Covid19

Ekspertët e OBSH rikthim në Wuhan, për të vazhduar hetimin e origjinës së virusit

2021 do të fillojë me një mision ndërkombëtar të OBSH-së në Kinë, ku saktësisht një vit më parë u vunë re rastet e para të pneumonisë anormale. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se një delegacion prej 12-15 ekspertësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është i gatshëm të udhëtojë në Wuhan për të vazhduar hetimin e origjinës së koronavirusit të ri në terren.
Ekipi, i cili përfshin ekspertët kryesorë të botës mbi sëmundjet zoonotike, do të shqyrtojë provat e mbledhura tashmë në terren muajt e fundit nga shkencëtarët kinezë dhe do t’i përdorë ato si bazë për studime të mëtejshme.
Veçanërisht priten bisedime me shitësit në tregun Wuhan, të cilët do të pyeten se si mendojnë se janë infektuar me virusin. SARS-CoV-2 është i ngjashëm, por jo identik, me një koronavirus të gjetur në lakuriqët e natë “patkua” (fam. Rhinolophidae): për këtë arsye mendohet se ka infektuar një kafshë të ndërmjetme përpara se të bëjë kërcimin në speciet tona.
Një hap përpara
Misioni pritet të zgjasë gjashtë javë, duke përfshirë dy javë karantinë me hyrjen në vend. Kina, e cila zbaton masa shumë të rrepta të izolimit edhe për njerëz pozitivë, por asimptomatikë, të cilët zhvendosen në struktura të veçanta derisa të negativizohen plotësisht, ka eleminuar praktikisht rastet e deklaruara të kovidit; ndërkohë, media shtetërore këmbëngul se virusi ekzistonte jashtë shtetit para se të zbulohej – dhe importohej – në Wuhan.
Më 23 tetor 2020, OBSH raportoi se kishte filluar një bashkëpunim me shkencëtarët më kompetentë kinezë për të gjetur origjinën e virusit. Plani i njoftuar u nda në dy faza, e para prej të cilave në mënyrë rigoroze “territoriale” dhe iu besua vetëm ekspertëve nga Kina. Mbërritja në Wuhan e delegatëve ndërkombëtarë mund të nënkuptojë që të dhënat e para janë fituar. Tregu i peshkut në Wuhan është vetëm një nga pistat e mundshme të ndjekura: edhe pse nuk thuhet se kërcimi i virusit tek njeriu ndodhi midis atyre tezgave, mjedisi i mbipopulluar dhe afërsia me kafshët mund të kishin vepruar si shumëzues fillestarë. / bota.al

Back to top button