Ekonomi

“E premtja e zezë” / Makthi i Kinës dhe Greqia fundosin bursat, nga SHBA në Europë

Screen Shot 2015-08-22 at 10.50.24 AM
Tregjet financiarë në pikiatë, në të gjithë botën. Të përmbytur nga një cunam, i cili e ka një pikënisje të qartë, Kinën; një zonë vuajtjeje të fortë, Greqinë; dhe një pritës të tensioneve, bursën e Wall Street-it, e cila nga ana e saj funksionon si amplifikues për bursat europiane. Rezultati ka qenë një ditë, dhe një javë e jashtëzakonshme: 260 miliarde Euro janë “djegur” dje, sa i përket kapitalizimit, vetëm në Kontinentin e Vjetër, ndërkohë që në SHBA, Vix-i, Indeksi i frikës (teknikisht është indeksi i luhatshmërisë) ka patur një kërcim prej 20% brenda një dite të vetme, dhe 87% brenda një jave.

Tronditja e radhës në tregje është shkaktuar prej të dhënave kineze të Indeksit PMI (Purchasing Managers Index – treguesit ekonomikë që burojnë prej vëzhgimeve mujorë të kompanive të sektorit privat): për muajin gusht, ai ka zbritur në të tjerë minimume rekord, poshtë kuotës 50 (47.1 pikë më saktësisht). Eshtë një moment që paraqesht pikërisht vijën ndarëse mes një ekonomie në rritje dhe një ekonomike në tkurrje. Eshtë konfirmimi i radhës që tregon se ekonomia e Pekinit nuk marshon më me xhiro të plota, dhe tregjet aziatike e kanë “regjistruar” menjëherë këtë të dhënë: Indeksi i Shangait ka humbur 4.27%, Nikkei japonez ka humbur 2.98%. Sigurisht, nuk ndihmon aspak kuadri politik në Greqi, me të gjithë pasigurtë që krijohen pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme dhe dorëheqjen e Aleksis Ciprasit.

Nervozizmi i ditës u theksua edhe më shumë për shkak të një të dhëne makroekonomike jo pozitive në SHBA (Indeksi PMI është në nivelet më minimalë, që nga viti 2013), si dhe rekordin negativ të radhës në tregjet e naftës, ku çmimi për fuçi është nën 40 dollarë, për herë të parë që nga viti 2009.

Europa është përpjekur, me një farë droje, që t’i rezistojë valës goditëse që vjen nga Kina, dhe përgjatë gjithë mëngjesit ka frenuar humbjet, por më pas, me hapjen në rënie të fortë të Wall Street-it, nuk kish asgjë çfarë të bënte: Milano humbi 2.83%, e njëjta përqindje që u humb prej Londrës, ndërkohë që Frankfurti ka “lëshuar” me 2.95%, Parisi me 3.19%, Athina me 2.49%.

Në New York, Dow Jones-i ka mbyllur javën më të keqe që nga viti 2011, duke humbur 3.11 pikë të tjera, ndërsa Nasdaq-u është tkurrur me 3.52%.

Eshtë një korrigjim i tregjeve europianë, të cilët ishin rritur me tepri gjatë kohëve të fundit – përpiqen të zhdramatizojnë ekonomistët. Duhet kuptuar se Kina po ndryshon modelin e rritjes, duke shtyrë më fort konsumin e brendshëm dhe investimet, dhe kjo gjë nuk do të ndodhë brenda pak ditësh. Por ky është një ngadalësim strukturor, dhe jo një recesion mbarëbotëror.

Nga Pekini dhe nga politika e tij mbi valutën, vazhdojnë të qëndrojnë të mbërthyer sytë e SHBA. Dje Jack Lew, Sekretari amerikan i Thesarit, pati një bisedë me zëvendës kryeministrin kinez, Wang Yang, gjatë të cilit SHBA lanë të kuptohet se do të vazhdojnë të monitorojnë normën e këmbimit të Juanit, pas zhvlerësimit të beftë që ndodhi javën e kaluar./Fox – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button