Ekonomi

EKONOMI / Ideja e gabuar për oligarkinë, ose si luftohet vërtetë pabarazia

the oligarchy fallacyJeffrey Frankel

Profesor në Harvard University’s Kennedy School of Government, ish anëtar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit Clinton

Pabarazia e të ardhurave ka fituar shumë vëmendje kohët e fundit, sidomos në dy arena ku më parë kishte pak vëmendje: debati publik amerikan dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një arsye kryesore është shqetësimi në SHBA se pabarazia e të ardhurave është rikthyer në ekstremet e Epokës së praruar. Por pabarazia është rritur dhe në shumë pjesë të tjera të botës, dhe mbetet e lartë në Amerikën latine.

Cfarë kemi mësuar deri tani? Ndoshta më interesante për debatin aktual është se pjesa më e madhe e vëmendjes është fokusuar në pasojat e pabarazisë, përtej efektit të saj mbi mirëqenien e tëvarfërve.

Një debat i tillë nis nga hipoteza se pabarazia është e keqe për rritjen ekonomike në përgjithësi. Një tjetër nis me pikëpamjen që pabarazia shkakton luhatshmëri dhe paqëndrueshmëri. Për shembull, a krijoi pabarazia krizën e huave të vitit 2007 dhe krizën financiare globale të vitit 2008?

Një ide e tretë është që pabarazia përkthehet në zili dhe mungesë lumturie: dikush, që në një moment të caktuar do të kish qenë i lumtur, tashmë është i palumtur nëse zbulon se të tjerët po fitojnë më shumë. Një version bindës i këtij pohimi thotë se drejtuesit më të lartë të bankave dhe kompanive kërkojnë dhe marrin kompensime të mëdhenj jo sepse e vlerësojnë kaq shumë paranë, por sepse konkurrojnë me njëri-tjetrin për status.

Një shqetësim i katërt duket se ua kalon edhe tre të parëve. Eshtë frika se, për shkak se ka kaq shumë para në politikë, të pasurit ia dalin që bindin qeveritë të adoptojnë politika që i favorizojnë ata si klasë. Ndërkohë që tre burimet e parë të shqetësimit janë të përshtatshëm për vetëkorrigjim, të paktën në një demokraci, përqëndrimi i pushtit ekonomik dhe politik tek një oligarki është vetëpërforcues. Në SHBA, vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë në lidhje me kontributet financiarë në fushatat elektorale tregojnë se ndikimi i parasë në politikë vetëm do të rritet.

Por ndjekja e argumentit të antioligarkisë nuk është mënyra më e mirë për të reduktuar pabarazinë. Në vend të kësaj, ne duhet të punojmë nisur nga ideja që varfëria është e vecantë dhe pabarazia në përgjithësi është thjeshtë e padëshirueshme. Edhe në SHBA, shumica e votuesve shqetësohen për pabarazinë, dhe edhe mes atyre 1 % që kanë të ardhurat më të lerta, dy të tretat besojnë se diferenca në të ardhura është shumë e madhe dhe ata mbështesin taksimin progresiv. Shumica e amerikanëve besojnë në ndihmën e atyre që kanë më pak fat, me kusht që kjo të arrihet pa dëmtuar eficencën ekonomike përmes ndërhyrjes së tepruar të qeverisë, apo shtrembërimit të stimujve.

Problemi është që, pavarësisht interesit të tyre ekonomik vetiak, shpesh here votuesit zgjedhin, dhe rizgjedhin, politikanë që miratojnë ligje jo në përputhje me këta objektiva. Për shembull, 10 vjet më parë, udhëheqësit e zgjedhur të Amerikës, në një farë mënyre e mashtruan votuesin mesatar duke e bërë të besojë që ishte e domosdoshme të eleminohej taksa për pronat me vlerë 5 milionë dollarë, me qëllim që të mbroheshin fermat e vogla familjare.

Me fjalë të tjera, problemi nuk është që votuesi mesatar nuk është i gatshëm të shkëmbejë rritjen ekonomike me më shumë barazi. Problemi është se procesi politik prodhon rezultate që sjellin edhe më pak rritje ekonomike, edhe më pak barazi.

Për SHBA, masat më të ndjeshme përfshijnë ekspansionin e taksës mbi të ardhurat e fituara, eleminimin e taksave mbi pagat për punëtorët me paga të ulëta, një ulje e përjashtimit nga taksat për taksapaguesit me të ardhura të larta, si dhe rivendosja e taksave më të larta për trashëgiminë. Janë politika që e reduktojnë në mënyrë eficiente pabarazinë, me një kosto relativisht të ulët për të ardhruat agregate. Politika të tjera – përfshirë arsimin universal parashkollor dhe kujdesin shëndetësor universal – mund të nxisin madje rritje ekonomike ndërkohë që reduktojnë pabarazinë, sidomos nëse financohen prej masave që rrisin eficencën, si për shembull eleminimi i subvencioneve për lëndët djegëse (dhe mundësisht zëvendësimi i tyre me një taksë).

 

 

 

 

 

Ndërkohë, shumë programe qeveritarë që janë miratuar simënyra për të përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave sjellin relativisht shumë pak dobi për të varfërit dhe dëmtojnë eficencën ekonomike. Arsyeja fillestare për subvencionet në bujqësi ishte kryesisht të ndihmoheshin fermerët e vegjël, por prej një kohe të gjatë, përfituesi kryesor ka qenë agrobiznesi. Subvencionet për hipotekat shkaktuan krizën e huave, pa i ndihmuar fare madje familjet me të ardhura të ulëta. E megjithatë, shumë amerikanë binden të mbështesin politika të tilla, jo sepse është në interesin e tyre, por sepse nuk kuptojnë ekonominë e këtyre masave.

Vende të tjerë kanë programe të ngjashëm që shiten si probarazisë, por që janë joeficientë, madje edhe dëmtojnë objektivin e shpallur. Në vendet në zhvillim, masat shtrembëruese që taksojnë, subvencionojnë apo rregullojnë cmimet e ushqimit dhe energjisë kanë prirjen të jene mjete të dobët për përmirësimin e shpërndarjes së të ardhurave, dhe shpesh herë kanë efektin e kundërt. Nga më shumë se 400 miliardë dollarët që shtetet paguajnë për subvencione për lëndët djegëse cdo vit, për shembull, shumë më pak se 20% e përfitimeve shkojnë tek 20 përqindëshi më i varfër i popullsisë. Një pjesë e vogël e shpenzimeve socialë shkojnë tek 40 përqind e më të varfërve. Ndërkohë, transfertat e kushtëzuara të parave kanë rezultuar shumë efektive: ato mbërrijnë tek të varfërit, ndërkohë që promovojnë arsimin dhe shëndetësinë.

Pretendimi i argumentit antioligarki është se të pasurit kanë shumë para, që i përdorin për të zgjedhur politikanë që do të miratojnë ligje në favor të interesave të tyre. Por është më mirë të argumentojmë për politikat më të mira për të përmirësuarme eficencë shpërndarjen e të ardhurave, si dhe të nxjerrim në dukje se cilët politikanë i mbështesin ato. Për shembull: “Po taksave mbi fitimin dhe Po arsimit universal parashkollor”, “Jo” subvencioneve për naftën, bujqësinë…”

Alternativa ndaj nëj angazhimi të tillë është nëj strategji shumë gjithëpërfshirëse me politika shumë më të forta që do të dobësonin aftësinë e të pasurve për të blerë vota. Sado i rëndësishëm mund të jetë ky objektiv, arritja e tij kërkon reduktim të asaj pjese të të ardhurave që shkon tek të pasurit, duke adresuar problemin e pabarazisë, që nga ana e vet kërkon ndjekjen e politikave probarazisë. A është ankimi për oligarkinë një strategji më efektive për arritjen e këtyre politikave, se sa argumentimi për vënien e tyre në zbatim në mënyrë të drejtpërdrejtë?

http://www.project-syndicate.org/commentary/jeffrey-frankel-argues-that-attacking-the-ultra-rich-is-an-inefficient-way-to-reduce-inequality#cmUEc5vcZRodvF4w.99

Leave a Reply

Back to top button