Ekonomi

EKONOMI / Euro e “Luftës së Ftohtë”. Përse është rrezik për Europën

Melvyn Krauss

rreziku EuroKur shpërtheu kriza në Ukrainë, të shumtë ishin ata që menduan se Euro do të zhvlerësohej. Në fakt ka ndodhur e kundërta: Euro është forcuar, dhe një prej arsyeve kryesore është se monedha e përbashkët është shndërruar në një “strehë të sigurtë” për paratë e aseteve ruse. Duket qartë se rusët mendojnë që paratë e tyre janë më të sigurta në Euro, se sa në dollarë amerikanë.

Ky nuk është lajm aspak i mirë për Europën, pasi nënkupton një shtrëngim të politikës monetare të eurozonës, në një kohë kur Europa po vuan prej inflacionit shumë të ulët dhe rritjes ekonomike të ngadaltë. Në këto rrethana, as edhe një zë i përgjegjshëm në Gjermani – apo gjetkë – nuk po bën thirrje që Banka Qendrore Europiane të shtrëngojë politikën e vet monetare. E megjithatë, një shtrëngim i padëshiruar dhe i paparalajmëruar është pikërisht çfarë do të ndodhë, nëse autoriteti monetar nuk do të mund të kompensojë këtë forcim të Euros me një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare.

E vetmja gjë që “mban nën fre” Euron për momentin duket se është paralajmërimi i presidentit të BQE, Mario Draghi, për me forcimin e monedhës europiane. Dhe nuk mund të jemi të sigurtë se sa kohë do të mbajnë këta “frerë”. Sigurisht që do të këputen nëse do të ketë sanksione të mëtejshëm të Perëndimit, ndaj provokimeve të Vladimir Putinit në Ukrainë.

Gjermanët, dhe Bundesbanku, duhet që të mbështeëin një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, qoftë edhe sepse nuk do të donin të shihnin sanksionet e reja kundër Rusisë, të “vrasin” eksportet gjermanë jashtë Europës.

Një lehtësim i mëtejshëm i politikës monetare do të ndihmonte gjithashtu parandalimin e krijimit të një hendeku mes Europës dhe SHBA, në lidhje me çështjen e shtimit të sanksioneve. Kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme për Gjermaninë, e cila po mban pjesën më të madhe të barrës së kritikave të SHBA ndaj Europës, se kjo (Europa) po tregohet shumë e butë me Moskën.

Gjermania mund të përballonte një ashpërsim të sanksioneve, nëse do të kishte besim se eksportet e saj jashtë Europës nuk do të penalizoheshin prej parave që dalin nga Rusia dhe konvertohen në Euro, sepse e shohin si monedhë të sigurtë. Ndërkohë që lehtësimi i politikës monetare në Europë nuk mund të neutralizojë efektin e varësisë tregtare të Gjermanisë nga Rusia, ai me siguri që do të ndihmonte për kompensimin e efektit të forcimit të Euros, që shkaktohet rritjes së kërkesës për këtë monedhë nga rusët.

Fatmirësisht, situata e brendshme ekonomike e Gjermanisë dhe bashkëpunimi më i ngushtë gjeopolitik me SHBA, janë në harmoni sa i përket çështjes së një lehtësimi të mëtejshëm monetar. Teprica buxhetore e Gjermanisë u tkurr në 13.9 miliardë Euro në muajin shkurt, nga 15.2 miliardë që ishte në janar. Eksportet e Gejrmanisë ranë me 1.3 përqind në shkurt, në krahasim me janarin, pasi kishin pësuar një rritje 2.2% në janar, krahasuar me dhjetorin.

Inflacioni i ulët po ndihet edhe në Gjermani. Indeksi i çmimeve të prodhimit në Gjermani ka pësuar ulje të njëpasnjëshme për tetë muaj rresht. Në prill, indeksi i çmimeve të konsumatorit në Gjermani u rrit me 1.1% në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që parashikimi kishte qenë për një rritje 1.3%. Këto janë shifra që duhet ta bëjnë Gjermaninë disi më “miqësore” ndaj idesë së një lehtësimi të regjimit monetar në Frankfurt.

Gjermanët po mësojnë që nuk është e kollajtë të kesh një monedhë që shërben si strehë e sigurtë. Ndërkohë që priten provokime të mëtejshëm nga Moska e si pasojë edhe forcim i sanksioneve, Euro duket e prirur të bëjë një tjetër kërcim, gjë që do të rikthente në gjunjë Gjermaninë dhe pjesën tjetër të Eurozonës.

Euro e “Luftës së Ftohtë” është shndërruar tashmë në një rrezik të vërtetë për rritjen ekonomike në Europë. Përse duhet pritur? Takimi i të enjtes në Bruksel është koha ideale për të shpalur një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Europiane. (Wall Street Journal)

Krauss është profesor në Institutin Hoover të Universitetit të Stanfordit

 

Leave a Reply

Back to top button