Analiza

“Ebola, sëmundja e të varfërve”

ebola01Amandine Cailhol

Liberation

Ebola është sëmundje e njerëzve të varfër, në vendet e varfëra, dhe përfshin shumë persona. Në Evropë janë zhvilluar mjekime për sëmundjet e rralla si për shëmbull sëmundjet gjenetike, megjithëse nga ato preken pak njerëz, pasi pacientët apo sigurimet shoqërore mundet të paguajnë. Por njerëzit nuk kanë lekë, pra nuk ka një nxitje. Sidomos fakti që prodhimi i medikamenteve kushton shumë shtrenjtë, disa qindra miliona Euro
INTERVISTA / Zëvendës Drejtoresha e përgjithshme  e  Organizatës Botërore të Shëndetsisë (OBSH) Marie-Paule Kieny përshkruan gjendjen e luftës kundra epidemisë së ethes hemoragjike, e shpallur nga organizata “tepër e nënvleftësuar”.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë (OBSH), epidemia e ethes hemoragjike vazhdon të përhapet. Sipas OBSH për pesë muaj virusi i Ebolës  ka shkaktuar 1 069 të vdekur.  Organizatat Joqeveritare si Mjekët Pa Kufi, janë të shqetësuara për përkeqësimin e situatës dhe mungesën e mjeteve për t’i bërë ballë kësaj epidemie. Ato  bëjnë thirrje për një mobilizim mbarë botëror. Marie-Paule Kieny, zëvëndës drejtoreshë e përgjithshme e OBSH për sistemet e shëndetit dhe inovacionit, në intervistën dhënë gazetës  “Liberation” flet për sfidat e OBSH në ndalimin e kësaj epidemie.
Cilat janë nevojat kryesore në terren?
Nevoja më urgjente është së pari njerëzore. Duhen njerëz për të mbështetur personelin vendas, për të siguruar ndjekjen dhe marrjen në ngarkim të të sëmurëve. Mungojnë forca të gjalla në terren. Për të luftuar kundra virusit të Ebola, nuk mund të mbajmë shpresë në asnjë mjekim specifik, as në një vaksinë, dhe përqindja e vdekshmërisë e kësaj sëmundje është e lartë.
Papritmas, njerëzit kanë frikë, përfshirë këtu personelin shëndetësor në terren. Mjekët vendas  nuk i bëjnë ballë numrit të të sëmurëve që paraqiten për mjekim. Në këto vende, sistemet shëndetësore janë shumë të brishta. Vendet e prekura janë vënde të varfëra që kanë dalë nga lufta. Në disa prej tyre, mjekët nuk janë paguar. Nuk është e lehtë për ato ta jenë të motivuar, të vijnë të punojnë në kushte shumë të padurueshme, ndërkohë që kanë përshtypjen se vënë jetën e tyre në rrrezik.
Shqetësues është fakti i përqindjes së infeksionit dhe vdekshmërisë ndërmjet personelit shëndetësor. Pothuaj 10% e vdekjeve përfshijnë këta punonjës. Përballë kësaj situate  komuniteti ndërkombëtar që i mbështet ata, është në numër shumë të vogël. Edhe pse mjekët e organizatës “Mjekë pa kufi” ( MSF) janë në numër të shumtë dhe po bëjnë një punë të palodhur në terren; ato kanë nevojë të pushojnë.
Para disa ditësh organizata “Mjekët pa kufi” e drejtoi gishtin në infrastrukturën e pamjaftueshme … në vendet ku është shfaqur sëmundja. Ne kemi nevojë për struktura që lejojnë të strehohen njerëzit dhe të merren ato në ngarkim në kushte të mira. Për të eleminuar epideminë, duhen gjetur personat e infektuar, të kujdesemi për ato sa më mirë që mundemi, të shënohen kontaktet dhe të izolohen ato.
Por të sëmurët kanë përshtypjen që vendi në të cilin i dërgojnë për mjekim është një vend vdekje me kushtet e higjenës mjaft të neveritshme; ato nuk paraqiten dhe kthehen në shtëpinë e tyre. Nëse kushtet e mjekimit dhe të izolimit nuk janë të kënaqshme, zotërimi  i epidemisë bëhet i ndërlikuar.
Sot asnjë medikament i homologuar nuk është i disponueshëm. A nënkupton kjo që nuk i është paraprirë kësaj krize ?
Eshtë mjaft e qartë dhe duhet pranuar se ka pasur të meta në paraprirjen e saj. Ne nuk kemi asnjë mjekim, ndërkohë që ekziston mundësia. Nga pikëpamja teknike, ne jemi duke folur për gjëra mjaft të vështira. Ky është një dështim i shoqërisë i bazuar në tregun, në financimet dhe fitimin.
Ebola është sëmundje e njerëzve të varfër, në vendet e varfëra, dhe përfshin shumë persona. Në Evropë janë zhvilluar mjekime për sëmundjet e rralla si për shëmbull sëmundjet gjenetike, megjithëse nga ato preken pak njerëz, pasi pacientët apo sigurimet shoqërore mundet të paguajnë. Por njerëzit nuk kanë lekë, pra nuk ka një nxitje. Sidomos fakti që prodhimi i medikamenteve kushton shumë shtrenjtë, disa qindra miliona Euro.
Megjithatë nuk mund të themi se nuk është bërë asgjë. Akademikët dhe kompanitë e vogla  kanë punuar për virusin e Ebolës. Financimet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadrin e kërkimit shkencor kundra bioterrorizmit, kanë lejuar të ecet përpara. Në këtë kontekst jemi në një stad zhvilllimi relativisht të avancuar. Po ende  laboratorët kërkimorë nuk kanë arritur në stadin e fundit të zhvillimit, domethënë në  provat klinike tek njeriu, sepse me të drejtë  kjo fazë e kërkimit dhe zhvillimit është më e kushtueshme.
Para disa ditëve, komiteti i ekspertëve i mbledhur nga OBSH miratoi përdorimin e mjekimeve eksperimentale. A mos është pritur shumë ?
Ta thuash këtë është e vështirë, sepse në mjekësi duhet së pari të sigurohesh për mosrrezikshmërinë e produkteve të përdorura. Nuk është e rrallë kur medikamente që besohet se nuk kanë efekte dytësore rezultojnë të dëmshëm. Përdorimi i medikamenteve  jashtë një kuadri rregullator duhet konsideruar jashtë norme.
Duhet kuptuar mirë rekomandimin e komitetit të ekspertëve. Idea nuk është që të mirret çfarëdo medikamenti dhe t’i inokulohet të sëmurëve me preteksin se mund t’i shërojmë. Kohët e fundit nuk ka asnjë ditë që OBSH të mos marrë propozime për produkte apo solucione nganjëherë të çuditshme për të mjekuar të sëmurët.
Ne nuk flasim për këtë, por për të bërë progres me mjekime për të cilat ne kemi arsye të mendojmë se ato mund të jenë efikase, me një helmueshmëri të kufizuar për njeriun.
A disponohen sot medikamente?
Në një kohë që kërkimi shkencor është në fazë eksperimentale, duhet thënë se nuk ka rezerva. Qysh prej disa muajve industritë farmaceutike të prodhimit të medikamenteve dhe vaksinave po përpiqen të rrrisin kapacitetin e tyre të prodhimit. Përsa i përket Zmapp-it, një përzjerje e antitrupave monoklonale nuk është përdorur në më shumë se dhjetë mjekime. Aktualisht dozat e saj janë mbaruar. Duhen shumë javë për të pasur një volum që t’i përgjigjet nevojave potenciale. Mbetet një e panjohur: me çfarë tarife  industritë farmaceutike do t’i shesin medikamentet e prodhuara? Unë nuk dyshoj se fillimisht medikamentet do të furnizohen falas, për t’i provuar në mjekimin e personelit shëndetësor. Jo sepse këta të fundit kanë një të drejtë më të rëndësishme se të tjerët, por si parim i reciprocitetit, sepse ata janë të parët që vënë jetën e tyre në rrezik dhe gjithashtu për arsye dobie: nevojitet të ruhet kjo forcë pune kundra epidemisë.
Si do të evoluojë situata ?
Do të arrijmë në frenimin e epidemisë duke përdorur metodat me të cilat kemi pasur sukses në krizat e mëparshme, duke zbatuar politika kontrolli dhe parandalimi. Autoritetet më të larta në vendet e prekura janë ndërgjegjësuar për problemin  dhe kanë marrë masa të jashtëzakonshme sidomos në izolimin e komuniteteve të tëra. Kombet e Bashkuara po marrin masa për të furnizuar me ushqim banorët e këtyre komuniteteve. Masa serioze  po merren për të ndaluar transmetimin e sëmundjes në zona të ngrohta për muajt e ardhshëm.
A nuk ka rrezik të shkaktojnë shthurje apo dhe trazira sociale problemet e mjekimit, karantinës dhe mungesa e ushqimit në disa rajone?
Dhuna ekziston tashmë sepse njerëzit nuk kuptojnë, ka shumë dezinformim. Në këtë kuadër ne duhet të bëjmë kujdes para se të paraqesim dhurimet e medikamenteve që kemi marrë sidomos 800 doza vaksine të dhuruara nga Kanadaja.
Misioni ynë konsiston të ndihmojmë qeveritë e vëndeve të prekura  të përcaktojnë skemën e prioriteteve. Janë ato që janë përgjegjëse për përdorimin apo jo të këtyre medikamenteve. Është në të drejtën e tyre që të shqyrtojnë si të bëjnë më të mirën për të trajtuar popullsinë e tyre.
Në disa vende si Liberia, presidenti po respekton masat karantinore me forcat e rendit. Nevoja për të kufizuar, të paktën  gjatë një farë kohe lëvizjen e njerëzve si brënda dhe jashtë vendit nuk ka asnjë dyshim.
Por sigurisht duhet të sigurohemi që komunitetet e izoluara të kenë akses në ujë dhe ushqim, në mënyrë që të mos gjenerohet një katastrofë humanitare.
Përktheu: S. Metani
BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button