Shkence

E ardhmja jonë transparente

Asnjë sekret nuk është i sigurt në moshën dixhitale. Implikimet për institucionet tona janë të natyres darviniane

Nga Daniel C. Dennett dhe Deb Roy

Scientific American

Screen Shot 2015-03-02 at 1.49.07 PM

 

Më shumë se gjysmë miliardë vjet më parë, ndodhi një hov krijues spektakolar i inovacionit biologjik, i quajtur shpërthimi kambrian. Brenda një “çasti” gjeologjik, prej disa milionë vjetësh, organizmat zhvilluan forma të habitshme të reja të trupit, organe dhe strategji të reja të grabitjes, dhe mbrojtjes kundër grabitësve.

Biologët evolucionistë nuk bien dakord mbi atë çka e shkaktoi këtë valë mrekullish. Por një hipotezë, veçanërisht imponuese, e artikuluar nga zoologu Endrju Parker i Universitetit të Oksfordit, thotë se shkaku ishte drita. Parker, mendon se rreth 543 milionë vjet më parë, kimia e oqeaneve të cekëta dhe atmossferës papritmas ndryshoi, duke u bërë shumë më transparente.

Asokohe, e gjithë jeta e kafshëve ishte e kufizuar nëpër oqeane, dhe sa më shpejt që drita filloi të depërtonte në të, shikimi u bë truku më i mirë nën det. Shikimi evoluoi me shpejtësi, e po kështu bënë edhe sjelljet e mekanizmat, që iu përgjigjën atyre.

Ndërsa para gjithë kësaj, perceptimi ishte i përafërt, nga kontakti ose nga dallimet, që ndjeheshin tek përqëndrimi kimik apo presioni i dallgëve, tashmë kafshët mund të identifikonin dhe të gjurmonin gjëra në distancë. Grabitqarët, mund të sillnin në shtëpi gjahun e tyre;preja mund të shihte grabitqarin teksa afrohej, duke ndërmarrë veprime të paqarta.

Bartja, është një punë e ngadaltë dhe idiote, derisa ju keni sy që ju drejtojnë, dhe vetë sytë janë të padobishëm, nëse ju nuk mund të angazhoheni në këtë bartje Kështu që perceptimi dhe veprimi evoluan së bashku si në një garë speciesh. Kjo garë, solli edhe diversifikimin themelor të pemës së jetës, që kemi edhe sot. Hipoteza e Parkerit për shpërthimin Kambrian, ofron një paralele të shkëlqyer, për të kuptuar një fenomen të ri, në dukje pa shumë lidhje: përhapjen e teknologjisë digjitale. Edhe pse zhvillimi i jashtëzakonshëm në teknikën e komunikimit, e ka transformuar botën tonë, shumë herë në të kaluarën – shpikja e shkrimit që sinjalizoi fundin e prehistorisë; shtypi që përçoi valët e ndryshimit nëpër të gjitha institucionet shoqërore – teknologjia digjitale do të kishte një ndikim më të madh, se çdo gjë që ka ardhur më parë.
Ajo do të rrisë aftësitë e disa individëve dhe organizatave, ndërsa do trazojë aftësitë e të tjerëve, duke krijuar shanse dhe rreziqe, që vështirë se mund të mendoheshin një brez më parë. Nëpërmjet mediave sociale, interneti ka vënë mjetet globale të komunikimit në duart e individëve. Një kufi i ri i egër ka shpërthyer. Shërbime të tilla si YouTube, Facebook, Twitter, Tumblr, Instagram, WhatsApp dhe SnapChat, kanë gjeneruar media të reja në një nivel të krahasueshëm me telefonin apo televizionin. Dhe shpejtësia me të cilën këto media po zhvillohen, është me të vërtetë shqetësuese. Inxhinierëve iu deshën dekada për të zhvilluar dhe vendosur rrjetet telefonike dhe televizive, kështu që organizatat kishin kohë për t’u përshtatur. Sot një shërbim i mediave sociale, mund të zhvillohet me javë, dhe qindra miliona njerëz mund të jenë duke e përdorur atë brenda pak muajsh. Ky ritëm intensiv i inovacionit nuk u jep organizatave kohë për t’iu përshtatur një mediumi, para ndryshimit të ardhshëm.

Ndryshimi i madh në botën tonë, i shkaktuar nga kjo “përmbytje” e mediave, mund të përmblidhet me një fjalë: transparencën. Ne tani mund të shohim më tej, më shpejtë, më lirë dhe më lehtë se kurrë më parë. Dhe ju dhe unë mund të shohim, se të gjithë mund të shohin atë që ne shohim, në një sallë interaktive, me pasqyrimin e njohurive të ndërsjella, që si na mundësojnë, ashtu edhe na pengojnë.

Loja e vjetër e kukafshehtit, që ka formësuar të gjithë jetën tonë në këtë planet, ka ndryshuar papritmas fushën, pajisjet dhe rregullat e saj. Lojtarët, të cilët nuk mund të përshtaten, s’mund të rezistojnë gjatë. Ndikimi tek organizatat dhe institucionet tona, do të jetë i thellë. Qeveritë, ushtritë, kishat, universitetet, bankat dhe kompanitë, të gjitha evoluan për të lulëzuar në një mjedis relativisht të errët epistemologjik, në të cilën shumica e njohurive ishte lokale, sekretet ruheshin lehtë, dhe individët ishin, nëse jo të verbër, dritëshkurtër.

Kur këto organizata, papritmas e gjetën të ekspozuar veten ndaj dritës së diellit, ato shpejt zbuluan se s’mund të mbështeten tek metodat e vjetra, porse duhet t’i përgjigjen transparencës së re ose të zhduken. Ashtu si një qelizë e gjallë, që ka nevojë për një membranë të efektshme, për të mbrojtur makinerinë e vet të brendshme nga peripecitë e botës së jashtme, edhe organizatat njerëzore, kanë nevojë për një rrjetë mbrojtëse, mes punëve të tyre të brendshme dhe botës publike. Në një kohë që edhe ndërlidhjet e vjetra, po e humbin efektivitetin e tyre.

Kthetrat, nofulla dhe lëvozhga

Në librin e tij, të botuar në vitin 2003 “Në dritën e një syri”, Parker argumenton se pjesa e jashtme dhe më e fortë e trupit të faunës, i përgjigjet më drejtpërsëdrejti përzgjedhjes, që detyroi presioni i shpërthimit kambrian. Transparenca e papritur e deteve, çoi në shfaqjen e retinës në formën e një kamere, të cilat nga ana e tyre, bënë një përshtatje të shpejtë me kthetrat, nofullat, lëvozhgat dhe pjesët e tjera mbrojtëse të trupit.

Gjithashtu edhe sistemet nervore evoluan, ndërsa kafshët zhvilluan sjellje të reja grabitqare, dhe si kundërpërgjigje, metodat e mashtrimit dhe maskimit. Për krahasim, ne mund të presim që organizatat t’i përgjigjen presionit të transparencës, të ushtruar nga rrjetet sociale, me përshtatjen e pjesëve të tyre të jashtme të trupit. Përveç organeve që ata përdorin për të ofruar mallra dhe shërbime, këto pjesë të trupit përfshijnë organet e kontrollit të informacionit dhe vetë-prezantimit: për shembull marrëdhëniet me publikun, marketingu dhe departamentet ligjore.

Këtu, ne mund të shohim më drejtpërdrejti, ndikimin e transparencës. Nëpërmjet rrjeteve sociale, thashethemet dhe opinionet, tanimë përhapen në të gjithë globin, brenda disa ditësh nëse jo orësh. Marrëdhëniet publike dhe departamentet e marketingut, përballen me kërkesa të reja “për t’iu bashkuar bisedës” – për t’iu përgjigjur individëve, sipas kushteve të tyre, në mënyrë të kuptueshme, të ndershme dhe bisedore.

Organizatat, të cilat kanë nevojë për javë apo muaj, për të zhvilluar strategji të komunikimit, të ndarë në departamente ligjore të ngathët, do të shkojnë shumë shpejt drejt rrënimit. Zakonet e vjetra, duhet të rishikohen, ose çdo lloj organizate do të dështojë.

Qasja më e lehtë tek të dhënat, ka mundësuar forma të reja të komentit publik, të bazuar në vëzhgimet empirike gjithëpërfshirëse. Gazetari i të dhënave, Nejt Silver, e tregoi këtë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012 në SHBA. Ndërsa disa media, u angazhuan të tregonin se “përse kandidati ynë do të fitojë”, bazuar tek të dhënat e sondazheve, Silver na dha një shpjegim, bazuar tek të gjitha të dhënat e votimit. Jo vetëm që parashikoi me saktësi të çuditshme fituesin, por Silver e ndau metodologjinë e tij me publikun, duke eliminuar ndërkaq çdo dyshim se ai thjesht pati fat. Me sondazhet publike gjithnjë e më shumë në dispozicion, agjensitë e lajmeve dhe analistët politikë, që tjerrin histori të bazuara tek selektiviteti, do të kenë tashmë, një jetë gjithnjë e më të vështirë. Prodhimi i mallrave të konsumit përballet me një sfidë të lidhur ngushtë. Kritikat mbi produktet dhe shërbimet, janë duke ndryshuar balancën e pushtetit, mes konsumatorëve dhe kompanive. Përpjekjet e një marke të fuqishme humbasin ndikimin kur opinionet e konsumatorëve të tjerë, bëhen më të plotfuqishme.

Kompanitë e përgjegjshme po mësojnë t’i përgjigjen shpejt dhe publikisht ankesave dhe komenteve negative. Dhe në qoftë se kritikat janë në shumicën dërrmuese negative, zgjidhja e vetme, është të ndryshosh, ose ta hedhësh në plehra atë produkt. Të derdhësh para për marketingun e produkteve mediokre, nuk funksionon më.

Për grupe të vogla njerëzish, me vlera të përbashkëta, besime dhe synime – veçanërisht ata që mund të orientohen shpejt në mesin e një krize, duke përdorur kanale të përkohshme të komunikimit të brendshëm – do të jetë më mirë që t’i përgjigjen shpejt, hapur dhe në mënyrë më të përgjegjshme, kërkesave të reja të transparencës. Për të skicuar një kontrast me burokracitë e mëdha, të organizuara në mënyrë hierarkike, ne mund t’i quajmë këto organizata “adokraci.” Ndërsa presioni për transparencë reciproke rritet, ne do të jemi dëshmitarë të evolucionit të marrëveshjeve organizative, që janë shumë më të decentralizuara, sesa organizatat e sotme të mëdha, ose do të verejmë se presionet darviniste do të zgjedhin organizatat më të vogla, duke lajmëruar epokën e organizatave “shumë të mëdha për të patur sukses”.

Sekretet jetëshkurtra

Anëtari i Gjykatës së Lartë në SHBA, Luis Brandeis, një kampion i hershëm i transparencës, citohet shpesh për këtë cështje. “Rrezet e diellit janë dizinfektuesit më të mirë” – shkroi ai dikur. Sigurisht, që ai kishte të drejtë, si metaforikisht, ashtu edhe fjalë për fjalë. Por nga ana tjetër, rrezet e diellit mund të jenë shumë të rrezikshme. Çfarë ndodh, nëse zelli ynë për pastrim, do të vrasë shumë “qeliza” miqësore? Po në lidhje me rrezikun e shkatërrimit të integritetit apo efektivitetit të organizatave, duke zbuluar faqe botës, shumë nga punët e tyre të brendshme?

Brandeis, ishte një armik i betuar i sekretit. Ai me sa duket mendonte, sesa më transparente të bëheshin institucionet, aq më të mira do të jenë ato. Më shumë se një shekull më vonë, ne mund të shohim se fushata që ai e filloi, ka patur shumë suksese. Por pavarësisht retorikës tejet politike, rreth virtyteve të papërziera të transparencës, fshehtësia në sallat e pushtetit ende ruhet, madje edhe për arsye të mira.

Një perspektivë biologjike, na ndihmon të shohim se transparenca, është një bekim i përzier. Kafshët, madje edhe bimët, mund të shihet si agjentë me axhenda. Të vënë në dijeni nga organet e tyre shqisore, këta agjentë veprojnë, për të çuar më tej mirëqenien e tyre. Një organizatë njerëzore, është e ngjashme. Ajo është një agjent i përbërë, prej një numri të madh të punonjësish, që jetojnë pjesërisht si njerëz. Por, ndryshe nga qelizat, që përbëjnë bimët dhe kafshët, njerëzit kanë interesa më të gjera dhe aftësi perceptuese.
Një kafshë apo bimë nuk duhet të shqetësohet për qelizat e saj, që hidhen lart e poshtë, apo nisin një kryengritje. Përveçse në rastin e kancerit, qelizat përbërëse të formave të jetës shumëqelizore, janë të gatshme të mësojnë e të sillen si skllevër të bindur. Përkundrazi, njerëzit janë individualisht të fuqishëm, dhe intensivisht kuriozë për botën e gjerë.
Por nuk ka qenë përherë kështu.
Në kohët e hershme, diktatorët mund të sundonin qetësisht prapa mureve të larta, duke u mbështetur tek organizatat hierarkike, të përbëra nga funksionarë me njohuri shumë të kufizuara mbi organizatën, në të cilën ata ishin pjesë, dhe madje edhe me pak informacion për gjendjen e botës, afër apo larg tyre.
Kishat, kanë qenë veçanërisht të afta në ndrydhjen e kureshtjes së anëtarëve të tyre, mbajtjen e tyre të painformuar ose dezinformuar, në lidhje me pjesën tjetër të botës, duke ruajtur një vel misteri, mbi operacionet e brendshme, historitë, financat dhe qëllimet. Ushtritë, kanë përfituar gjithmonë nga mbajtja sekrete e strategjive të tyre, jo vetëm nga armiku, por nga trupat e veta.

Ushtarët që mësojnë para kohe nivelin e pritshëm të aksidenteve gjatë një operacioni, nuk do të jenë aq efektivë, sa ata që mbeten të pavëmendshëm, ndaj fatit të tyre të mundshëm. Për më tepër, në qoftë se një ushtar i painformuar kapet, ai do të ketë një informacion pak të vlefshëm, që mund t’i nxirret gjatë marrjes në pyetje.

Një nga parimet themelore të teorisë së lojës, është që lojtarët duhet të mbajnë sekrete. Një agjent, që i zbulon “gjendjen” e tij një agjenti tjetër, ka humbur pak autonomi të vlefshme, dhe është në rrezik për t’u manipuluar. Për të konkurruar në mënyrë të drejtë, në një treg të hapur, prodhuesit kanë nevojë të mbrojnë recetat që përdorin, planet e tyre të zgjerimit, dhe informacione të tjera mbi pronën e tyre. Shkollat dhe universitetet duhet të mbajnë provimet e tyre sekret, derisa nxënësit të marrin në dorë tezën e pyetjeve. Presidenti Barak Obama, premtoi një epokë të re të transparencës së qeverisë, por pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme, fusha të mëdha të sekretit dhe privilegjeve qeveritare zbatohen më fuqishëm se kurrë më parë. Kështu duhet të jetë.

Për shembull, statistikat ekonomike, duhet të mbahen sekret, derisa ato të shpallen zyrtarisht, për të parandaluar shfrytëzimin e brendshëm. Një qeveri ka nevojë për një “fytyrë pokeri”, për të kryer aktivitetet e saj, por transparenca e re e bën këtë më të vështirë se kurrë më parë.

Zbulimet e Eduard Snoudenit, për punët e brendshme të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, dëshmuan sesi në epokën e transparencës, një informator i vetëm ose urith, mund të shkatërrojë një organizatë të madhe.

Ndonëse Snouden, përdori organizatat tradicionale të lajmeve, për rrjedhjen e informacionit, reagimi në mediat sociale dhe përforcimi, siguroi se historitë e lajmeve nuk do të vdisnin, duke ushtruar presion mbi NSA dhe qeverinë federale, për të vepruar. Në kundërpërgjigje, “lëkura” e jashtme e NSA-së, ishte përshtatur në mënyrë dramatike.

Fakti i thjeshtë se agjencia e mbrojti publikisht veten kundër akuzave të Snoudenit, ishte i papreçedentë për një organizatë që prej një kohe të gjatë ka ruajtur një fshehtësi të plotë të aktivitetit të saj. Shanset e mëdha brenda organizatës janë të pashmangshme në varësi të asaj se çfarë lloje sekretesh, do të jenë në gjendje për ta bërë këtë botë më transparente.

Sikurse Xhoel Brener, ish-këshilltari i lartë i NSA, reflekton mbi ndryshimin e papritur të mjedisit operativ të agjencisë në dhjetor 2013, në një panel të organizuar në “MIT Media Lab”: “Shumë pak gjëra do të jenë të fshehta në të ardhmen. Dhe ato gjëra që sot mbahen të fshehta, nuk do të qëndrojnë më gjatë të tilla…. Qëllimi i vërtetë i sigurisë tani, është për të vonojë degradimin e sekreteve jetëshkurtra. Sekretet janë si izotopet” – tha ai.

Si optimistë që jemi, do donim të besonim, se kjo periudhë e turbullt, do të na shtyjë drejt organizatave të përafruara më mirë me kodet morale të shoqërisë civile, dhe me mënyra të fuqishme e të reja, për të korrigjuar sjelljet organizative devijante. Por ne s’mund të përjashtojmë një dobësim të përhershëm të organizatave tona të inteligjencës, çka do të mpakë aftësitë e tyre për të identifikuar kërcënimet.

Informacione pa vlerë

Në garën evolucionare mes specieve, fauna Kambriane shpiku një mori masash evazive dhe kundërmasash, dhe ky arsenal mashtrimesh është rritur prej atëhere. Kafshët kanë zhvilluar maskimin, klithmat dhe gjestet alarmuese, për të paralajmëruar afrimin e kërcënimeve, shenja të ndritshme që i njoftojnë ata se grabitqarët e mundshëm janë helmues.

Transparenca e re do të çojë në një përhapje të ngjashme të mjeteve dhe teknikave për luftën e informacionit: fushatat për të diskredituar burime, grevat parandaluese, ngacmimet etj. Natyra ka frymëzuar më parë, për armatime dinake. Reja e bojës, e lëshuar nga cefalopodët, që po i iknin një grabitqari, u rishpik gjatë luftës ajrore, si një informacion konfuz, për të ngatëruar radarët apo si një mjet për të tërhequr në rrugë të gabuar raketat.

Ne mund të parashikojmë futjen e informacionit të pavlerë. Nga ana tjetër, ai do të depërtojë shpejt tek motorët më të sofistikuar të kërkimit, duke provokuar gjenerimit e informacioneve pa vlerë, në dukje gjithnjë e më bindëse. Skemat e kriptimit dhe dekriptimit, do të vazhdojë të riprodhohen, në një kohë që edhe organizatat apo individët, do të luftojnë për të ruajtur privatësinë dhe reputacionin e tyre.

Specializimi i organizatave

Një lidhje përfundimtare e analogjisë sonë Kambriane, është se ne së shpejti, duhet të dëshmojmë një diversifikim të madh të llojeve të organizatave. Kjo nuk ka ndodhur ende, por mund t’i shohim që tani shenjat fillestare. Në SHBA, një lloj i ri korporatash, B Corp, është krijuar kohët e fundit, për të njohur sipërmarrjet mbi nevojën e pasjes së linjave të dyfishta të përfitimit dhe qëllimit social.

Google dhe Facebook, e thyen traditën, me miratimin e të drejtave

jashtëzakonisht të fuqishme të votimit për themeluesit e tyre, duke ia nënshtruar publikut kompanitë tregtare të cilat mbeten të kontrolluara privatisht, e duke bërë të mundur që themeluesit e rinj në kompanitë e tyre të veprojnë në bazë të planeve të tyre afatgjata, me një indiferencë relative ndaj tekave 3-mujore të Uoll Stritit. Protestat e organizuara gjatë Pranverës Arabe, të aktivizuara nga mediat sociale dhe të pakrahasueshme në kombinimin e tyre, për shkallën dhe shpejtësinë e informacionit, janë ndoshta edhe një lloj i ri (dhe kalimtar), i organizatës njerëzore. Koha do ta tregojë, por duket se ne mund të jemi në majë të një degëzimi radikal të pemës organizative të jetës.

Shpejtësia, me të cilën transparenca do të formësojë një organizatë, varet nga qoshja e saj ngrohtë dhe konkurruese. Shoqëritë tregtare, janë më të ekspozuara ndaj efekteve të opinionit publik, sepse konsumatorët mund të ndryshojë lehtësisht alternativën. Nëse lihet pas dore, një markë e preferuar nga komsunatorët prej një kohe shumë të gjatë, mund të lihet në hije brenda një muaji.

Kisha dhe kampionatet sportive, janë disi më të mbrojtura, për shkak të shprehive të rrënjosura thellësisht nga ana kulturore, dhe efektet e rrjetit të besimtarëve besnikë, apo edhe tifozëve sportivë. Por abuzimi me fëmijët apo dëmtimet në kohë, që në heshtje godasin edhe brezat e epokës së para internetit, dalin mbi sipërfaqe, nën shkëlqimin verbues të transparencës së ndërsjellë. Madje edhe kishat më “trime” dhe kampionatet sportive, duhet të përshtaten ose zhduken.

Më të mbrojtur nga presionet e menjëhershme evolucionare janë sistemet e qeverisë. Protestat e ushqyera nga mediat sociale, mund të rrëzojnë sundimtarët dhe shembin partitë në pushtet, por organet themelore të shtetit, kanë tendencë për të ekzistuar relativisht të patrazuara nga ndryshimet në udhëheqjen politike. Makineria shtetërore përballet me më pak presion konkurrues, dhe për pasojë zhvillohet më ngadalë. Por edhe këtu, ne duhet t’i paraprijmë ndryshimeve të rëndësishme, sepse fuqia e individëve dhe të jashtmit do të shohin se organizata vetëm do të rritet.

Nën presionin popullor, qeveritë po i japin qasje rrjedhave të mëdha të të dhënave burimore, të prodhuara nga operacionet e tyre të brendshme. Së bashku me përparimet në analizën e modeleve në shkallë të gjerë, të dhënat e publikuara, dhe gazetarinë qytetare, ne jemi duke krijuar vatra të fuqishme të reagimit social, që do të përshpejtojnë transparencën e organizatave.

Ka një aspekt të vetëkufizimit, në këtë zhvillim të ri të rendit njerëzor. Ashtu si kolonitë e milingonave mund të bëjnë gjëra, që milingonat e veçanta nuk mundin, edhe organizatat njerëzore, mund të kapërcejnë aftësitë individuale, duke i dhënë hov kujtimeve mbinjerëzore, besimeve, planeve, aksioneve dhe ndoshta edhe vlerave mbinjerëzore.

Megjithatë për mirë apo për keq, ne jemi në kursin evolucionar për të penguar që organizatat tona mbinjerëzore të mbajnë përgjegjësi për standardet individuale të njeriut. Kjo dinamikë vetë-rregulluese, e mundësuar nga aftësitë e përshpejtuara komunikuese të makinës njerëzore, është po aq unike sa vetë llojit ynë i gjuhës njerëzore. / Scientific American/

a.g./www.bota.al

Screen Shot 2015-03-02 at 1.52.02 PM

Leave a Reply

Back to top button