Analiza

Edhe Dante donte një Europë të bashkuar. Ideja e Europës, edhe më e lashtë se kombet që e përbëjnë

E shkruante tek “Monarkia”, mes viteve 1310 dhe 1313. Por ideja që nevojitej një autoritet mbi kombet e vecantë është edhe më e vjetër. Por, vetëm në kohën e poetit të madh iu hap rrugë dy koncepte që ndryshonin mes tyre: “federaliste” dhe “konfederaliste”

Screen Shot 2016-06-04 at 06.48.39

Uniteti europian si projekt politik ka lindur gjatë Nëntëqindës, në vijim të katastrofave që shkaktuan dy luftërat botërore, të cilat shumë historianë i kanë konsideruar “një luftë civile europiane”. Por, ideja e Europës ka një histori shumë më të gjatë. Në një libër të titulluar jo pa domethënie, “Vingthuit siecles d’Europe”, Denis de Reugemont ka hedhur një numër mbresëlënës dëshmish, që nga Hesiodi e deri tek mesi i Nëntëqindës, për të demonstruar që “Europa është shumë më e lashtë se sa kombet që e përbëjnë, por rrezikon që të zhduket për faj të mosmarrëveshjeve të tyre si dhe iluzionit për të ruajtur sovranitetin absolut. Në të kundërt, unioni i tyre do të ruante Europën, duke shpëtuar në të njëjtën kohë, atë që mbetet vitale në diversitetin e saj të frutshëm”.

Historianët kanë gjithmonë tundimin që të vihen në kërkim të pararendësve, edhe pse këta, qofshin ide apo persona, shfaqen zakonisht pas faktit të kryer. Eshtë një fatalitet, sepse ndërkohë që historia ndodh, askush nuk e di rezultatin përfundimtar dhe vetëm koha përzgjedh atë që ka qenë e rëndësishme dhe atë që nuk ka patur peshë. Por deri kur duhet të hidhemi pas në kohë, për të gjetur fillesat e Europës? Tek miti i Europës, nimfa e bukur që u josh prej Jupiterit? Tek Tucididi, që shkruan: “Kur medët ishin larguar nga Europa, të mposhtur prej grekëve në tokë dhe në det…”? Apo tek Aristoteli, i cili e klasifikon me saktësi natyrën e europianëve, sipas vendit ku jetojnë, në Veri, në Jug apo në zonën e mesit të Kontinentit të Vjetër?

Në fillim ishte një ide e pasigurtë. Të zgjatesh me fjalë apo copëza frazash aty-këtu nëpër tekstet e lashtë mund të jetë corientuese, sepse nuk kuptohet me saktësi cfarë ka patur në mendje autori. Në vitin 767, duke përshkruar betejën e Poitiers, Isidori i Riu fliste për ushtrinë e Carlo Martellos si një ushtri “europianësh” (“Në mëngjes, duke dalë nga shtëpitë e tyre, europianët sulmuan cadrat e mirëreshtuara të arabëve”). Po sa ishte e gjallë mes ushtarëve dhe vetë kronistit vetëdija e të qënurit “europianë”? Duket më e mundshme që shkrimtari iberik e ka patur fjalën për një entitet gjeografik të papërcaktuar dhe që ushtarët nuk kanë dëgjuar asnjëherë të flitet për Europën.

Ndoshta ekzagjeron edhe Carlo Curcio kur saktëson: “Nëse me Europë nënkuptohet një njësi kulturore apo një njësi politike, mund të fiksohet origjina e saj në epokën Karolingiane, por, nëse me Europë nënkuptojmë një shumëllojshmëri harmonike popujsh që kanë vetëdijen e tyre, një “shoqëri kombesh”, atëherë origjina është shumë më vonë, mes shekujve XIII dhe XIV, në mos më vonë. Problemi më i rëndësishëm është që të përcaktohet nëse atëherë, ata kanë patur një ide të caktuar për Europën, nëse i kanë dhënë një emër, si në rastin e Charlemagne”.

Edhe pse Charlemagne ka qenë krijuesi i parë i “unionit monetar europian” me futjen e lirës, të parave dhe monedhave – një sistem monetar, i destinuar të zgjaste për më shumë se një mijë vite – ajo dritëz bashkimi që ai kish mundur të realizonte u zhduk shumë shpejt me shpërbërjen e perandorisë. Përshtypja që krijohej, po të analizosh me saktësi shkrimet e juristëve, njerëzve të Kishës, këshilltarëve të oborreve, kronistëve që kanë jetuar në atë kohë, është që Europa ka qenë dicka e paqartë, që përgjithësisht ngatërrohej me Respublica Christiana, e cila përbënte lidhjen më të ndjerë mes njerëzve në atë kohë. Ajo nisi të përvijohet në fillimet e Treqindës, atëherë kur morën rrugë dy koncepte që sot do i quajmë “federalist” dhe “konfederalist”. Tek “Monarkia”, shkruar mes viteve 1310 dhe 1313, Dante Alighieri shpresonte për krijimin e një fuqie të fortë imperiale, në gjendje të limitonte sovranitetin e mbretërive të vecanta si dhe të nxiste bashkëpunimin e tyre paqësor. Perandoria universale përkonte me Europën dhe projekti i Dantes, ndonëse aty-këty me tipare utopistë, kishte një identitet të qartë politik. Këtij i kundërvihej projekti, i hartuar disa vite më herët nga Pierre Dubois, një jurist i famshëm francez, që parashikonte krijimin e një Lidhjeje princërish të pavarur nga Papa dhe nga perandori, që do të kishte një këshill dhe një ansamble përfaqësuese të “republikave më kristiane”. Nuk është e vështirë të dallosh në këtë lidhje – në të cilën princërit ruanin sovranitetin e tyre të plotë, një projekt jo shumë të largët nga Europa e “mëmëdheve” aq e dashur për gjeneralin De Gaulle, dhe as Bashkimin Europian të sotëm në të cilin, përtej fasadës, sovranet e vërteta janë qeveritë.

Historia europiane vazhdoi përgjatë rrugës së parashikuar nga Dubois, dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse nuk ekzistonin ende kushtet për bashkimin e popujve që mendonte Dante, ndërkohë që ishte më urgjente nevoja për të konsoliduar shtetin përreth një fuqie absolute, në gjendje të impononte autoritetin e saj, mbi një mijë feudet në të cilat ishin ndarë rajonet perëndimorë. Pasi u fuqizuan, Anglia, Franca, Spanja dhe Perandoria e Habsburgëve, u shndërruan në kolonat e atij që në fund të Shtatëqindës, Uilliam Robertson e quajti sistemi europian i shteteve. “Asnjë princ”, shkruante historiani anglez, “nuk ishte kaq u fuqishëm në krahasim me të tjerët, që sforcot e tij të ishin të parezistueshme, apo pushtimet të lehtë. Avantazhet që kishte një shtet, kundërbilancoheshin prej rrethanave më të favorshme të të tjerëve, dhe kjo pengonte secilin prej tyre të arrinte një superioritet që do të kish rezultuar fatal për të gjithë. Kombet e Europës, atëherë ashtu si sot, ishin si një familje e madhe”. Një familje “jo e bashkuar dhe në grindje, pa dyshim”, shton Jean Baptiste Duroselle, “por një familje, gjithësesi. Po lindte një Europë e re, prej shteteve më të fuqishëm dhe koherentë”.

Në cdo sistem, pjesët e vecanta dhe e tëra janë të dallueshme qartë. Kështu, Luigji XIV mund të mendonte për madhështinë e Francës dhe të fliste, sic bënte shpesh, për “interesa” të Europës, për “paqe europiane”. Divergjencat dhe konfliktet që kanë shenjuar historinë në ata shekuj, nuk mund ta fshihnin idenë që europianët ishin të bashkuar prej një fati të përbashkët.

“Sette”-Bota.al

Leave a Reply

Back to top button