Ekonomi

EKONOMI / 2014, viti kur Kina parakalon Amerikën?

kina kaloi ameriken1Brenda vitit 2014, Kina mund të parakalojë Shtetet e Bashkuara dhe të bëhet fuqia e parë ekonomike e botës. Parakalimi ishte parashikuar për në vitin 2019, por përshpejtimi i rritjes ekonomike kineze, bashkë me ngadalësimin e asaj të SHBA, mund të afrojë me pesë vite një dorëzim të stafetës që shndërrohet simboli statistikor i ndryshimit të një epoke. Uashingtoni e ruan parësinë ekonomike që nga viti 1872, vit kur e mori nga Britania e Madhe. Nëse 1800 ishte shekulli i kolonializmit dhe kurorës angleze dhe 1900 shekulli i dollarit dhe i demokracisë amerikane, 2000 konfirmohet si shekulli i juanit dhe autoritarizmit të tregut kinez.

Për herë të parë, ajo që do të drejtojë ekonominë botërore do të jetë një fuqi komuniste që mbështetet mbi një kapitalizëm shtetëror, por gjithësesi një komb në zhvillim e sipër, dhe me të ardhura për frymë ndër më të ulëtat e planetit.

Këtë parakalim e ka paralajmëruar një studim i Programit të Krahasueshmërisë Ndërkombëtare të Bankës Botërore. Por, të dhënat tregojnë që superfuqisë më të pasur të botës i korresopondon një prej popujve më të varfër. Një efekt i paprecedentë për modelet matematikorë. Për herë të parë, analistët kanë vlerësuar koston reale të jetës, duke e zëvendësuar me normën e këmbimit dhe duke e përshtatur pas vitit 2005. Ka rezultuar që në 2012-ën, GDP i Kinës ka qenë afërsisht 8.2 miliardë dollarë, kundrejt 16.2 miliardë dollarë që ka qenë ai i SHBA. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson që në katërvjeçarin 2011-2014, rritja ekonomike e Pekinit do të jetë 24%, krahasuar me 7.6% në Uashington. Pra, është ndryshimi në shpejtësinë e rritjes ekonomike që ka projektuar Kinën në vendin e parë për nga vëllimi tërësor i pasurisë. Megjithatë, statura e re globale e Kinës nuk pasqyron realitetin e brendshëm atje. Ajo që tregjet që tani e konsiderojnë ekonomia e parë e planetit, ka një të ardhur mesatare vjetore për frymë prej afro 2 mijë euro, gjë që e vendos të 110-ën në botë. Në zonat rurale fitohen një mijë euro në vit, një e treta e të ardhurave në qytete, 26 herë më pak se sa mesatarja në SHBA. Pra, sasisë totale të pasurisë nuk i korrespondon cilësia reale e jetesës, që sheh të rritet tej mase hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.

Vlerësimet e Bankës Botërore mund të përgënjeshtrohen nga faktet. Në dekadën e artë 1998-2008, rritja ekonomike kineze është mbajtur mbi 10%. Kriza financiare në SHBA dhe Europë, me rënien e konsumit, ka tërhequr një sistem të bazuar mbi eksportet me kosto të ulët. Në vitin 2013, rritja e GDP është ndalur tek 7.7 përqindëshi, pothuajse sa gjysma e vitit 2006 dhe më e ulëta në një dekadë. Për këtë vit, Pekini e ka fiksuar objektivin tek 7.5%, por në tremujorin e parë është ndalur në 7.4%. Kështu, Kina mund të mos arrijë parakalimin e SHBA, apo ta arrijë objektivin mu në mes të krizës së modelit të saj të zhvillimit. Pekinin e inkurajojnë dy arritjet e mëdha të vitit që kaloi. Pas më shumë se një shekulli është rikthyer të jetë tregu i parë botëror i tregtisë, me një vëllim të mallrave të eksportuar me vlerë 4160 miliardë dollarë. Dhe në tetor, juani u bë monedha e dytë globale për transaksionet financiarë, pas dollarit. Parakalimi i pritshëm Pekin-Uashington shërben për të përcaktuar peshën e re të ekonomive dhe tregjeve në zhvillim, ekuilibrat e ndryshuar në brendësi të organizatave ndërkombëtare, nga FMN tek BB. Mbetet i pakrahasueshëm niveli real i jetesës, me botën e pasur që zotëron 50% të GDP global dhe 17% të popullsisë. Një sfidë për drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut që Kina, në dekadën e ardhshme, pa reforma të thella vështirë se do e fitojë. (GIAMPAOLO VISETTI/La Repubblica)

Leave a Reply

Back to top button