë po anashkalon ndikimin e mbrapshtë të rrjeteve sociale dhe po nxit një mënyrë më «të natyrshme» e më të këndshme ndërveprimi. Në fund të fundit, shumica e të rriturve nuk do të hynin pa të keq në shtëpinë e një të panjohuri për t’i fyer pamjen, siç bëjnë kaq shumë njerëz në komentet e një videoje.
Kjo mund të sjellë edhe një varg pasojash të tjera pozitive. «Ne kemi treguar përmes eksperimenteve se mund të krijohen këto zinxhirë mirësie», thotë Christakis për kërkimet e tij. «Ti sillesh mirë me Susie-n, Susie sillet mirë me Betty-n dhe Betty sillet mirë me Tommy-n. Pra, mënyra si Betty e trajton Tommy-n varet nga mënyra si ti e trajtove Susie-n, edhe pse as ti dhe as unë nuk kemi ndërvepruar ndonjëherë me Betty-n apo Tommy-n.»
Në një internet që mund të duket i mbushur me ligësi, Christakis thotë se Turma e Mirësisë ka gjetur një zgjidhje që mbështetet nga shkenca. Kur njerëzit ndalojnë së polemizuari me trollët dhe, në vend të kësaj, krijojnë lidhje me njëri-tjetrin, studimet tregojnë se trollët mund ta ndryshojnë sjelljen.
Megjithatë, dikush duhet ta mbajë barrën e organizimit të gjithë kësaj mirësie.
Rraskapitja nga mirësia
Në shtator të vitit 2025, numri i ndjekësve të Brickley-t u rrit menjëherë nga 30 000 në 200 000. «Ishte shumë emocionuese», thotë ai, por kjo pati edhe një kosto. «Një ditë po shikoja telefonin dhe mendova: thjesht nuk mund ta bëj më këtë.»
Projekti nuk sjell fitime të mëdha. TikTok-u i paguan llogaritë me shumë ndjekës, por Brickley thotë se në gusht fitoi vetëm 39 dollarë. Ajo që e shtyn përpara është ndjenja e përgjegjësisë personale.
Çdo ditë, përmes një formulari në faqen e internetit të Turmës së Mirësisë, ndjekësit propozojnë nga 20 deri në 100 persona që mund të përfitojnë nga ndërhyrjet e saj. Por vëmendja e publikut është e kufizuar dhe Brickley organizon vetëm një ndërhyrje në ditë.
«Kjo do të thotë se çdo ditë më trokasin në derë 20 njerëz», thotë Brickley, të gjithë duke vuajtur nga mizoria e qëllimshme e të tjerëve. «Dhe mua më duhet t’u them jo 19 prej tyre, ndërsa ditën tjetër vijnë edhe 20 të tjerë.» Në fund, barra u bë aq e rëndë, sa atij iu desh të bënte disa muaj pushim.
Për ta lehtësuar disi ngarkesën emocionale, Brickley-t iu desh ta ndryshonte mënyrën si e shihte projektin. Nuk mund ta ndihmonte drejtpërdrejt çdo njeri në nevojë, por turma mund të zgjidhte një person çdo ditë dhe ta kthente atë rast në një mësim për të tjerët. Ai organizoi gjithashtu disa vullnetarë për të ndarë punën logjistike.
«Kam dy dhjetëvjeçarë që e studioj profesionalisht kulturën e internetit dhe nisma si kjo kanë një jetëgjatësi shumë të kufizuar», thotë profesoresha Alice Marwick, drejtoreshë e kërkimit në Institutin Kërkimor Data & Society. «Zakonisht, personi që qëndron pas tyre rraskapitet brenda një ose dy vjetësh dhe nisma shuhet.»
Platformat e rrjeteve sociale mbajnë një përgjegjësi të madhe për sjelljen e përdoruesve, thotë Marwick, por nuk mund t’ua hedhësh fajin vetëm algoritmeve.
«Ajo që na duhet është një ndryshim më i gjerë i normave shoqërore për mënyrën si i trajtojmë njerëzit në internet», thotë ajo. «Më pëlqen ideja e përhapjes së sjelljeve që u bëjnë mirë të tjerëve në internet. Nëse kjo do të sjellë apo jo një ndryshim të ndjeshëm, mbetet për t’u parë.» / BBC.com – Bota.al