Analiza

Ëndrra e fundit e Blumbergut: Pas Nju Jorkut, kryebashkiak i Londrës!

Screen Shot 2015-04-08 at 18.34.04

Miliarderi mund të jetë kandidati i konservatorëve në zgjedhjet lokale të vitit 2016

Njëlloj si drejtorët ekzekutivë, yjet e futbollit apo drejtuesit e orkestrave. Edhe puna e kryetarit të bashkisë bëhet transnacionale, dhe e këmbyeshme në një treg kozmopolit. Për këtë janë të bindura të dyja kryeqytetet e globalizimit, Nju Jorku dhe Londra. Gazetat e dy metropoleve të mëdha, janë tejet të apasionuara mbi një skup mediatik: Majkëll Blumberg, tri herë kryetar i Big Apple (sikurse quhet metaforikisht Nju Jorku), po shqyrton mundësinë për të garuar për bashkinë e Londrës.

Blumbergu, ka lënë pas kujtime të shkëlqyera gjatë 12 viteve të tij në krye të Nju Jorkut: një periudhë e tronditur nga kriza e madhe e Uoll Stritit në vitin 2008, por edhe nga ndryshimet e jashtëzakonshme në urbanizëm, rënien e krimit, investimet në art dhe përmirësimet mjedisore. Nuk është aspak çudi që Londra mund ta bindë atë. Importi i politikanëve të huaj do të bëhej një rregull, duke pasur parasysh se kryetari i tanishëm i kryeqytetit, Boris Xhonson, ka lindur pikërisht në Nju Jork 50 vjet më parë.

Tani ai ka shtetësi të dyfishtë. Nga ajo amerikane, ka deklaruar së fundmi se dëshiron të heqë dorë, dhe kjo për arsye tatimore, dhe ndoshta edhe për të synuar karrigen e kryeministrit. Sa për Blumberg, ai nuk e ka kombësinë britanike, por mund ta kërkojë … mbase në formën e një “honoris causa”? Investitor i shquar, Blumberg krijoi në Londër selinë e dytë të fondacionit të tij filantropik, që jep donacione në vlerë 460 milionë dollarë në vit.

Ai që i dha besueshmëri Blumbergut, si pasuesi i tij në detyrë, ishte vetë Xhonson. Në kolonën e tij perodike në gazetën “Daily Telegraph”, ai shpalli propozimin e tij në favor të një kryebashkiaku të “dytë” amerikan (vetë Xhonson, në çdo rast nuk do të rikandidojë në përfundim të mandatit). E bëri këtë me stilin e tij të zakonshëm: ironik, të tepruar, mbi rreshta. Por përtej provokimeve dhe patriotizmit komunal – “i dashur Majk, mik i vjetër, vetëm guida e Londrës për ty do të ishte një promovim i vërtetë”. Komenti i Xhonsonit, është me të vërtetë i dobishëm.

Në renditjen e cilësive të dy metropoleve anglo-saksone, kapi një tipar dallues të kohës sonë. Ndër pikat e forta, që ata kanë të përbashkët, kryetari i Bashkisë së Londrës numëron një listë, që përfshin “muzetë dhe galeritë e artit; sallat koncertale; universitetet e famshme në gjithë botën”. Shton faktin se “si në Nju York, ashtu edhe në Londër, mund të mburremi një diversitet të jashtëzakonshëm etnik, me rreth 300 gjuhë, që fliten nga banorët e tyre”. Mburr strategjitë e përbashkëta, për të zgjeruar hapësirat e gjelbra publike, pistat e riciklueshme; lulëzimin teknologjik të ekonomisë urbane. Kujton rënien fenomenale të nivelit të kriminalitetit.

Sigurisht Xhonson e promovon Londrën e tij, duke i dhënë asaj notat më të larta (“për herë të parë e lamë pas Nju Jorkun dhe Parisin, si destinacioni turistik kryesor në botë”). Megjithatë, lista e tij është një përmbledhje e asaj që e dallon Teknopolisin e mijëvjeçarit të tretë. Qytetet që janë më të suksesshme, që krijojnë më shumë pasuri dhe vende pune, kanë këto tipare: investojë shumë tek universitetet dhe kultura; janë multietnike dhe asimilojnë flukset e mëdha të emigracionit, përmes një rënie të dukshme të krimeve.

Nuk është pra çudi, pasi qytete të tilla zgjedhin kryetarët e bashkive sui generis. Sipërmarrës post-politik, vizionar, i guximshëm, Blumberg është një miliarder liberal, i cili nuk e ka harruar kurrë origjinën e tij të varfër, dhe ishte një demokrat derisa partia e tij refuzoi t’i japë nominimin. Duke ndërtuar agjensinë më të madhe të informacionit në botë për fushën financiare, dhe një pasuri personale prej më shumë se 36 miliardë dollarësh, aktualisht është njeriu 13 më i pasur në planet.

Por ai vuri pasurinë e tij në shërbim të kuazave progresiste: luftën kundër lobit të armëve, ndryshimit të klimës, dëmeve sociale nga junta e industrisë së fast-foodit. Xhonson, një ish-gazetar, pjesërisht është përpjekur t’i ngjajë: ka bashkuar pozicionet liberiste në ekonomi dhe progresive mbi çështjet e vlerave. Fiksimi për një kandidaturë të Blumbergut në Londër, është ndërkaq edhe disi instrumental. Duke inkurajuar mikun e tij amerikan, Xhonson “e paralajmëron” se Londra ka gjasa të bëhet e jo e mikëpritur, në rast se Partia Laburiste fiton zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Është njëlloj si Barak Obama të frikësonte investitorët e huaj, duke i larguar nga Amerika …

Ndërkaq “New York Post” e Rupert Murdokut, i ka fryrë kësaj historie: nuk humbet asnjëherë rastin për të kujtuar epokën e artë të Blumbergut, dhe sulmuar si “socialist” kreun aktual të bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blazio. Ky akuzohet se është shumë i zënë me shtresat më pak të pasura. Xhonson krenohet se Londra ka tejkaluar Nju Jorkun, për numrin e punonjësve në sektorin financiar (320 mijë). Por kjo nuk është një shenjë e mirë: anglezet kanë ndërmarrë spekullime me rrezik të lartë, të cilat rregullat e reja amerikane do t’i ndëshkonin ashpër. / Reppublica /

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button