Ekonomi

EKONOMI / Thomas Piketty: Pabarazia ekstreme është “tërësisht e padobishme”

Thomas PIkettyNë librin e tij të fundit, Thomas Piketty, ekonomisti francez që “dha një dorë” në popullarizimin e nocionit të 1 përqindëshit, jep një paralajmërim të zymtë: Ekonomia e SHBA ka filluar të kalbet e të bëhet si Europa aristokratike e shekullit 19. Puna do të ketë më pak rëndësi, pasuria e trashëguar më shumë. Pasuria në duart e pak njerëzve do të lëkundë themelet e demokracisë.

Studimi që Piketty e parashtron në librin e tij “Kapitali në shekullin 21”, “i ka vënë flakën” fushës së ekonomisë. Mbështetësit e citojnë veprën e tij, si provë që hendeku i pasurisë duhet të ngushtohet. Kritikët e shpërfillin duke e quajtur thjeshtë një ideolog të majtë.

Duke gërrmuar në 300 vite të dhënash ekonomike, rregjistrash taksash, romanesh të shekullit 19 dhe shfaqjesh televizive moderne, Piketty sfidon supozimin që tregjet e lirë e shpërndajnë në mënyrë automatike pasurinë. E vërteta është, shkruan ai, se të pasurit do të pasurohen më shumë, dhe të gjithë të tjerët do ta kenë pothuajse të pamundur të ecin me të njëjtin ritëm.

Investimet në aksione, bono, troje dhe ndërtesa – “kapitali” në librin e tij – pothuajse gjithmonë rriten më shpejt se sa pagat e njerëzve. Për nga vetë natyra e tij, kapitalizmi nxit pabarazinë dhe mund të destabilizojë demokracitë, argumenton Piketty.

Ekonomistët dikur i shihnin tre dekadat pas Luftës së Dytë Botërore si provë të aftësisë së kapitalizmit për të ndërtuar dhe shpërndarë pasurinë. Piketty kundërpërgjigjet duke thënë se ajo periudhë ishte thjeshtë një përjashtim historik, një rezultat i dy luftërave botërore dhe Depresionit të Madh, të cilët “sheshuan” pasurinë e establishmentit të vjetër.

Në vitin 2012, 1 përqindëshi më i pasur i familjeve amerikane mori 22.5 % të të ardhurave të vendit, shifra më e lartë kjo që nga viti 1928. Piketty mendon se rritja e taksave mbi pasurinë mund të frenojë përhapjen e pabarazisë. Ai mendon gjithashtu se dërgimi i më shumë njerëzve në kolegj mund të ndihmojë për të ndalur “spiralen pabarazitiste”. Në një intervistë të dhënë për agjencinë The Associated Press Piketty parashtron idetë e tij për “iluzionin e rrezikshëm” të meritokracisë, përse Kina fajësohet pa të drejtë për pagat e sheshta në SHBA dhe mendimin e tij për kufizimin e pabarazisë.

Cili është impakti i rritjes së hendekut të pasurisë?

Problemi kryesor për mua është funksionimi i duhur i institucioneve tanë demokratikë. Thjeshtë nuk ka pajtueshshmëri me një lloj ekstrem oligarkie, ku 90 përqind e pasurisë i përket një grupi shumë të vogël. Ideali demokratik ka qenë gjithmonë i lidhur me një nivel të moderuar pabarazie. Unë mendoj se një prej arsyeve të mëdha përse demokracia elektorale lulëzoi në Amerikën e shekullit 19 më mirë se sa në Europën e shekullit 19, është se në Amerikë kishte një shpërndarje më të barabartë të pasurisë.

Studimi juaj tregon se fitimet nga investimet – kapitali – rriten më shpejtë se sa pagat dhe rritja ekonomike. Por shumë njerëz mendojnë se një pabarazi më e madhe ndihmon për të patur një rritje ekonomike më të fortë.

Kur pabarazia shkon në ekstrem, është krejt e padobishme për rritjen ekonomike. Ka patur pabarazi ekstreme në shekullin 19, dhe rritja ekonomike nuk ishte shumë e madhe. Për arsye se raporti i rritjes ekonomike me produktivitetin ishte 1 me 1.5 përqind në vit (në Europën e shekullit 19), dhe ishte shumë më pak se sa raporti i fitimit prej pasurisë, që ishte në një mesatare 4 apo 5 %, pasoja ishte pabarazia e madhe e pasurisë. Eshtë e rëndësishme të kuptojmë se inovacioni dhe rritja ekonomike në vetvete nuk janë të mjaftueshme për të zbutur pabarazinë e pasurisë.

A do të kish po kaq rëndësi pabarazia, nëse pagat do të vazhdonin të rriteshin për klasën e mesme?

Janë dy forca që po e shtrydhin klasën e mesme. Njëra është rritja e kompensimit për menaxherët më të lartë, që do të thotë se pjesa e të ardhruave prej punës që shkon tek klasa e mesme dhe e ulët po zvogëlohet. Dhe ky fenomen ka qenë spektakolar në SHBA. Dhe forca tjetër që po shohim është se pjesa e të ardhurave të vendit që shkon për ata që punojnë ka prirjen të bjerë, ndërkohë që pjesa që shkon për kapitalin po rritet.

Ju e quani meritokracinë “një iluzion të rrezikshëm”. Këtu bini ndesh me mënyrën se si mendojnë shumë njerëz për funksionimin e ekonomisë së SHBA.

Ideali ynë demokratik modern bazohet mbi shpresën se pabarazitë do të jenë të bazuara mbi meritën, më shumë se sa trashëgiminë apo fatin. Ndonjëherë, argumentat meritokratikë përdoren prej fituesve të lojës për të justifikuar rolin e pabarazisë së pakufizuar. Nuk mendoj se ka prova serioze, që ne duhet të paguajmë disa njerëz më shumë se 100 fishi i pagës mesatare, me qëllim që të kemi menaxherë me performancë të lartë.

Njerëzit në Europë dhe në SHBA kanë një pikëpamje nostalgjike për periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kishte një rritje të mirëqenies së kombeve, nga e cila përfituan të gjithë. A është e mundur të rikthehemi në atë situatë?

Ishte një periudhë vërtetë tranzitore, për shkak të rrethanave vërtetë të jashtëzakonshme. Rritja ekonomike ishte shumë e lartë, pjesërisht për shkak të rindërtimit të pasluftës. Gjithashtu, rritja ekonomike ishte shumë e lartë sepse rritja e popullsisë si rregull kishte qenë shumë e madhe në shekullin 20. Dhe ky nuk është në fakt një opsion për politikëbërësit. Arsyeja tjetër përse mendoj që nuk duhet të jemi nostalgjikë, është se një pjesë e arsyes përse pabarazitë ishin më të vogla në vitet 50 dhe 60, qëndron në faktin që luftërat shkatërruan një pjesë të kapitalit të trashëguar, që kish qenë burim i pabarazisë përpara këtyre luftërave.

Përse mendoni që një taksë mbi pasurinë do t’i kundërvihej forcës destabilizuese të pabarazisë në rritje?

Në vend të një takse të sheshtë mbi pronat e paluajtshme, do të kishim një taksë progresive mbi pasurinë individuale. Kështu do të reduktohej taksa mbi pronën, për njerëzit që përpiqen të fillojnë të akumulojnë pasuri.

Cdo politikan amerikan thotë se arsimi është përgjigja për pabarazinë dhe palëvizshmërinë.

Në një periudhë afatgjatë, arsimi është forca më e madhe barazuese. Por nuk mjafton. Duhet edhe arsimi, edhe taksimi.

Si ju ndihmuan në shkrimin e këtij libri serialët televizivë amerikanë “House”, “Bones”, “West Wing” dhe “Damages”?

Ata tregojnë histori se si mund të pasurohesh, si mund të varfërohesh etj. Njerëzit që janë heronjtë e serialeve, shumë prej tyre kanë tituj dhe doktoratura. Ata përfaqësojnë modelin e pabarazisë së bazuar tek aftësitë. Këto shfaqje janë si romanet në shekullin 19. Janë në gjendje të tregojnë në mënyrë ekstreme një lloj justifikimi të thellë apo kritike të thellë për strukturën e pabarazisë.

Kritikët thonë se keni një axhendë politike për ndarjen klasore.

Ky libër ka fakte historike. Njerëzit mund të bëjnë ç’të duan me të. Libri ka katër pjesë, dhe pjesa e katërt flet për pasojat e politikave… Për mua, kjo nuk është pjesa më e rëndësishme. Nëse nuk jeni dakord me këto 100 faqe, nuk ka problem. I gjithë qëllimi i 500 faqeve të para është të ndihmojë njerëzit që të nxjerrin konkluzionet e tyre.

Leave a Reply

Back to top button