Analiza

E munguara e madhe

e munguara e madheFareed Zakaria
Kriza e Ukrainës ka hedhur dritë mbi një prej boshllëqeve më të dukshëm në botë sot: mungesa e një Europe strategjike dhe të vendosur. SHBA munden dhe duhet të udhëheqin si reagim ndaj këtij konflikti, por asgjë nuk mund të ndodhë pa Europën. Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Rusisë – ai blen pjesën më të madhe të energjisë ruse, është investitori më i madh në kompanitë ruse dhe është destinacioni më i madh për kapitalin rus. Disa prej kritikëve të Obamës duan që ai ta kritikojë Putinin. Por, në fund, janë veprimet e Bashkimit Europian që e shqetësojnë presidentin e Rusisë.
Mendoni pak si ka vepruar Europa në lidhje me krizën e Ukrainës. Për vite të tërë, ajo nuk mundej të vendoste nëse dëshironte të inkurajonte anëtarësimin e Ukrainës në BE, kështu që i dërgoi Kievit sinjale të përzierë, të cilët patën efektin fillestar të zhgënjimit të ukrainasve proeuropianë, zemëruar rusët dhe ngatërruar gjithë të tjerët.
Në vitin 2008, pasi Moska dërgoi trupa në Gjeorgji, Europa premtoi një “partneritet në lindje” me vendet përgjatë skajit lindor të Europës. Por, siç shkruajnë Neil MacFarlane dhe Anand Menon në numrin e fundit të revistës “Survival”, “Partneriteti në lindje ishte një shembull klasik i tendencës së Europës për të reaguar ndaj ngjarjeve duke i shtuar rrufe retorikisht mbresëlënëse politikave ekzistuese”.
Udhëheqësit europianë nisën të joshin Ukrainën, pa e ditur se si do të pritej kjo në Moskë. Rusia kishte planet e saj për një union doganor, që do të pasohej nga një Union Euraziatik, që ishte menduar të shërbente si kundërpeshë ndaj Bashkimit Europian. Ukraina ishte jetike për planet e Rusisë dhe ishte e varur nga Rusia për gazin me çmim të ulët. Plus, sigurisht, ukrainasit ishin të ndarë, në duhej të shkonin drejt perëndimit apo drejt lindjes.
Negociatat ndërmjet Bashkimit Europian dhe Ukrainës për një marrëveshje asociimi vazhduan të zvarriten, teksa avoketërve dhe përkthyesve u duhej një vit për të parë tekstin. Teksa e përshkruajti këtë vonesë si një gabim, Ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski tha se “për Bashkimin Europian vlen e njëjta gjë si për Vatikanin. Mullinjtë e Zotit bluajnë ngadalë por të sigurtë”. Marrëveshja që iu ofrua Ukrainës ishte e mbushur me kërkesa për reforma dhe ristrukturim të ekonomisë së saj të korruptuar, por kishte shumë pak gjëra që do të shërbenin si jastëk ndaj goditjeve apo si ëmbëlsues për reformat e hidhura. Kur presidenti i atëhershëm, Viktor Janukoviç hodhi poshtë ofertën e Europës dhe shkoi drejt Moskës, ai vuri në lëvizje një lojë me shpejtësi të lartë dhe ku stekat ishin shumë lart. Një lojë për të cilën Europa ishte krejt e papërgatitur dhe nuk mund t’i përgjigjej.
Nëse Europa po përpiqej të afronte Ukrainën në kampin e saj, ajo duhej të kish qenë më bujare me Kievin dhe të kishte negociuar seriozisht me Moskën për ta qetësuar. Europa veproi pothuajse sikur ishte e pavetëdijshme për pasojat e veprimeve të saj. Më pas, kur Rusia nisi një fushatë për të destabilizuar Ukrainën – që vazhdon edhe sot – Europa mbeti një hap prapa, me konflikte të brendshëm dhe jo e gatshme të shfaqet e qartë dhe e vendosur. Po këta cilësi janë shfaqur edhe pas rrëzimit të avionit MH17.
Bashkimi Europian ka ende një shans për t’i dërguar një sinjal shumë më të qartë Ukrainës, Rusisë dhe botës. Mund të kërkojë që Rusia t’u bëjë presion separatistëve që të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin e Fluturimit 17 të Malaysia Airlines dhe të lejojë qeverinë e Ukrainës – që Moska e njeh – të marrë kontrollin e territorit të saj në Ukrainën lindore. Ajo mund të parashtrojë një listë me sanksione specifikë që do të hynin në fuqi nëse këto kushte nuk do të plotësoheshin, le të themi, për dy javë.
Veç kësaj, Europa duhet të shpallë plane më afatgjatë në dy fronte, së pari të fitojë më shumë pavarësi energjetike nga gazi dhe nafta e Rusisë. Kombet europianë duhet të ndalin gjithashtu uljen dydekadëshe të shpezimeve për mbrojtjen, pasi kjo e ka kthyer BE-në një tigër prej letra në kuptimin gjeopolitik. Gjermania, për shembull, shpenzon afro 1.5 % të GDP-së së vet për mbrojtjen, një ndër nivelet më të ulët në Europë, shumë më pak se 2 % që është objektivi për të gjithë anëtarët e NATO-s. Eshtë e vështirë që të dëgjohet zëri i një vendi, kur flet me zë të butë dhe mban në dorë një shkop.
Problemi tani po përshkruhet si burracakëri europiane dhe zbutje. Ai shpjegohet më mirë si një mungesë koherence mes 28 anëtarëve shumë të ndryshëm të Bashkimit Europian, një mungesë drejtimi strategjik dhe një orientim mendjengushtë nga vetja, që pret që problemet e botës të largohen vetë. Rezultati është një vakuum i madh global, me pasoja të tmerrshme.
Pas shumë vitesh, kur të kthejmë kokën pas dhe të pyesim përse rendi ndërkombëtar liberal, i ngritur mbi rregulla u dobësua dhe u gërrye, mund të themi fare mirë se njësia më e fuqishme politike dhe ekonomike e botës, Bashkimi Europian, me një popullsi dhe ekonomi më të madhe se Amerika, ishte e munguara e madhe në skenën ndërkombëtare. /Washington Post/
Pwrshtatur nw shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button