Letersi

Ëndërrimet e Emës, fragment nga romani “Zonja Bovari”, nga Gustave Flaubert

Megjithatë, ajo nganjëherë mendonte se ato ditë të para të martesës ishin më të bukurat e jetës së saj, muaji i mjaltit, siç thuhet. Që ta shijonte nektarin e tyre, e mira ishte të kalonte nëpër ato vende me emra kumbues, ku ditët e para pas martesës kalohen në një plogështi aq të këndshme! Hipur në ndonjë karrocë poste, me perde mëndafshi të kaltër nga brenda, ngjitesh ngadalë nëpër rrugët e rrëpirëta, duke dëgjuar gurgullimën e shurdhët të ujëvarës. Kur perëndon dielli, ngopesh me erën e këndshme të limonëve në breg të gjive të detit; pastaj në mbrëmje, duke ndenjur mbi tarracën e vilave, vetëm për vetëm dhe kapur dorë për dore, vështron yjet dhe bën plane për të ardhmen. Ajo mendonte se në këtë rruzull tokësor disa vende duhet të krijonin lumturi, si ndonjë bimë e veçantë, që çel mbarë në një vend dhe që s’bëhet dot askund tjetër. Përse të mos prehej edhe ajo, mbështetur mbi bërryla në ballkonin e ndonjë vile zvicerane, a të mbyllej bashkë me trishtimin e saj në ndonjë shtëpizë fusharake skoceze, si bashkëshorte e një burri të veshur me frak kadifeje të zezë me kinda të gjatë dhe me çizme prej lëkure të butë, me kapelë me majë dhe me mansheta!

Ndoshta do të kishte dëshirë t’ia hapte zemrën ndokujt për të gjitha këto ëndërrime. Po si mund ta shprehte një siklet të pakapshëm, që ndërronte trajtë si retë, që vërtitej si vorbull ere? Nuk gjente dot fjalët, domethënë rastin, i mungonte guximi.Megjithatë, asaj i dukej se, po ta donte Sharli një gjë të tillë, po ta kishte parandier, po të ishte puqur qoftë edhe një herë të vetme shikimi i tij me mendimet e saj, zemra do t’i zbrazej përnjëherë nga gjithë ajo ngarkesë, ashtu siç bien frutat e pjekura të pemëve sa vë dorën në to. Mirëpo, sa më shumë i lidhte jeta bashkëshortore, aq më tepër në brendësi të shpirtit ajo shkëputej prej tij.

Bisedat që bënte Sharli ishin të rrafshëta si trotuare rrugësh dhe në to qarkullonin mendime dosido të njerëzve me veshje aq të zakontë, sa s’të ngjallnin asnjë emocion, s’të bënin as të qeshje, as të ëndërroje. Kur banonte në Ruan, i thoshte ai, s’ishte bërë asnjëherë kureshtar të shkonte të shihte ndonjë shfaqje në teatër me aktorë nga Parisi. S’dinte as të notonte, as të bënte skermë, as të gjuante me pisqollë, bile, një ditë, nuk kishte qenë në gjendje t’i shpjegonte asaj një term të të hipurit në kalë, të cilin ajo e kishte hasur në një roman.
Mirëpo, a nuk është e domosdoshme vallë që burri të shkëlqejë në shumë drejtime, ta bëjë bashkëshorten të njohë forcën e pashtershme të dashurisë, shijet e stërholluara të jetës, të gjitha të fshehtat? Ndërsa ai s’i mësonte asaj asgjë, s’dinte kurrgjë, s’kishte asnjë dëshirë. Kujtonte se ajo ishte e lumtur; dhe ajo e kishte inat që ai s’e prishte fare terezinë, që s’dilte kurrë nga ajo plogështi e patrazuar, që e ndiente bile veten të lumtur prej saj.

Leave a Reply

Back to top button