Ekonomi

EKONOMI / George Soros: Kriza nuk ka marrë fund

George SorosPjesë nga libri-intervistë i financierit George Soros, me gazetarin Gregor Peter Schmitz, me titull: “Të shpëtojmë Europën”

Z. Soros, në fakt për Euron më e keqja duket se është lënë pas. Irlanda e ka lënë tashmë Mekanizmin Europian të Stabilitetit, Greqia duket se do të paraqesë një bilanc në ekuilibër, shtetet e tjerë në krizë kanë nisur reforma masive strukturore dhe Euro, ndryshe nga sa druheshim, nuk pësoi kolaps, madje përkundrazi, po rritet.

Soros: Ju më dukeni një optimist i pakorrigjueshëm. Strukturës së gabuar nuk i është bërë ende asnjë ndryshim. Gjermania është i vetmi shtet që mund të nisë një ndryshim politik të drejtimit, por deri tani është shprehur kundër. Për sa kohë që asgjë nuk do të ndryshojë nga këndvështrimi strukturor, atëherë kriza e euros nuk është kapërcyer ende. Në tregjet financiarë ka një qetësi relative, falë ndërhyrjes vendimtare të Bankës Qendrore Europiane dhe kreut të saj, Mario Draghi. Megjithatë, shtetet europianë në krizë vazhdojnë të qëndrojnë mbi malin e tyre të borxheve, dhe në të ardhmen e afërt nuk kanë asnjë mundësi që të jenë konkurues, si veriu i kontinentit. Shikoni me kujdes, pas shumë kursimeve, Greqia mund të paraqesë një bilanc me një tepricë të vogël, por kjo nëse innjorohen të gjithë pagesat shkatërrimtare të interesave. Që do të thotë që ky vend nuk do të arrijë asnjëherë të paguajë borxhet, këtë e dinë të gjithë. Veç kësaj, nëse euro do të vazhdojë ngjitjen, proceset e nevojshëm të përshtatjes në brendësi të zonës së monedhës së përbashkët do të bëhen edhe më të vështirë.

Sepse eksportet e tyre do të bëheshin më të kushtueshëm?

Pikërisht. Shtetet në krizë do të ishin sërish më pak konkurrues. Kështu që, shteteve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të ulin kostot e tyre në mënyrë kaq radikale, saqë do të ishte e paimagjinueshme. Veç nës qoftë se Gjermania redukton në fund tepricën e saj tregtare, apo që kërkesa e brendshme në shumë vende europianë të forcohet prej reformave, si për shembull një sigurim europian kundër papunësisë. Dhe në këtë drejtim unë nuk shoh asnjë lloj sinjali. Volfgang Muenchau e ka sintetizuar mjaft mirë kohët e fundit tek “Financial Times”, kur ka shkruajtur: “Në brendësi të politikave që janë duke u ndjekur aktualisht, unë nuk shoh një plan të realizueshëm, në bazë të të cilit eurozona do të mund t’ia dilte mbanë në sfidën e dyfishtë të ekuilibrit ekonomik, dhe qëndrueshmërisë në pagimin e borxheve. Sa kohë që nuk ekziston një plan i tillë, kriza nuk ka kaluar.

Ju e ekzagjeroni, debatet nuk kanë mbaruar: politikanët gjermanë flasin sot për reduktime të borxheve dhe kanë imponuar, në disa shtete, masat e tyre të ngurta të kursimit.

Po, sigurisht, Gjermania nuk i mban më këta shtete me kokën nën ujë, u lë pak mundësi frymëmarrjeje. Ndoshta nuk jemi më përpara një krize të rëndë financiare, edhe pse nuk mund ta përjashtoj. Por jam i sigurtë se duhet të përgatitemi për kriza të reja e të dhunshme politike në Europë.

Cfarë doni të thoni?

Nëse sondazhet kanë të drejtë, në parlamentin e ardhshëm europian mund të hyjnë deri një e treta, deputetë të partive radikale antieuropiane, të majta ose të djathta. Nuk besoj se këto forca do të mund të zotërojnë parlamentin, por jam shumë i shqetësuar se si prania e tyre do të influencojë të ashtuquajturën shumicë proeuropiane në Bruksel dhe në Strasburg.

Kjo të kujton rolin e lëvizjes radikale Tea Party në Kongresin e SHBA. Nuk është shumicë, por ndikon në mënyrë të vazhdueshme debatet politikë, sepse republikanët i druhen influencës së tyre.

Kemi mundur të eksperimentojmë tashmë diçka të tillë në diskutimet mbi politikën europiane në çështjen e strehimit të imigrantëve, pas dramës së refugjatëve në Lampeduzë. Të tërheqësh vëmendjen për absurditetin e normativës për personat që vijnë nga vendet e botës së tretë është një qasje më liberale kundrejt refugjatëve, dhe me sa duket, për momentin një tabu, sepse sipas shpjegimit të politikanëve do të sillte më shumë vota për partitë ekstremiste. Dhe as nuk dua të përmend reagimet që shkaktohen kur kërkohet për shembull një trajtim më njerëzor i romëve, që janë të përhapur në gjithë Europën. Kemi nevojë për një lëvizje proeuropiane, për të kapërcyer më së fundi këtë hendek mendor.

Po kush mund ta formojë një aleancë të tillë?

Nuk e di, vazhdoj të kërkoj njerëzit e duhur.

Për zgjedhjet europiane, blloqet kryesorë kanë emëruar tashmë kryekandidatët e tyre, që më pas do të duhet të garojnë për postin e presidentit të Komisionit. Martin Schulz, socialdemokrat gjerman paraqitet si kandidat i socialistëve europianë. A pritet më shumë transparencë demokratike nga ky proces?

Po, pres më shumë transparencë, edhe sepse kam shumë konsideratë për Schulzin. Eshtë shumë më europian se sa shumica e politikanëve gjermanë. Nëse ai bëhet president i komisionit, kjo do të ishte një prej të paktave pasoja pozitive të Koalicionit të Madh në Gjermani.

Sepse në Europë do të perceptohej si “gjermani tjetër”, për t’iu kundërvënë pra Angela Merkelit?

Mendoj vërtetë që është një gjerman i ndryshëm, dhe duket se kancelarja Merkel nuk do të ishte në gjendje ta ndalte, nëse ai do të siguronte votat e nevojshme. Kjo do të kishte dhe një tjetër efekt anësor pozitiv: nëse një gjerman do të ishte në krye edhe të Komisionit Europian, atëherë Unioni do të ishte zyrtarisht një koloni gjermane. Kështu që, për të parandaluar frustrimet, Berlini do të duhej të zbuste linjën e tij të ashpër të kursimeve.

Leave a Reply

Back to top button