Histori

“E vërteta dhe dashuria, duhet të mbizotërojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen!” Trashëgimia e Vaslav Havelit mbijeton ende

Nga Siegfried Mortkowitz

Pragë – Njëzet e një vjet pas njëri prej fjalimeve më të famshme të Vasllav Havelit, shumë njerëz druhen se Republika Çeke, është ende në një “gjendje të rëndë”. Në dhjetorin e vitit 1997, presidenti i atëhershëm tha para parlamentit çek, se vendi ishte në rrugën e gabuar.

Vetëm 8 vjet pas Revolucionit të Kadifejtë, vendi po përjetonte një situatë shumë të vështirë. Koalicioni qeverisës kishte rënë, skandalet ishin tejet të përhapura, dhe një parti ekstremiste e krahut të djathtë po nxitste urrejtjen ndaj pakicave.

“Shumë njerëz, janë të shqetësuar, të zhgënjyer, madje edhe të neveritur nga gjendja e përgjithshme e shoqërisë në këtë vend. Shumë njerëz besojnë se, me apo demokraci, njerëzit në pushtet janë sërish njerëz që nuk mund t’u zihet besë, dhe janë më të shqetësuar për ta ndihmuar veten, sesa për të mirën më të madhe”.”

Në javën që shënon përvjetorin e shtatë të vdekjes së Havelit, fjalimi është ende shumë aktual për shumë çekë. Kjo s’do të thotë se Haveli, dramaturgu disident që kaloi vendin nga komunizmi në demokraci, admirohej universalisht. Edhe kur mbajti atë fjalim, ishte tashmë një figurë ndarëse dhe objekt talljeje, jo vetëm nga ekstremistët e krahut të djathtë, por nga shumë politikanë dhe çekë të zakonshëm.

Por për adhuruesit e Havelit, pjesë e atij fjalimi të vitit 1997 – që u bë e njohur si “fjalimi i gjendjes së rënduar” – ai është një përshkrim i përshtatshëm i gjendjes aktuale të kombit çek sot. Presidenti Millosh Zeman, është i kritikuar si brenda dhe jashtë vendit, për komentet e tij të ashpra ndaj pakicave dhe myslimanëve.

Dhe, siç tha Jan Zahradil, një anëtar konservator i Parlamentit Europian:”Tridhjetë vjet pas Revolucionit të Kadifejtë kemi një kryeministër (Andrej Babis), që ka qenë dikur anëtar i Partisë Komuniste, dhe një informator i policisë sekrete”. Babis ka mohuar se ka bashkëpunuar me vetëdije me policinë sekrete – edhe pse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, kundërshtoi muajin e kaluar një ankesë që ai paraqiti, për t’u distancuar nga të dhënat si një informator i epokës komuniste.

Babis, një nga njerëzit më të pasur në vend, është akuzuar gjithashtu për mashtrime me fondet e BE-së – një akuzë tjetër që ai e ka mohuar. Në këtë kontekst, është e lehtë të pyesësh nëse mbetet diçka nga idealizmi moral i Havelit në vendin që e udhëhoqi për 13 vitet e para pas rilindjes së tij, dhe nëse “fjalimi i gjendjes së rënduar” është më i përshtatshëm se kurrë më parë.

“Këto ditë citoj rregullisht pjesë nga ky fjalim”- thotë Mikael Zantovski, drejtor ekzekutiv i Bibliotekës “Vasllav Havel”. Zantovski ishte një mik i përjetshëm i Havel, zëdhënësi i tij i parë presidencial dhe më pas ambasadori i tij në SHBA. Ai shkroi një biografi bestseller mbi Havelin, i cili vdiq më 18 dhjetor 2011, në moshën 75 vjeçare.

Zantovski, e pranoi se mendimi moral i Havelit, nuk është i përhapur në mesin e politikanëve aktualë çekë. “Por në mesin e popullatës në përgjithësi, pavarësisht nga ajo që dëgjoni apo shihni në mediat sociale, trashëgimia e Havelit është e mirë dhe e rrënjosur thellë”- theksoi ai.

E vendosur në një ndërtesë modeste 2- katëshe jo shumë larg nga kafja në të cilën Havel dhe disidentët e tjerë takoheshin shpesh, biblioteka organizon më shumë se 200 debate, diskutime dhe lexime publike në vit. “Dhe salla e bibliotekës është plot çdo mbrëmje. Ata janë kryesisht të rinj, midis moshës 20-30 vjeç”- shprehet Zantovski.

Biblioteka është e pranishme në rrugë, në qytete të vogla dhe të mëdha në të gjithë vendin, duke folur me të rinjtë në shkollat ​​e mesme, universitete, biblioteka dhe klubet kulturore. “Dhe kudo hasim të njëjtën pritshmëri nga njerëzit, që e kuptojnë se ndjenja e vlerave morale – të ndihesh përgjegjës për gjendjen e botës përrreth, apo se si njerëzit e trajtojnë njëri-tjetrin – është më e fortë se kurrë më parë” – thotë Zantovski .

Biblioteka ka gjithashtu një projekt të njohur në internet, ku frekuentuesit e shpeshtë të YouTube, aktorët dhe interpretues të tjerë, lexojnë pjesë nga veprat e Havelit. Sipas disa të dhënave të mediave sociale, Zantovski tha se Biblioteka Havel, është OJQ-ja më e cituar në Republikën Çeke.

“Haveli është këtu për të qëndruar. Dhe vitin e ardhshëm, do të festojmë përvjetorin e 30-të të revolucionit, dhe ky do të jetë një rast tjetër për ta shfaqur trshëgiminë e tij”. Por jo të gjithë i shohin gjërat në këtë mënyrë. Idealizmi i Havelit, mund të jetë jashtë mode në botën e sotme të realpolitikës, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes Aleksandër Vondra, i cili shërbeu si këshilltar i parë i politikës së jashtme të presidentit të ndjerë.

“Ashtu si në ekonomi, ka cikle edhe në vlera”- thotë Vondra, një ish-disident së bashku me Havelin, që ashtu si ai u burgos për aktivitetet e tij. “Asokohe ishim të gjithë idealistë. Por forca e sotme është e rëndësishme, prandaj, nëse po kërkoni shenjat e trashëgimisë morale të Havelit, do të thoja se ky është një mision i vështirë” –thotë ish-ministri i Mbrojtjes.

Vondra tha se dyshon nëse Haveli do të zgjidhej sot president në një votim popullor, për shkak të standardeve të larta morale. “Ai e ngriti shumë lart stekën etike për qytetarin e zakonshëm. Por, nëse e filloni me një stekë më të ulët, do të merrni rezultate më të ulëta” deklaroi ai.

Zahradil beson se këmbëngulja e Havelit për standarda të larta morale, i distancoi shumë çekë nga presidenca e tij. “Kishte 1.5 milionë njerëz që kishin qenë anëtarë të Partisë Komuniste, shumë prej tyre pa besuar realisht në ideologjinë komuniste. Ata njerëz u mërzitën, nga ajo që ata e konsideronin si pozicionin moral superior të Havelit”- tha ai.

Kjo kundërvënie ndaj qëndrimit etik të Havelit, përfshiu gjithashtu disa politikanë tradicionalë – ai u rizgjodh president në vitin 1997 me vetëm 55 përqind të votave në parlament. Por trashëgimia e Havelit, nuk është thjesht një çështje morali, mendon Vondra.

I konsideruar gjerësisht babai i shtetit modern çek, Haveli dhe bashkëpunëtorët e tij, hodhën themelet e demokracisë së sotme Çeke. “Unë jam shumë kritik ndaj Zemanit, dhe madje edhe më shumë se sa ndaj Babis, por ata nuk mund ta shkatërrojnë demokracinë që u ngrit me ndihmën e Havelit. Dhe ai e ankoroi vendin në Perëndim.  

Edhe Zeman, me “oreksin” e tij për burra të fortë, dhe që bën biznes me Rusinë dhe Kinën, nuk është në gjendje të shkatërrojë spirancën tonë perëndimore. Përkundër të gjitha problemeve dhe politikanëve për të cilën nuk mund të jesh krenar, vendi është në një formë relativisht të mirë. Kjo është trashëgimia e Havelit”- tha ai.

Por nëse shihni me kujdes, veçanërisht në Pragë, shenjat e shpirtit të vazhdueshëm moral të Havelit, mund të gjenden ende. Në vertratën e ushqimores së tij të vogël, jo shumë larg qendrës së qytetit, 40 vjeçari Miloslav Pikmaus, ka vendosur një poster të madh, që tregon një Havel të qeshur, nën një nga deklaratat e tij më të famshme:”E vërteta dhe dashuria, duhet të mbizotërojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen!”.

Pikmaus tha se e vendosi atë poster, për shkak të shqetësimit të tij gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2017, të fituara nga Babis. Ai shprehet se shumë njerëz kanë reaguar negativisht ndaj tij, duke ardhur në dyqan për t’u ankuar, apo madje duke pështyrë në dritare.

“Por shumë më tepër njerëz na përshëndesin nga trotuari, dhe shumë prej tyre kanë kërkuar kopje të posterit. Idetë e Havelit, janë ende shumë të rëndësishme, sidomos këto ditë”- përfundoi ai.

“Politico.eu” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button