Psikologji

Dy gjërat më të padurueshme? Gënjeshtrat dhe mashtrimet

Nuk ka gjë më të padurueshme se gënjeshtrat dhe mashtrimet e njerëzve. Që të dyja janë në gjendje të shkatërrojnë çdo marrëdhënie njerëzore, sepse e keqja më e madhe e tyre, është se nuk na vijnë nga armiqtë tanë, apo nga ata që nuk i njohim. Ato vijnë prej atyre që i njohim dhe u besojmë, ndaj dhe dhembin më tepër.

Kur na gënjejnë, e keqja nuk qëndron tek gënjeshtra, por tek ajo çfarë shkakton gënjeshtra tek ne. Kur një ndjesi kaq e rëndësishme sa besimi thyhet, diçka brenda nesh vdes. Kjo sepse ne nuk mund t’i besojmë më njësoj atij që na gënjen, madje do të dyshojmë edhe për të vërtetat më të mëdha që mund të na thotë ai person. Gënjeshtrat dhe mashtrimet janë zgjedhje dhe jo cilësi të lindura të personalitetit. Madje, ekzistojnë persona profesionistë në këtë art dhe i gënjejnë të gjithë në mënyrë të pabesueshme.

Ndonjëherë ato justifikohen si mjete të gabuara për të arritur qëllime të mira. Këto quhen ndryshe gënjeshtra të bardha, sepse vërtet mjeti është gënjeshtra, por ajo mund të thuhet për një qëllim të mirë. Por duke qenë se e mira dhe e keqja janë subjektive dhe varen nga këndvështrimi i çdo personi, ato ndonjëherë nuk pranohen dhe aq lehtë.

Ajo që i bashkon gjithë gënjeshtrat, është se me kalimin e kohës çdo gjë zbulohet. Gënjeshtrat dhe mashtrimet kanë gjithmonë një datë skadence, sepse ato kanë nevojë për shumë rrethana që të qëndrojnë të forta përgjithmonë. Kur këto rrethana mungojnë, siç ndodh gjithmonë, bëhet e pamundur për gënjeshtarin apo mashtruesin që t’i menaxhojë gjithë gënjeshtrat që ka thënë.

Gënjeshtrat dhe mashtrimet janë dy shkatërruesit më të mëdhenj të shpirtit. Të tradhëtosh personat që të duan, është veprimi më i shpifur që mund të bëjë kushdo. Dhe mbi të gjitha, është e vështirë të falet një gënjeshtër, kur ajo shkatërron gjithë “botën” e krijuar brenda nesh.

Personi i gënjyer është një person i lënduar. Është dikush që e ka humbur rrugën e tij të jetës, që ka humbur busullën e tij, që nuk do ta pranojë të vërtetën dhe që mendon së është treguar gjithë kohës si budalla. Është një person i lënduar që plagët e marra duhet t’i shërojë i vetëm. Me kalimin e kohës, ai person e merr veten dhe çdo gjë e shndërron në një kujtim të shëmtuar. Është pikërisht ky momenti kur nisin të shërohen vërtet dhimbjet dhe të vlerësohet akoma më tepër besnikëria tek njerëzit përreth. Kalimi i një faze të tillë të jetës kërkon kohë, ndaj fillimisht duhet të falim veten tonë dhe të ndalojmë së torturuari veten për mendimet që kemi rreth gjërave që mund t’i shmangnim.

Vetëm në këtë mënyrë mund të gjejmë paqe dhe të besojmë sërish. Nëse në një rast të caktuar dikush të bën keq, mos mendo se të gjithë janë njësoj. Kjo është njësoj si të mendosh se, pasi ke fituar një herë llotarinë, do ta fitosh gjithmonë që do të blesh bileta. Mos e lëndo veten tënde dhe fal, sepse mungesa e ndershmërisë së dikujt është mënyra më e mirë që të mëson të rritesh dhe të zgjedhësh personat e duhur rreth vetes. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button