Analiza

Edhe Oprah mungonte, në garën për presidencën e SHBA

Më shumë se shpërblimi i interpretuesve më të mirë të spektaklit, ajo që doli në skenë në Golden Globes ishte vallëzimi makabër mbi kufomën e botës së show-businessit të udhëhequr nga Weinstein, mbi të cilën kërceu Oprah ëWinfrey në fjalimin e saj, i cili fitoi duartrokitjet e zjarrta të platesë, lotët e shumë aktoreve dhe hashtag-un e parë për garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, #OprahforPresident. Edhe kjo na mungonte.

Por në fund të fundit, Amerika tashmë mund të presë çdo gjë. Të bën të buzëqeshësh, por nuk të habit, që pas fjalimit mbi “agimin e ri” dhe “ditën e re në horizont” për gratë amerikane, ka nisur të qarkullojë me këmbëngulje zëri, për Oprah si kandidate e demokratëve.

Sepse të gjithë janë të vetëdijshëm që në Hollywood, çështja e ngacmimeve seksuale dhe barazisë mes burrave dhe grave nuk ka asnjë tipar paanshmërie. Edhe pse Weinstein ishte një mbështetës simpatik dhe financues i Partisë Demokratike, lufta mediatike e botës së spektaklit kundër Donald Trumpit ia doli që shënjestër të jetë gjithësesi presidenti, fajtor se ka sjellë, sipas atyre që e sulmojnë, një erë seksizmi dhe racizmi në të gjithë Amerikën. Me miratimin e dhjetëra-miliona zgjedhësve, të etiketuar menjëherë si ekzekutorë materialë të kësaj urrejtjeje të supozuar që ka ndezur Amerikën.

“Për shumë kohë, gratë nuk janë dëgjuar apo besuar, edhe kur guxonin të thonin të vërtetën mbi pushtetin e burrave. Por tani, koha e tyre po merr fund”. Kështu, Oprah ia doli të ndezë platenë e Hollywoodit dhe rrjetet sociale, që mezi presin çdo lloj mesazhi, i cili mund të bëhet përcjellës i kësaj kryqëzate të re të mijëvjeçarit të tretë. Por, prapa këtij objektivi antimaskilist, i bukur për të marrë duartrokitjet e botës së televizionit dhe gazetave, nuk duhet harruar se ka një pushtet të vërtetë mediatik.

Oprah nuk është në fakt një ushtare e të drejtave të njeriut, por një central mesazhesh politike dhe kulturore, që hyn në shtëpitë e amerikanëve dhe që korrespondon përsosmërisht me identikitin që bota e mediave të mëdha dëshiron për qytetarin amerikan, të kundërvënë Trumpit dhe botës së tij.

Afroamerikane, grua dhe mikeshë e Barack Obamës, fushata e saj mund të sigurojë mbështetjen e nxehtë të të gjithë sistemit mediatik të SHBA, i favorshëm ndaj demokratëve, dhe të ndezë edhe më shumë përplasjen me Protestantët e Bardhë Anglo-Saksonë, që kanë parë tek Donald Trumpi kampionin e tyre. Dhe jo rastësisht, ka nga ata që prej kohësh flisnin për të, si kandidate të mundshme për demokratët, në një dyshe interesante femërore me Michelle Obamën, një tjetër simbol i kozmosit të mediave të mëdha, që sheh tek këto kandidatura simbolika që i kundërvihen çdo “të keqeje”.

Sipas mediave amerikane, veçanërisht CNN, që ia ka dalë të kontaktojë dy miq shumë të ngushtë të yllit të televizionit, Oprah po mendon seriozisht që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020. Dhe miku i saj, Stedman Graham ka lënë të kuptohet për Los Angeles Times që hipoteza e kandidaturës së Oprah për Shtëpinë e Bardhë, nuk është aspak një zhurmë rrjetesh sociale. Aq e vërtetë është kjo, saqë pyetjes së gazetës kaliforniane i është përgjigjur me “varet nga njerëzit”, duke e përmbyllur me fjalinë: “Ajo me siguri do të dinte ta bënte”.

Fjalë që u bashkohen atyre të personaliteteve të spikatur në Hollywood, si aktorja Jessica Chastain, që ka shkruajtur “ky fjalim është gjithçka”, apo atyre të Ron Howard i cili madje ka rrëfyer se i është dashur të fshijë lotët: “Ndoshta momenti më i jashtëzakonshëm dhe stimulues ku kam qenë dëshmitar, në një ceremoni çmimesh”, ka thënë regjisori.

Edhe Jon Fravreau, autor i fjalimeve të Obamës, është shprehur shumë i tronditur në kuptimin pozitiv, nga fjalimi i Oprah: “Nuk u flet SHBA të yjeve. U flet amerikanëve. Nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë”. Edhe Meryl Streep ka mbështetur Winfreyn, duke deklaruar për “Washington Post”: “Dua që ajo të kandidojë për presidencën. Nuk mendoj se kishte për qëllim këtë. Por tani nuk ka zgjedhje tjetër”.

E vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë, nga sot deri në 2020. Zakonisht është shumë e ndërlikuar të bësh parashikime politike dy vjet para zgjedhjeve, sidomos në një sistem dinamik si ai i SHBA. Por imazhi që del nga ky Golden Globes bën të trembesh për më të keqen: një polarizim social mbi kandidatura simbolike, frute të fushatave mediatike dhe rrjeteve sociale.

Eshtë mëkat që demokracia amerikane është reduktuar në të folurën ekskluzive mbi këto tema për të kërkuar përplasjen sociale, në një kohë kur ekzistojnë çështje me rëndësi thelbësore, ekonomike, politike dhe kulturore, që duhen analizuar thellë. Por nëse bota ecën përpara me histori hollywoodiane, mund të presim gjithçka. / Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button