
Bret Stephens
Nëse Gjermania do të pushtohej, vetëm 38 për qind e qytetarëve të saj do të ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre, sipas një sondazhi të fundit. Pesëdhjetë e nëntë për qind nuk do të luftonin. Në Itali, një tjetër sondazh zbuloi se vetëm 16 për qind e atyre në moshë për të luftuar do të merrnin armët. Në Francë, gjenerali Fabien Mandon, shefi i Shtabit të Ushtrisë, i tha muajin e kaluar në një konference të kryebashkiakëve se kombi do të ishte “në rrezik” nëse “heziton, sepse nuk jemi të gatshëm të pranojmë humbjen e fëmijëve tanë.” Kjo deklaratë, një e vërtetë e thjeshtë, shkaktoi furtunë politike.
Në këtë kontekst, Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump, e publikuar javën e kaluar, u prit në Evropë me tronditje.
Nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja. Prioritetet kryesore të politikës së jashtme amerikane, sipas dokumentit, tani janë të fokusuara te Hemisfera Perëndimore dhe Azia. Bashkimi Evropian akuzohet për shtypjen e lirisë politike, minimin e sovranitetit kombëtar, pengimin e dinamizmit ekonomik, promovimin e politikave të migracionit që mund të çojnë në “zhbërje civilizuese” dhe për pengimin e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.
“Është shumë larg të qenit e qartë,” paralajmëron dokumenti, “nëse disa vende evropiane do të kenë ekonomi dhe ushtri mjaftueshëm të forta për të mbetur aleatë të besueshëm.”
Këto janë pikëpamjet e së djathtës së skajshme evropiane. Rusia nuk trajtohet askund si armike e Shteteve të Bashkuara, ashtu si Ukraina nuk trajtohet si aleate. Në vend të kësaj, armiqtë e vërtetë, në sytë e këtij dokumenti, janë migrantët dhe burokratët, të cilët, thuhet se, janë të vendosur të shkatërrojnë çdo gjë që mbetet nga një Evropë autentike.
Është joshëse të shpërfillësh këtë dokument si shqetësues por jo serioz: ai nuk ka fuqi ligjore dhe stili i tij tingëllon sikur të ishte shkruar nga Otto, personazhi i filmit “A Fish Called Wanda”, bulli amerikan i ndjeshëm dhe kokëtrashë, i luajtur në mënyrë brilante nga Kevin Kline. Por, si me shumë argumente populiste djathtas ose majtas, problemi me dokumentin nuk qëndron te gënjeshtrat e tij, por te gjysmë të vërtetat. Ai i përmend problemet thelbësore, por propozon zgjidhjet më të këqija.
Ndër problemet thelbësore që ngre dokumenti janë këto:
Evropa përfaqëson një pjesë gjithnjë e më të vogël të ekonomisë botërore, sidomos në industritë e së ardhmes: ku janë homologët evropianë të Nvidia-s, Microsoft-it, Meta-s, SpaceX-it, Amazon-it apo Apple-it?
Migracioni, në vetvete, nuk është problem; përkundrazi, është një ilaç për rënien dramatike të lindshmërisë në botën e pasur. Por migracioni pa integrim është një mallkim, sidomos kur vlerat e migrantëve janë shpërfillëse ose armiqësore ndaj atyre të vendit pritës.
Ushtritë e vogla mund të rriten duke ndryshuar prioritetet buxhetore. Por elementi kyç për sukses ushtarak nuk është paraja; është vullneti për të luftuar. Përveç vendeve kufitare si Finlanda dhe Estonia, Evropa duket se nuk e ka këtë vullnet.
Ish-sekretari i bujqësisë i Richard Nixonit dhe Gerald Fordit, Earl Butz, dikur ka thënë për një deklaratë papnore mbi kontrollin e lindjeve (edhe pse në një version më vulgar): “Nëse nuk luan në lojë, nuk mund të bësh rregullat.” Në këtë pozitë rrezikon të gjendet Evropa në një botë të fuqive të pamëshirshme.
Të gjitha këto duhet të shërbejnë si një alarm i fortë, veçanërisht për pjesë të klasave politike evropiane që ende mendojnë se punojnë për të realizuar fantazi. Nuk është kështu. Detyra e tyre është të mbajnë larg makthet. Politika evropiane e këtij shekulli është endur kryesisht rreth klisheve që vrasin rritjen (“zhvillimi i qëndrueshëm”), gjesteve të pafuqishme në politikën e jashtme (njohja e një shteti palestinez që nuk ekziston), politikave mjedisore vetëshkatërruese (si mbyllja e centraleve bërthamore në Gjermani) dhe një qëndrimi moralizues ndaj migracionit masiv (“We can manage this” thoshte Angela Merkel), që është arsyeja kryesore pse parti me frymë fashiste si AfD po rriten në sondazhe.
Çfarë duhet të vijë në vend të tyre? Duhet riarmatim në shkallë të gjerë, ndërprerja e projekteve të energjisë së gjelbër që krijojnë varësi dhe rrisin kostot, politikë migracioni sipas modelit danez: më e ashpër mbi atë se kush hyn, kush largohet dhe çfarë duhet të bëjnë migrantët për t’u integruar, rikthimi te misioni origjinal dhe fisnik i BE-së: hapja e tregjeve dhe nxitja e konkurrencës, jo prodhimi i pafund i rregullave.
Mbi të gjitha, duhet një revolucion qytetar, një transformim që i bind europianët e rinj se trashëgimia e tyre, kultura dhe mënyra e tyre e jetesës, një qytetërim thelbësisht i krishterë, i zbutur dhe i përmirësuar nga vlerat e Iluminizmit, por jo i fshirë prej tyre, ia vlen të mbrohet.
Nuk është qytetërimi im, padyshim, dhe edhe ta shkruaj këtë duket si tejkalim normash. Por duhet të jetë e vetëkuptueshme. Sepse nëse Evropa nuk është kjo, atëherë çfarë është? Nëse nuk është kjo, pse do të luftonte dikush për të? Nëse nuk është kjo, çfarë e pengon të shndërrohet thjesht në një zgjatim të një qytetërimi tjetër, qoftë atij amerikan, rus apo islamik?
Henry Kissinger dikur tha për Donald Trump se ai “mund të jetë një nga ato figura të historisë që shfaqen herë pas here për të shënuar fundin e një epoke dhe për ta detyruar atë të braktisë iluzionet e vjetra.”
Ka arsye të mira për ta vajtuar këtë, sidomos në Evropë. Por nuk ka asnjë arsye të shtiremi se nuk po ndodh, apo të dështojmë për t’u përshtatur.



