Analiza

E FRIKSHME? Kërcënimi nga dronët: Shumica e termocentraleve bërthamore në Francë duhen mbyllur

Nga Catherine Philips dhe Conor Gaffey

“Nuk nevojitet një sforco shumë e madhe, për të shkaktuar një avari tek një stacion bërthamor. Termocentrali ka energji të mjaftueshme për të shkatërruar vetveten. Dronët mund të përdoren pikërisht për këtë arsye”

Screen Shot 2015-02-25 at 6.29.19 PM

Me një thjeshtësi shkatërruese, Xhon Larxh shpjegon sesi dronët mund të përdoren për të koordinuar një sulm terrorist, mbi një stacion bërthamor. Si fillim, droni godet rrjetin e shpërndarjes së stacionit, duke i hequr objektin mundësinë për të fikur makineritë, duke e bërë kësisoj të ndërvarur nga gjeneratorët e tij me naftë për të ftohur reaktorin, i cili gjeneron deri në 1000 megavat energji, të mjaftueshme për të ndriçuar gjysmën e Parisit.
Pastaj gjeneratorët nxirren lehtësisht jashtë loje njëri pas tjetrit, nga një dron i vogël pa pilot. Larxh vlerëson se pa energji për të ftohur karburantin radioaktiv, do të duhen vetëm 30 sekonda, para se karburanti të fillojë të shkrijë, duke shkaktuar rrjedhjen e mundshme të mbetjeve bërthamore.
Është pikërisht kjo, ajo që ndodhi në fakt tek stacioni bërthamor i Fukushimas në Japoni, pasi u godit nga një cunami në mars të vitit 2011.
Por terroristi i mundshëm, nuk do të ketë nevojë të shkaktojë ndonjë tërmet. Mjaton vetëm të jetë i aftë të pilotojë me saktësi një dron të vogël, të ngarkuar me eksploziv. Vitin e kaluar u rregjistruan të paktën 13 raste të fluturimeve pa pilot mbi centralet bërthamore në Francë. Rasti më i fundit u raportua në 3 janar të këtij viti, kur dy avionë u panë tek fluturonin mbi një objekt bërthamor në Nogent-sur-Seine, në veri të vendit. Aktivistët ankohen se qeveria ka bllokuar çdo lloj informacioni të thelluar mbi këto raste.
Çuditërisht, nuk ka asnjë fotografi të dronëve të telekomanduar, pranë stacioneve bërthamore, një fakt që shkakton jo pak shqetësim në mesin e ekspertëve. “Nuk ka asnjë foto të vetme. Kjo është shumë shqetësuese” – thotë Zhan-Luk Fornie, kompania e të cilit projekton dhe ndërton drone, që zakonisht përdoren në industrinë e medias.
“Nëse do të kishim disa fotografi, mund të përcaktonim se cilët qëndrojnë pas atyre pajisjeve” -shton ai. Fornier sugjeron ndërkaq, se fluturimet që janë vërejtur, mund të kenë 3 shpjegime të mundshme: amatorët e pafajshëm, protestuesit anti-bërthamorë apo një akt i mirëfilltë terrorist. Agjencia Kombëtare Franceze e Kërkimeve, konfirmoi se Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes ka ofruar 1 milionë euro, për financimin e projekteve kërkimore në zbulimin, identifikimin dhe neutralizimin e dronëve të vegjël.
Sipas Larxh, një inxhinier konsulent në “Large & Associates”, me qendër në Londër, i cili është autorizuar nga dega e “Greenpeace” në Francë, për të vlerësuar dhe raportuar mbi fluturimet e dronëve, nga rreziku i “papranueshëm”, që vjen nga një sulm i mundshëm terrorist në shumë prej stacioneve të energjisë bërthamore të Evropës – duke përfshirë shumicën e atyre që ndodhen në Francë – ata duhet të mbyllen.
Ai ka këshilluar vende të botës, mbi sigurinë bërthamore dhe beson se qeveritë, duhet të rivlerësojnë balancën e rreziqeve dhe përfitimeve nga energjia bërthamore, pikërisht për shkak të rritjes së rrezikut prej terroristëve, që synojnë përmes hardware-ve modernë, të pilotojnë dronë pa pilotë.
“Nëse rreziku, që vjen nga lloji i projektimit, mosha dhe vendndodhja e një centrali bërthamor, është i papranueshëm, qeveritë duhet të marrin në konsideratë mbylljen e tyre. Për momentin, shumica e stacioneve bëthamore në Francë, nuk janë të pranueshëm. Stacionet në pjesën tjetër të Evropës, janë të vjetër, dhe ekzistenca e tyre ka nevojë të rishikohet në këtë këndvështrim” – thotë Larxh.
Për inxhinerin, ndalimi në bllok i dronëve, vetëm sa do të nxisë një rrjet ilegal të ndërtimit të tyre. Zgjidhja më e mirë për disa stacione mbetet të jetë mbyllja e tyre, në vend se të rrezikojnë shkaktimin e një katastrofe.
Franca prodhon rreth 75 përqind të energjisë elektrike, nga 59 reaktorë bërthamorë, përqindja më e lartë se çdo vend tjetër. Kërcënimi i terrorizmit në Francë, është rritur pas sulmeve të fillim janarit në Paris. Raporti konfidencial i Larxhit, arriti në përfundimin se dronët përbëjnë një kërcënim të madh, nëse bien në duart e gabuara, të afta për t’i telekomanduar ato drejt reaktorëve bëthamorë, të cilat nga ana e tyre, nuk janë dizenjuar për të përballuar sulmet ajrore. “Reaktorët bërthamorë janë projektuar për të parandaluar aksidentet, por jo për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve terroriste”- vlerësoi ai.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Francës për Aviacionin Civil, 1300 liçenca për avionë dronë janë dhënë, që kur ligji mbi to u miratua në vitin 2012. Por ndërkohë një dron, mund të blihet lehtësisht pa kurrëfarë liçence në rrugë, apo edhe përmes internetit. Ndonëse dronët komercialë, janë bërë mjaft popullorë, mes atyre që e kanë thjesht një hobi apo bizneseve, që e përdorin për çdo gjë, duke filluar nga ofrimi i reklamave, Larxh është i prirur të theksojë kërcënimin e ri ndaj objekteve të ndjeshme, që mund të bëhen shënjestër e sulmeve terroriste.
Muajin e kaluar, një dron u raportua të fluturonte mbi Pallatin presidencial të Elizesë, ndërsa këtë javë disa të tjerë, u panë të fluturonin rreth të paktën 5 monumenteve të tjera në Paris, në një kohë që policia nuk ka arritur ende të gjejë ata që i pilotonin. “Disa nga këto dronë, mund të jenë shumë të sofistikuar. Ka dronë që ju mund t’i blini në dyqane, por, më e rëndësishmja, ka edhe dronë të ndërtuar në mënyrë amatore, dhe ku disa prej tyre janë realisht mbresëlënëse. Ato janë një formë e re e kërcënimit në duar të gabuara”- përfundon Larxh.
Karolin Bajlon, një eksperte e sigurisë kibernetike në “Chatham House”, e cila ka studiuar dronët, pajtohet me shqetësimin e Larxh: “Rastet e rregjistruara theksojnë faktin se centralet bërthamore, nuk janë dizenjuar për t’u mbrojtur ndaj dronëve. Pasi këta të fundit janë kaq të vegjël, saqë asnjë radar konvencional nuk mund t’i zbulojë”. /Marrë me shkurtime nga “Newsweek” /
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button