Ekonomi

EKONOMI / Rreziku në luftën e kulturave të Europës

Simon Nixon

ECB injects 489 billion euros into financial systemNë qendër të eurokrizës ka qenë një luftë kulturash, e zhvilluar si brenda shteteve, ashtu edhe ndërmjet tyre. Kjo luftë e kulturave nuk ka mbërritur në një fazë vendimtare. Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, pasojat do të bëhen të qarta dhe do të kenë një shtrirje të gjere.

Ndarja është mes kulturës së sektorit privat, që beson se rritja ekonomike e qëndrueshme varet nga eksportet dhe investimet, e si pasojë e vë theksin në politika që garantojnë tregje të hapur dhe konkurues si dhe forcë punëtore fleksibël, dhe, nga ana tjetër, një kulture të sektorit publik dhe sindikatave që besojnë se rritja ekonomike varet nga futja e më shumë parave në xhepat e njerëzve, dhe kështu favorizojnë politikat Keinesiane të fuqizimit të kërkesës, duke rritur shpenzimet qeveritare dhe nxitur huamarrjen, si dhe duke mbrojtur vendet e punës dhe rritur pagat.

Të dy kulturat ekzistojnë brenda çdo shteti. Por është mbresëlënëse të shikosh që, në ata shtete ku dominon kultura e sektorit privat, rritja ekonomike aktualisht është më e fortë.

Irlanda, për shembull, po shijon një rimëkëmbje të spikatur: Ekonomia e saj parashikohet të rritet me 1.7% këtë vit dhe 3% vitin tjetër, dhe tani huamarrjet në banka si dhe çmimet e banesave po rriten sërish. Po kështu, Mbretëria e Bashkuar pritet të ketë një rritje 3.1% këtë vit dhe papunësia ka rënë në 6.8%. Performanca e shkëlqyer e Gjermanisë gjatë 5 viteve të fundit reflekton reformat e rrepta në shpenzimet publike dhe tregun e punës, në dekadën e mëparshme. Edhe shtetet balltike kanë një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ndryshe nga këta, në vendet ku dominon kultura e sektorit publik, rritja ekonomike është më e ngadaltë. Franca ka kompani të klasit botëror, një bazë industriale të fortë, dhe produktivitet të lartë. Por qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë qenë në gjendje të ndalin humbjen e konkurueshmërisë që shkaktohet prej taksave dhe shpenzimeve publikë të fryrë, ngurtërisë së tregjeve të punës dhe të produkteve, dhe pagave relative të larta.

Italia vuan nga probleme të ngjashëm, ndërkohë që kësaj i shtohet edhe barra e një administrate publike jofunksionale, një sistemi gjyqësor problematik dhe nivelet e lartë të korrupsionit dhe evazionit fiskal. Këta dy vende, që së bashku kanë pothuajse gjysmën e GDP-së së Eurozonës, parashikohet të kenë një rritje vetëm 1% dhe 0.6% respektivisht për këtë vit, duke dëmtuar kështu perspektivën e të gjithë bllokut.

Megjithëkëtë, eurokriza ka detyruar shumicën e qeverive që të ndërmarrin reforma që fuqizojnë ofertën – madje edhe ata vende ku dominon kultura e sektorit publik. Kjo ndodh sepse ka patur pak alternativa në anën e kërkesës: shumica e këtyre vendeve janë shumë thellë të zhytur në borxhe për të ndjekur politika fiskale ekspansioniste dhe sido që të jetë, janë të detyruar të zbatojnë rregullat e rrepta të eurozonës. Ata nuk kanë qenë gjithashtu në gjendje që të detyrojnë Bankën Qendrore Europiane që të ndjekë politika monetare më ekspansioniste.

E vërteta është që ata vende dikur në krizë, që kanë ecur më përpara me reformat, tashmë po shohin përfitimet. Në Spanjë, Portugali dhe Greqi, vende që kanë ndërmarë hapa të rëndësishëm për t’i bërë më fleksibël tregjet e punës dhe të produkteve, rritja ekonomike këtë vit mund të jetë 1.1%, 1.2% dhe 0.6% respektivisht, e ndihmuar nga rritja e eksporteve dhe rënia e çmimeve, gjë që ka ndihmuar në rritjen e fuqisë blerëse të familjarëve. Kjo rimëkëmbje i ka lehtësuar disi frikërat dhe ka rritur besimin. Eshtë një rreth vicioz. Edhe Franca dhe Italia kanë tashmë qeveri të angazhuara për të kryer reforma.

Por është shumë herët për të shpallur triumfin e mbështetësve të ofertës. Ka shenja lodhjeje nga reformat në shumë vende dhe ngjarjet e fundit tregojnë se kultura e sektorit publik po rikthehet.

Për shembull Portugalia, ku Gjykata Kushtetuese javën që kaloi u bë palë me opozitën për të penguar edhe një herë përpjekjet e qeverisë për të ulur kostot e administratës publike, duke sugjeruar që taksat duhet të rriten. Zyrtarët e Bashkimit Europian ruhen se kjo rrezikon të fusë Portugalinë në një instabilitet politik, pikërisht në momentin kur shtë duke dalë nga programi i shpëtimit.

Ose Greqia, ku javën që kaloi qeveria largoi kreun e administratës së pavarur të tatimeve. Athina këmbëngul se kjo reflekton shqetësimet për aftësinë e tij, në vijim të një serie gjykimesh të gabuar. Por zyrtarë të BE-së dyshojnë se ka ndërhyrje politike – në fakt, hapat më të gabuar të tij duket se kanë qenë investigimi me zell të tepruar i pensioneve dhe bllokimi i përjashtimeve nga taksat për policët gjatë një fushate elektorale. Kjo është shqetësuese, sepse besueshmëria e institucioneve të Greqisë është jetike për të tërhequr investime të huaja.

Edhe angazhimi i Spanjës për reforma po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje: Ajo që ka munguar është një përpjekje serioze për të ribërë sistemin e saj kompleks të administratës publike, që vazhdon të jetë një pengesë për realizimin e reformave si dhe një barrë për financat publike. Me zgjedhjet e parashikuara në 2015-ën, liderët e biznesit në Spanjë druhen se hapësira për reforma po ngushtohet me shpejtësi.

Sa për programet e reformave në Francë dhe Itali, për momentin janë më shumë retorikë se sa realë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi javën e kaluar Francën, për mungesë hollësish në planin e propozuar të uljes së shpenzimeve; një pjesë e madhe duket se janë thjeshtë ngrirje të pagave, dhe me vetëm 27 mijë vende pune që ikin nga administrata publike. Në Itali, programi i Matteo Renzit duket se ka ngecur në rërë. Një reformë e tregut të punës që u paralajmërua me shumë bujë, tani është “holluar” pak si shumë. Mbtetet të shihet në suksesi i partisë së tij në zgjedhjet europiane, do të rigjallërojë përpjekjet e Renzit.

Kjo ka rëndësi, sepse nëse humbet vrulli i reformave në Eurozonë dhe rimëkëmbja ngec, trysnia për një reagim që fuqizon kërkesën do të rritet. Por, eurozona nuk është për momentin në gjendje të ofrojë një reagim të tillë pa ndryshime të thellë në rregullat e angazhimit, dhe si pasojë edhe në vetë natyrën e unionit monetar. Dhe janë pikërisht këta dy tensione në qendër të dy debateve më të mëdhenj të agjendës së tij.

Debati se kush do të jetë lideri i Komisionit Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, vë përballë ata që besojnë se BE duhet të jetë një lidhje shtetesh kombë të vetëqeverisur, kundër atyre që besojnë se BE duhet të zhvillohet në një sistem federal, me një hapësirë më të madhe manovrimi për të ndjekur më shumë politika fiskale ekspansioniste.

Si Franca, edhe Italia kanë bërë të ditur se do të kërkojnë që komisioni i ardhshëm europian t’i lehtësojë disi rregullat për buxhetin e vendeve të BE.

Po kështu, debati për reagimin e Bankës Qendrore Europiane ndaj inflacionit të ulët në eurozonë vë përballë ata që besojnë se BQE duhet të angazhohet në printim kartëmonedhash, kundër atyre që besojnë se BQE duhet të marrë përsipër borxhet e anëtarëve të eurozonës.

Javën që kaloi, Banka Qendrore Europiane shpalli një paketë masash që tingëllonin mbresëlënëse por në realitet ishin menduar të fitonin kohë, me shpresën që reformat më në fund do të sjellin rritje të mjaftueshme ekonomike për ta cliruar BQE-në nga barra e marrjes së njërës anë, apo tjetrës.

Përfundimi i këtyre debateve do të përcaktojë edhe se kush do të fitojë në fund luftën e kulturave në Europë. /The Wall Street Journal/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button