Unë jam një person që qaj. Ama qaj shumë. Qaj për gjërat e bukura, për ato të shëmtuarat, për debatet, për dashurinë, për botën, për filmat prekës, për lajmet e hidhura, për vetminë, për miqësitë e thyera, për këngët e trishta, për tragjëditë dhe për gjërat e vogla. Shpesh mendoj se një zgjedhje e tillë tregon shenja dobësie. Por herë të tjera, kujtohem se pasi kam nxjerrë çdo ndjesi jashtë, ndihem më e fortë se më parë. Atëherë kuptoj se të qash, nuk është vetëm cilësi e personave të dobët. Është një zgjedhje edhe e atyre që duan të jenë më të fortë se më parë.
Shpesh gabohet në shoqërinë tonë, ndërsa mendohet se nëse qan, tregon se je i dobët. Nuk është aspak e vërtetë. Të qash do të thotë të nxjerrësh jashtë gjithë emocionet negative që ke përbrenda. Të qash do të thotë “ta pastrosh” qenien tënde nga dobësitë dhe të forcohesh. E qara përmirëson humorin, pasi trupi largon toksinat dhe hormonet që çojnë në një ndjesi negative.
Kur qan, tregon karakter të fortë. Kërkon guxim të qash përpara të tjerërve, pasi pranon hapur se je duke kaluar në momente të vështira. Jo kushdo e ka këtë guxim, ndaj dhe shumë persona i mbajnë lotët përbrenda, pasi nuk e kanë guximin për ta shprehur dhimbjen që ndiejnë.
E qara forcon edhe marrëdhëniet tona me të tjerët. Kur qajmë përpara të tjerëve, ne i ftojmë ata të shohin një anë tjetër tonën. Ata mund të shohin ndjenjat dhe emocionet tona, në një mënyrë që fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Kjo gjë krijon sigurisht një lidhje më të fortë emocionale me familjarët, miqtë dhe personat që ndodhen pranë nesh. Ndaj, herë tjetër, përpara se ta fshehësh e ta mbash përbrenda dhimbjen tënde, shprehe atë. Lëri lotët të bien në fytyrë dhe zbraze gjithë energjinë negative që je duke përjetuar.