Analiza

Ende nuk e dimë në cilin shekull po jetojmë

José Ignacio Torreblanca

Në fund, konfuzioni është i tillë që, thuhet madje se mund të jemi edhe në 2014-ën, dhe që as 1914-a dhe as 1938-a dhe 1945-a nuk shërbejnë për të kuptuar atë që po ndodh. Kanë të drejtë: 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, nuk e dimë ende se në çfarë lloj bote po jetojmë

shekullDhjetë vjet më parë, të gjithë ishin dakord për faktin se Lufta e Ftohtë i përkiste të kaluarës dhe që asgjë prej asaj periudhe nuk ishte më e vlefshme për të tashmen. Na thoshin se shekulli 19 ishte mbyllur në vitin 1914 dhe shekulli 21 kishte filluar në 1989-ën.
Sipas këtij këndvështrimi, atentatet e 11 shtatorit 2001 ishin konfirmim i faktit që shekulli i njëzetenjëtë do të shenjohej prej unilateralizmit ushtarak (me vetëm një fuqi hegjemone, Shtetet e Bashkuara) dhe nga një multilateralizëm ekonomik, me disa shtete në rritje mbi të gjitha në Azi (Kina dhe India), por edhe në Amerikën Latine (Brazili dhe Meksika). Në mungesë të një emri më të mirë dhe duke dhënë një provë për imagjinatën e mangët, vendosëm ta quajmë këtë situatë “paslufta e ftohtë”.
Sot, dhjetë vjet më vonë, vazhdojmë ende të diskutojmë, për të përcaktuar se ku ndodhemi. Jemi ndoshta në 1914-ën, në prag të një tjetër konflikti global që do të shpërthejë në Azi, për shkak të tensioneve mes Kinës dhe vendeve fqinjë? Në favor të kësaj mundësie, 1914-a demonstroi se ndërvarësia ekonomike nuk është gjithmonë një garanci për paqen.
Përkundrazi, që nga koha e luftërave të Peloponezit e dimë se rivalitetet dhe dyshimet që krijohen prej ngjitjes së disa vendeve shkaktojnë tensione, reshtime të rinj strategjikë dhe madje edhe gabime në përllogaritje, që mund të shkaktojnë konflikt, edhe atëherë kur protagonistët nuk e kërkojnë qëllimisht. Pra, duhet bërë kujdes ndaj kombinimit të nacionalizmit, autoritarizmit dhe iredentizmit: deti kinez mund të shndërrohet në basenin e Ruhrit, të shekullit 21.
Jo, thonë të tjerët, mbi të gjitha në Europën qendrore dhe lindore dhe vendet balltike: jemi në 1938-ën, dhe problemi është se nuk e kemi kuptuar ende që pika themelore e aneksimit të Krimesë nuk është vlera e pakët strategjike e gadishullit. Ajo që ka me të vërtetë rëndësi, thonë, është se, në qoftë se nuk analizojmë me saktësi logjikën e ekspansionit dhe vetëafirmimit të Rusisë, e cila ndihet e poshtëruar nga mënyra se si është përmbyllur lufta e ftohtë, atëherë nuk do të kuptojmë se duhet të mbajmë nën fre Moskën, të vendosim një vijë të kuqe dhe të heqim dorë nga paqësimi.
Adolf Hitleri, i shtyrë prej pakënaqësisë nga kushtet që iu vendosën Gjermanisë prej traktatit të Versajës, e interpretoi lëshimin e rajonit të Sudetëve si një dritë jeshile për ambiciet e tij territoriale. Në po të njëjtën mënyrë, Vladimir Putini do të interpretojë reagimin e perëndimit ndaj krizës në Ukrainë si një shenjë dobësie, që do i lejojë të rivendosë sferën e influencës dhe nderin e një Rusie të plagosur. Siç e ka nënvizuar vetë Putini në një fjalim të kohëve të fundit, Bashkimi Sovjetik u shpërbë pa u firmosur as edhe një traktat që të përcaktonte pozicionin e Rusisë në botë.
Një grup i tretë mendon që nuk ndodhemi as në 1938-ën. Sipas tyre, ndodhemi në 1945-ën, në fillimin e një lufte të ftohtë, dhe që duhet të hartojmë një strategji për të frenuar ambiciet imperialiste të Rusisë, të maskuara tashmë prej nacionalizmit dhe të financuara nga nafta dhe gazi, por gjithësesi duke shmangur një konflikt ushtarak shkatërrimtar. Kështu që, sipas tyre, duhet të kombinojmë sanksionet dhe izolimin, me marrëveshje për bashkëjetesë, por pa u përzierë shumë.
Në fund, konfuzioni është i tillë që, thuhet madje se mund të jemi edhe në 2014-ën, dhe që as 1914-a dhe as 1938-a dhe 1945-a nuk shërbejnë për të kuptuar atë që po ndodh. Kanë të drejtë: 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, nuk e dimë ende se në çfarë lloj bote po jetojmë. /El Pais/
JOSÉ IGNACIO TORREBLANCA – Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Madridit. Drejton degën spanjolle të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button