Magazine

Ekuivoku i madh post-modern, që e ka bërë emocionin qëllim të komunikimit

“Lidhja më e fuqishme do të jetë gjithmonë emocioni”, thuhet në një reklamë të njohur.

Në fund të fundit, përmendja e emocioneve dhe e emocionimit prej vitesh është shumë në modë. Këngëtarë, politikanë, lojtarë, gazetarë, ekspertë, juristë dhe të dënuar: jemi të gjithë njerëz që prekemi dhe qajmë. Ata që merren me komunikimin e përdorin foljen “emocionoj” si një mantra, që studentët e komunikimit në cilindo universitet dijnë ta përsërisin që nga viti i parë, në dëm të gjithë mësimeve të tjera. Po emocioni a është vërtetë mjeti për fuqinë e komunikimit?

Një herë e një kohë, folja “emocionoj” përdorej vetëm në formë pasive, pra të jesh i emocionuar. Emocioni konsiderohej një ngjarje që buronte nga prania e shkëlqyer e një objekti, një personi apo një ngjarjeje. Forma aktive është futur në modë në vitet e fundit, dhe ajo reflekton idenë që emocioni mund të krijohet në mënyrë mjeshtërore, nga një komunikues i aftë.

Megjithatë, nuk duhet të ngatërrohen qëllimet dhe mjetet. Qëllimi i komunikimit mbetet i lidhur me objektin e tij. Askush nuk bën komunikim për të emocionuar. Bëhet komunikim për të shitur një produkt, për të bindur për një ide – nga martesa tek kinemaja në mbrëmje – për të përcjellë një mesazh, për të pohuar një përkatësi, mbase edhe atë të skuadrës së futbollit. Kur dikush krijon emocione, i krijon për një qëllim dhe emocionet mbeten dhe do të jenë gjithmonë një mjet, të paktën në kuptimin letrar të të gjendurit në mes të rrugës, mes realitetit të koncepteve dhe dijes së plotësuar.

Një herë që pastrohet terreni nga gabimet, mund të hyhet në një konsideratë më të thellë. Abuzimi aktual me termin, në formën e vet aktive apo pasive, ashtu si dhe në eksternalizimin e sjelljes, duket se është efekti kundërgoditës, i racionalizmit të kulturës sonë perëndimore. Për shekuj të tërë është kërkuar të minimizohet rëndësia e impiantit emotiv tek ndërgjegja, duke vlerësuar padrejtësisht matematikën dhe shkencat për asketizmin e tyre të supozuar emocional – gjë e pavërtetë kjo, kur sheh aspektin krijues të çdo disipline – dhe duke ia kundërvënë ato, edhe më padrejtësisht, disiplinave humanistike, të kuptuara si bukuritë e kota të emocionit artistik.

Ose është diskredituar emocioni, në emër të ideve dhe kauzave që e detyronin drejt sakrifikimit. Me pak fjalë, është markuar emocioni, si pengues i dijes objektive dhe të rëndësishme. Me perëndimin postmodern të kësaj ëndrre dijesh objektive, shkencore, jopersonale, emocioni ka rifituar hapësirën e tij. Vetëm se tani kemi shkuar në skajin tjetër, ku emocioni ngatërrohet me vetë dijen, si mjet dhe justifikim i çdo veprimi njerëzor.

Ajo e dinë mirë të gjithë ata që merren me komunikimin, edhe kur bëjnë sikur nuk e dijnë, është se emocioni është pjesë vendimtare e dijes, por jo qëllim i saj. Emocioni është thelbësor për të qenë të interesuar në diçka, është zanafilla e dijes së vërtetë. Filozofi amerikan Uilliam James thoshte se bukurinë e një gruaje, e njeh objektivisht vetëm kush e dashuron atë. Në këtë kuptim, emocioni është i pazëvendësueshëm si motorr kërkimi dhe si cilësi e qenësishme e çdo arsyetimi që na bën të njohim diçka të re, në matematikë, në filozofi apo letërsi. Emocioni shpie tek dija objektive por kjo e fundit, më pas shprehet në arsyetime dhe gjykime, si dhe në zakone veprimi dhe gjeste. Megjithatë, kur emocioni shpërndahet si qëllim, dikush, ndoshta edhe ne vetë, po bëjmë një veprim manipulues. Nuk ka asgjë më mirë, në fakt, për çdo pushtet, se sa të ketë përballë njerëz sentimentalë, të paaftë për të thënë në emër të emocionit, nëse diçka është e bukur apo e shëmtuar, e mirë apo e keqe, e vërtetë apo e rreme.

Emocionet pa gjykim varfërojnë qenien njerëzore, po aq sa e bëjnë gjykimet pa emocione. Emocioni, si hap i parë drejt dijes, është sigurisht lidhja më e shpejtë, por ajo më e fuqishme dhe më e qëndrueshme vjen prej gjykimeve dhe praktikës, gjesteve që i realizojnë. Nuk duhet ta harrojmë, nëse nuk duam të bëhemi skllevër të atyre që janë të aftë të na bëjnë të reagojmë rrëmbimthi, pa u menduar, në çast. / Giovanni Maddalena, IlFoglio – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button