Analiza

EKZEKUTIMI I PENGUT / Dhimbja e përjetuar si një faj

INTERVISTA / Shkrimtarja Dacia Maraini: shfajësimet e prindërve ndaj kombit? Një detyrim ndaj komunitetit

terrori

Sensi i nderit. Por mbi të gjitha, ndjesia e pathyeshme e të bërit pjesë në një komunitet të bashkuar e solidar. Ky në fjalët e Dacia Marainit, është çelësi për të kuptuar çfarë i ka shtyrë një baba e një nënë t’i “kërkojë falje” kombit për “problemet dhe dhimbjen”, të provokuara nga fëmijët e tyre. Po flasim për Shoici Yukawa, babai i Haruna-s, vullnetari që u vra i pari në mënyrë të tmerrshme nga ISIS, si dhe Junko Ishidon, mamaja e Kenji Gotos, gazetari guximtar të cilit i prenë kokën tre ditë më parë: të dy prindërit u prezantuan në televizion, në momente të ndryshme, me fytyrë të fshehur ose duke mbajtur një qetësi dinjitoze, jo për të akuzuar qeverinë për mungesa të pretenduara ose për gabime, por për t’i kërkuar falje gjithë Japonisë. “E kuptoj shumë mirë një sjellje të tillë – thotë shkrimtarja Maraini (romani i fundit i saj është “Kiara e Asisit. Lartësimi i i mosbindjes”). Një sjellje që lind nga vetëdijësimi i përkatësisë në një kolektiv, i cili vjen i pari, mbi çdo gjë tjetër, duke përfshirë veten dhe familjen”.

Dacia Maraini e ka përjetuar personalisht kuptimin e thellë të veçorive unike të kulturës japoneze. Fëmijë, në vitet Dyzetë u gjend atje me të atin, orientalist i famshëm. Pas armëpushimit të Italisë dhe refuzimit të Fosco dhe Topazia Marainit për t’u bashkuar me Republikën e Salo-s, u internuan në një kamp në Tokio, me babain, nënën e të dy motrat. Vetëm gjesti i “nderit” i Foscos, që preu pjesë të gishtit në praninë e gardianëve, solli respekt e konsideratë për familjen e të huajve që, kështu, morën një dhi, si edhe mundësinë për të kaluar, me qumështin e saj, vështirësitë e burgimit. Eksperiencë ekstreme. Por domethënëse për bindjet e thella të një populli besnik për shekuj ndaj vetë traditave. “Individi vjen gjithmonë i fundit”, shpjegon shkrimtarja.

Në një rast si vrasja brutale e dy japonezëve nga ana e terrorristëve të ISIS, mbetet e vështirë, për ne perëndimorët, të kuptohet si mund t’i kërkohet falje vetë bashkëkombësve…
“Gjithcka niset nga sensi shumë i fortë i komunitetit që e bën Japoninë një kulturë unike në llojin e saj. Në radhë të parë ekziston detyra ndaj komunitetit, më pas familja, në fund individi. E kundërta e kësaj ndodh tek ne”.
Por për çfarë kanë kërkuar falje babai dhe mamaja e dy viktimave?
“Kanë kërkuar falje që kanë krijuar një shqetësim. Përkundrazi më shumë sesa një shqetësim, një dhimbje, një tronditje, ndaj kombit mbarë. Dhe atje, shkaktimi i dhimbjes ndaj komunitetit është një faj”.
Komuniteti mbi gjithcka?
“Po, të qënurit japonez do të thotë të njohësh në një kulturë, një traditë, një histori. Teatri “Jo” për shembull: është i pandryshuar nga ‘600-ta, protagonistët gjithmonë janë të njëjtat familje që dorëzojnë rolet dhe maskat. Nuk mund të kuptohet Japonia nëse nuk shikohet në të shkuarën e saj”.
Por kjo vlen edhe kur është çështje për jetë a vdekje?
“Mendojmë për sjelljen e Kenji Gotos. Ai është ndjerë i detyruar të shkojë të kërkojë shokun, pavarësisht rreziqeve. Është pikërisht përballë tragjedisë, që shfaqet ndjesia e komunitetit. Unë isha në Japoni kur amerikanët hodhën bombat atomike. Mbaj mend se nga të gjithë fshatrat rreth Hiroshimës e Nagasakit, popullsia nxitoi të sillte ndihma pa menduar për pasojat: rrezatimi shkaktoi vdekjen e shumë prej tyre”.
Dhe përsëri as babai i Yukawas as e ëma e Gotos nuk manifestuan dhimbjen e tyre. Më e pakta: në sytë tanë janë dukur pothuaj të shkëputur…
“Ky është një tipar tjetër historik i japonezëve. Që kanë si detyrim moral të dinë të kontrollojnë, të shtypin vetë ndjenja. Japonezi i vërtetë është një person indiferent përballë dhimbjes, ndaj frikës. Shikoni shprehjen e gazetarit nën kërcënimin e thikës: ishte pothuajse i qetë”.
Si është e mundur?
“Eshtë në kulturën e tyre, e cila është me prejardhje shintoiste e budiste. Mësimet e Budës, që kanë arritur nga Kina, reklamojnë shkëputjen nga gjërat tokësore. Shinto, besimi autokton, predikon komunikimin me natyrën dhe shpirtrat e saj hyjnorë. Prandaj frika vjen e fshihet dhe vdekja duket si një kalim për t’u përballuar pa frikë”.
Megjithatë, në vend, vdekja e dy bashkëkombasve ka provokuar zemërimin.
“Në 1970, shkrimtari Mishima bëri hara-kiri, ndërkohë që një mik i priste kokën, për t’u kujtuar japonezëve vlerën e traditës dhe rëndësinë e përballimit të vdekjes me kurajo. Por këto therje në video janë vetëm shprehje të një cinizmi të frikshëm, në emër të propagandës.  E këtë japonezët e kanë kuptuar, ja përse janë të zemëruar. Ndonëse, sipas mënyrës së tyre./Corriere della Sera/

e.xh./www.bota/al

Leave a Reply

Back to top button