Një studim australian ka treguar se inteligjenca mund të jetë një faktor i vërtetë tërheqjeje më i fortë se bukuria, apo aspekti fizik. Ka shumë persona që tërhiqen nga një person tjetër prej aspektit fizik, por janë akoma më të shumtë ata që tërhiqen prej intelektit. Një studim i bërë në Universitetin e Ëestern në Australi ka treguar se inteligjenca është një faktor shumë i rëndësishëm tërheqjeje për një njeri mbi 10 vjeç. Kjo tregon se zgjedhja e partnerit/es bëhet më së shumti bazuar mbi aspektin intelektual të tyre. Studimi ka përfshirë 383 persona midis moshave 18 dhe 35 vjeç. Të gjithë vullnetarët janë vendosur të bisedojnë me persona të gjinisë së kundërt dhe më pas janë pyetur se kur kanë ndjerë më shumë dëshirë për të bërë muhabet, me ata që ishin të paraqitshëm, apo me ata që ishin të zgjuar. Rezultoi që ishin më të shumtë ata që pëlqenin muhabetin e bazuar në një nivel të lartë të inteligjencës. Nga ky këndvështrim, nuk u vu re asnjë diferencë mes meshkujve dhe femrave. Studiuesit kanë mbështetur idenë se inteligjenca është një nga faktorët më të dëshiruar të personalitetit.
Në vend të parë do të ishin mirësjellja dhe mirëkuptimi, të ndjekura nga një intelekt i spikatur që përfaqëson një pikë shumë të rëndësishme në zgjedhjen e partnerit/es. Këto faktorë kanë ekzistuar në vite, edhe pse kohët e fundit kanë ndryshuar disi, duke marrë parasysh që njohjet në kohët e sotme po bëhen më së shumti prej rrjeteve sociale. Mirëpo sërish duhet pranuar se të rinjtë ndiejnë më tepër kënaqësi dhe dëshirë për të folur me dikë që ofron më shumë nga plani intelektual, se sa nga plani fizik. E rëndësishme është të thuhet se të gjithë duhet të kuptojnë se aspekti fizik nuk është një pikë kyçe në njohjen e dikujt, pasi ajo mund të jetë thjesht e rëndësishme për të krijuar një ide të përgjithshme për personin përballë, por është raporti i ndërtuar në planin intelektual ai që ka më tepër rëndësi. Këtë gjë, e tregojnë edhe studimet, si ai i përmendur më sipër. / Bota.al
1 minute read