Ekonomi

E dashur Greqi! Lufta e Dytë Botërore mori fund 70 vjet më parë

Për shumë gjermanë bashkëkohës, lufta është një histori e largët. “A nuk ka frikë Greqia, që është kaq krenare për Aleksandrin e Madh, se mos i kërkojnë dëmshpërblime për luftërat e tij”, shkruante me shpoti Reinhard Mueller tek Frankfurter Allgemeine Zeitung

Tsipras: Disa njerëz na thonë – përse merreni me të shkuarën, shihni nga e ardhmja. Po cili vend, cili popull ka një të ardhme nëse nuk nderon historinë dhe betejat e tij? Cili popull mund të ecë përpara, duke fshirë kujtesën kolektive dhe duke i lënë betejat dhe sakrificat e tij të pajustifikuara historikisht? Në të vërtetë, nuk ka kaluar shumë kohë që atëherë, zonja dhe zotërinj. Brezi i Pushtimit dhe i Rezistencës Kombëtare është ende gjallë…

Leonid Bershidsky

Screen Shot 2015-03-13 at 4.43.38 PM

Kërkesa e Greqisë për dëmshpërblime nga Gjermania, për dëmet që kjo i ka shkaktuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, të përmendura sërish këtë javë gjatë një fjalimi emocional të Kryeministrit Alexis Tsipras, mund të ketë ose mund të mos ketë bazë ligjore, por ajo gjithësesi ngre një pyetje të rëndësisihme: Kur do të pushojë më në fund Europa, së luftuari Luftën e Dytë Botërore?

Pretendimi për 162 miliardë Euro, si kompensim për dëmin që i është bërë infrastrukturës në Greqi gjatë luftës, si dhe një hua e detyruar që Banka Kombëtare e Greqisë i dha Gjermanisë së Adolf Hitlerit i përket kohëve shumë më parë se të vinte qeveria e majtë e Tsiprasit. Greqia e ringjalli si temë në vitin 2012, në një kohë kur qeveria e këtij vendi kishte pranuar në dukje programin e reformave ekonomike, që i ishte imponuar prej Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Atëherë, ashtu si sot, qeveria greke po kapej pas fijes së kashtës, teksa përpiqej të siguronte hapësirë manovrimi përballë huadhënësve të saj.

Gjermania e ka hedhur poshtë me forcë këtë pretendim. Ajo argumenton, së pari, se i ka paguar tashmë 115 milionë Deutsche Marka Greqisë në vitin 1960 dhe se marrëveshja dypalëshe e firmosur në atë kohë e mbronte nga pretendime të mëtejshëm; dhe së dyti, që i ashtuquajturi Traktati Dy-Plus-Katër i firmosur në vitin 1990 nga dy palët e Gjermanisë dhe katër aleatët kryesorë të koalicionit kundër Hitlerit – SHBA, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – vendosi zgjidhjen përfundimtare të të gjithë çështjeve të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, dhe që çdo pretendim i mbetur duhej të parashtrohej që atëherë.

Tsiprasi e hedh poshtë këtë interpretim. Sipas tij, traktati i Londrës i vitit 1953, sipas të cilit më shumë se gjysma e borxhit të Gjermanisë Perëndimore u anulua nga vendet përfshirë Greqinë, e shtyu çështjen e dëmshpërblimeve deri në bashkimin e Gjermanive. Në fjalimin e tij Tsiprasi tha: “Ribashkimi i dy Gjermanive ka krijuar kushtet e nevojshme ligjore dhe politike, me qëllim zgjidhjen e çështjes, por qeveritë gjermane që atëherë kanë zgjedhur heshtjen, marifetet ligjorë, shtyrjen e afateve dhe taktikat e vonesës. Dhe, zonja e zotërinj, unë pyes veten: a është kjo sjellje vërtetë etike?”

Ligji për këtë temë është tejet i mjegullt. Marrëveshja e Parisit e vitit 1946, për dëmshpërblimet që duhej të paguante Gjermanisë i jepte Greqisë një pjesë për riparimet e pasluftës, të paguara kryesisht përmes shpërndarjes së pronave dhe pajisjeve gjermane dhe mbulonte të gjithë pretendimet “kundër ish qeverisë gjermane dhe institucioneve të saj, të një natyre qeveritare apo private, që ishin shkaktuar nga lufta (e që nuk parashikohet ndryshe), duke përfshirë kostot e pushtimit gjerman, kreditë e dhëna gjatë pushtimit dhe pretendimet për Reichskreditkassen”. Eshtë e paqartë nëse për pretendimet e Greqisë “është parashikuar ndryshe” – për shembull, të jenë pezulluar formalisht deri kur Gjermania të firmoste një marrëveshje përfundimtare paqeje – apo nëse pjesa e dëmshpërblimeve për Greqinë është paguar e gjitha përpara vitit 1990.

Të dy versionet kanë mbështetës të fortë në Europë – madje edhe në Gjermani – dhe të dy palët mund të argumentojnë për këtë gjë pa u lodhur. Nëse Athina do e çonte ndonjëherë çështjen në gjyq – gjë që mund ta bëjë – debati do të vazhdonte në gjykatë. Procesi do të zgjaste shumë dhe rezultati do të ishte i pasigurtë – një bast jo i sigurtë, pra, për Greqinë, një vend në prag të kolapsit financiar.

Për këtë arsye Tsiprasi po zgjedh gjuhën e etikës, jo të jurisprudencës. Por kjo gjë nuk i kënaq as homologët e tij gjermanë. “Ne duhet të përqëndrohemi në problemet aktualë dhe, me shpresë, në atë që do të jetë një e ardhme e mirë”, deklaroi zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.

Në fjalimin e tij, Tsiprasi e kishte bërë të qartë se nuk bie dakord: “Disa njerëz na thonë – përse merreni me të shkuarën, shihni nga e ardhmja. Po cili vend, cili popull ka një të ardhme nëse nuk nderon historinë dhe betejat e tij? Cili popull mund të ecë përpara, duke fshirë kujtesën kolektive dhe duke i lënë betejat dhe sakrificat e tij të pajustifikuara historikisht? Në të vërtetë, nuk ka kaluar shumë kohë që atëherë, zonja dhe zotërinj. Brezi i Pushtimit dhe i Rezistencës Kombëtare është ende gjallë. Dhe fotografitë dhe tingujt e torturave dhe ekzekutimeve në Distomo dhe Kaisariani, në Kalavrita dhe Viano, janë ende të freskët në kujtesën kolektive të popullit tonë”.

Në thelb, ky është një debat, nëse Lufta e Dytë Botërore i përket të kaluarës së afërt apo të largët – apo nëse lufta ka marrë vërtetë fund ndonjëherë. Nuk është i kufizuar në problemin e dëmshpërblimeve për Greqinë. Pjesa më e madhe e kritikave për udhëheqjen e Gjermanisë në Europën e sotme bazohet ende mbi supozimin që ajo nuk ka paguar për krimet e epokës së HItlerit. Fitorja e Bashkimit Sovjetik në “Luftën e Madhe Patriotike” është baza e ideologjisë neo-imperialiste të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe makineria ruse e propagandës vazhdimisht e krahason ushtrinë ukrainase me nazistët. Deputetët nacionalistë rusë kanë ngritur gjithashtu çështjen e dëmshpërblimeve që duhet të paguajë Gjermania, ndonëse në fakt Bashkimi Sovjetik përfitoi pjesën më të madhe të kapaciteteve industrialë luftarakë të Gjermanisë.

Për shumë gjermanë bashkëkohës, lufta është një histori e largët. “A nuk ka frikë Greqia, që është kaq krenare për Aleksandrin e Madh, se mos i kërkojnë dëmshpërblime për luftërat e tij”, shpotiste Reinhard Mueller tek Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Këta dallime nuk do të zgjidhen kur të ketë vdekur i fundmi i brezit të luftës. Në fund të fundit, njerëzit që debatojnë për këtë temë sot kanë lindur gjatë apo pas luftës. Dhe nuk ndihmon as fakti që komuniteti ndërkombëtar nuk ka rënë asnjëherë dakord për një statut të kufizimeve për krimet e luftës. Greqia, për shembull, nuk ka ratifikuar as Konventën Europiane, as atë të OKB-së për këtë temë (në fakt, por kjo është më e kuptueshme, as Gjermania nuk e ka ratifikuar).

Europianët duhet të pranojnë se është e pakuptimtë të ringjallin të këqiat e të kaluarës, në një kohë kur këto nuk qëndrojnë në rrënjë të telasheve të tyre. Luftërat mbarojnë, dhe në fund fitimtarët dhe të humburit shkojnë në rrugët e tyre. Rruga që Gjermania ndoqi pas luftës e ka çuar drejt suksesit ekonomik, ndërkohë që rruga që ndoqi Greqia e ka çuar tjetërkund.

“Një elitë politike hezituese, pa një vizion efikas reformash dhe një legjitimitet të brishtë e gjen veten duke luftuar beteja të prapavijës, në një përpjekje të dëshpëruar për t’i dhënë energji një kombi të dëshpëruar, edhe pse kjo nuk është se do të sjellë para në arkat e shtetit”, shkruante në vitin 2013 në lidhje me pretendimin e Greqisë për dëmshpërblimet, Vassilios Paipais, i Universitetit të St. Andreës në Skoci. Elita politike ishte e ndryshme atëherë, por Papais ka ende të drejtë: Tsiprasi dhe ekipi i tij duhet të kthehen në realitetin e sotëm dhe të pushojnë së humburi kohë me “grindjet” 70-vjeçare./BloombergView/

e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button