Ekonomi

Ekonomia globale po fluturon me një motorr. Por ka turbulenca…

Nouriel Roubini

Ebola dhe ndryshimet klimatike, nuk kanë shkaktuar ende një epidemi financiare. Megjithëkëtë, ato janë duke ngadalësuar shpenzimet kapitale dhe konsumin, duke patur parasysh opsionin e pritjes gjatë kohëve të pasigurta. Pra ekonomia globale po fluturon me një motorr të vetëm, pilotëve u duhet të navigojnë me sy nëpër stuhi dhe re, ndërkohë që mes pasagjerëve shpërthejnë vazhdimisht zënka. Sikur të kishte ekipe të emergjencës në tokë…

glob econ

Ekonomia botërore është si një avion që ka nevojë t’i ketë të gjithë motorrët në punë për t’u ngritur dhe për të dalë mbi retë dhe stuhitë. Fatkeqësisht, vetëm njëri prej katër motorrëve po funksionon si duhet: Anglosfera (SHBA dhe kushëriri i saj i afërt, Britania e Madhe).
Motorri i dytë – eurozona – tashmë është ndalur, pas një rifillimi anemik pas vitit 2008. Në fakt, Europa është një hap larg deflacionit dhe një tjetër goditjeje recesioni. Po kështu, motorrit të tretë, Japonisë, po i mbaron karburanti pas një viti stimujsh fiskalë dhe monetarë. Dhe tregjet në zhvillim (motorri i katërt) po ngadalësojnë dukshëm, teksa erërat e favorshme disadekadëshe – rritja e shpejtë ekonomike e Kinës dhe lehtësimi sasior i Bankës Qendrore të SHBA (FED, si dhe supercikli i produkteve – po shndërrohen në erëra të disfavorshme.
Kështu që pyetja është nëse – dhe për sa kohë – ekonomia botërore mundet të qëndrojë në ajër, me një motorr të vetëm. Dobësia në pjesën tjetër të botës do të thotë një dollar më i fortë, gjë që do të dobësojë rritjen ekonomike të SHBA. Sa më i fortë ngadalësimi në shtetet e tjerë, aq më lart ngrihet dollari, dhe aq më pak e aftë do të jetë SHBA të shkëputet prej panikut të të tjerëve, edhe pse kërkesa e brendshme duket e fortë.
Rënia e çmimeve të naftës mund të ofrojë energji më të lirë për prodhuesit dhe familjarët, por këta dëmtojnë eksportuesit e energjisë dhe shpenzimet e tyre. Dhe ndërkohë që rritja e ofertës – sidomos prej vendburimeve të rërave argjilore në Amerikën e Veriut – ka ulur trysninë mbi çmimet, po kështu ka ndikuar edhe kërkesa e dobësuar në eurozonë, Japoni, Kinë dhe shumë tregje në zhvillim. Veç kësaj, rritja e çmimeve të naftës shkakton një rënie të investimeve për kapacitete të rinj, duke e dëmtuar edhe më shumë kërkesën globale.
Ndërkohë, paqëndrueshmëria e tregjeve është rritur, dhe një korrigjim është në rrugë e sipër. Lajmet e këqinj makro mund të jenë të mirë për tregjet, sepse vetëm një politikë e menjëhershme mund të rrisë çmimet e aseteve. Por, lajmet e këqinj makro të kohëve të fundit kanë qenë të këqinj për tregjet, për shkak të perceptimit të inercisë së politikave.
Në të vërtetë, Banka Qendrore Europiane po nguron në lidhje me vendimin sa ta zgjerojë buxhetin me blerje të bonove sovrane, ndërkohë që Banka e Japonisë vetëm tani vendosi të rrisë normën e saj të lehtësimit sasior, duke parë provat që rritja e taksës mbi konsumatorin për këtë vit po pengon rritjen ekonomike dhe që rritja e planifikuar e taksave për vitin e ardhshëm do e dobësojë edhe më tej.
Sa për politikën fiskale, Gjermania vazhdon t’i rezistojë një pakete stimulueshme aq të nevojshme për t’i dhënë një shtysë kërkesës së Eurozonës. Dhe Japonia duket se ka ndërmend të “shkaktojë” vetes një tjetër rritje të taksës së konsumit, gjë që do të ngadalësonte edhe më tej rritjen ekonomike.
Po kështu, FED në SHBA ka dalë tashmë nga lehtësimi sasior dhe po tregon një gatishmëri për të nisur normat e interesit më herët nga sa parashikojnë tregjet. NëSE FED nuk vonon rritjen e normave deri kur të kemi një qartësim të motit ekonomik global, ajo rrezikon një “ngritje të dështuar” – dhe ky ka qenë fati i shumë ekonomive në vitet e fundit.
Nëse Partia Republikane merr kontrollin e plotë të Kongresit pas këtyre zgjedhjeve të mesmandatit, bllokada e politikave ka gjasë të përkeqësohet, duke rrezikuar një rikthim të betejave të dëmshme fiskale që shkaktuan një mbyllje të zyrave qeveritare vitin që kaloi dhe pothuajse një mospagim teknik të borxhit. Më gjerësisht, bllokada do të pengojë miratimin e reformave të rëndësishme strukturore që i nevojiten aq shumë SHBA për rritjen ekonomike.
Edhe vendet e mëdhenj në zhvillim janë në telashe. Nga pesë ekonomitë e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), tre prej tyre (Brazili, Rusia dhe Afrika e Jugut) janë pranë recesionit. Më e madhja, Kina, është në mesin e një ngadalësimi strukturor që do e shtyjë normën e saj të rritjes ekonomike pranë 5 përqindëshit në dy vitet e ardhshëm, nga mbi 7 përqind që është sot. Në të njëjtën kohë, reformat aq të kërkuara për të riekuilibruar rritjen ekonomike, nga investimet fikse tek konsumi, po shtyhen në kohë deri kur presidenti Xi Jinping të konsolidojë pushtetin e tij. Kina mund të shmangë një ulje të vështirë, por gjithësesi ajo nuk do të jetë pa telashe.
Risku i një falimenti global ka qenë i ulët, sepse ulja e përqindjes së borxhit në ekonomi ka ecur me shpejtësi në shumicën e ekonomive të përparuara; efektet e ngadalësimit fiskal janë më të vogla; politikat monetare mbeten akomoduese; dhe riflacioni i aseteve ka patur efekte pozitivë. Po kështu, ekonomitë e vendeve në zhvillim po rriten fuqishëm, po u përmbahen politikave të shëndetshme makroekonomike dhe po fillojnë të vënë në zbatim reforma strukturore që fuqizojnë rritjen ekonomike. Dhe rritja në SHBA, e cila aktualisht e kalon prodhimin potencial, mund të ofrojë një ngritje të mjaftueshme globale – të paktën për momentin.
Por përpara ka sfida serioze. Borxhet publik dhe privat në ekonomitë e përparuara janë ende të lartë dhe në rritje – dhe janë potencialisht të papërballueshëm, sidomos në eurozonë dhe Japoni. Rritja e pabarazisë po i rishpërndan të ardhurat tek ata që janë më të prirur të kursejnë (të pasurit dhe korporatat) si dhe po përshkallëzohet edhe prej risive teknologjike të prirura nga kapitali dhe reduktimi i krahut të punës.
Ky kombinim i borxheve të lartë dhe rritjes së pabarazisë mund të jetë burimi i stanjacionit që po i bën reformat strukturore më të vështira politikisht. Ngjitja e partive nacionaliste dhe populiste në Europë, Amerikën e Veriut dhe Azi po sjell një valë kundër tregtisë së lirë dhe migrimit të krahut të punës, gjë që mund ta dobësojë më tej rritjen ekonomike globale.
Në vend të rrisin kredinë për ekonominë reale, politikat monetare jotradicionale kanë rritur kryesisht pasurinë e shumë të pasurve – përfituesit kryesorë të riflacionit të aseteve.
Fatmirësisht, risqet gjeopolitikë që janë shfaqur – një Lindje e Mesme në flakë, konflikti Ukrainë-Rusi, trazirat në Hong Kong dhe mosmarrëveshjet territoriale të Kinës me fqinjët – bashkë me rreziqet gjeoekonomikë nga Ebola dhe ndryshimet klimatike, nuk kanë shkaktuar ende një epidemi financiare. Megjithëkëtë, ato janë duke ngadalësuar shpenzimet kapitale dhe konsumin, duke patur parasysh opsionin e pritjes gjatë kohëve të pasigurta.
Pra ekonomia globale po fluturon me një motorr të vetëm, pilotëve u duhet të navigojnë me sy nëpër stuhi dhe re, ndërkohë që mes pasagjerëve shpërthejnë vazhdimisht zënka. Sikur të kishte ekipe të emergjencës në tokë… /Project Syndicate/
Nouriel Roubini ka qenë Krye-Ekonomist për Cështjet Ndërkombëtare në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button