Analiza

Endrra europiane e Bukureshtit, 25 vjet pas Ceausescut

“E pabesueshme  një protestant nga pakica gjermane zgjidhet në një vend neolatin dhe ortodoks… Njerëzit janë të lodhur nga parodia e luftës politike mes të pushtetshmëve të të ashtuquajturës të majtë dhe një të djathte të dominuar nga zemërimi. Iohannis ka përpara detyra të vështira, kundër politikanëve me sjellje dhe zakone mafiozë. Por sot, ashtu si 25 vjet më parë, është e vështirë të braktisësh shpresën”

Andrea Tarquini

ceausescu 2

Pemë Krishtlindjesh të zbukuruara kudo, yje të mëdhenj ngjyrë blu ose të artë që i sheh të ndezur edhe përmes dëborës, “Craciun fericit” (Gëzuar Krishtlindjet), një urim që e sheh në çdo cep me gërma të praruara. Dhe kudo, që nga Harku i Triumfit që të kujton Parisin, deri tek ndërtesat madhështore neoklasike të qendrës, trafikun e marrosur të blerjeve për festa nuk mund ta reduktojnë as rrjeti i metrove. Kështu, me një atmosferë të gëzuar Krishtlindjesh, që fsheh kujtimet e atyre ditëve të përgjakura të 25 viteve më parë, të pret Bukureshti një çerek shekulli pas rënies së tiranit. Duke kujtuar se si e shihja atëherë, duke bërë kujdes për t’u dredhuar goditjeve të snajperëve, sot më duket i panjohshëm. Këtu, një brez më herët, ky vend që sot ka një ekonomi në rritije dhe një shoqëri civile pulsante dhe të lirë përmbyllte ’89-ën e kthesës së madhe të Europës me kapitullin më dramatik. Dhe sot me presidentin e sapozgjedhur Klaus Iohannis, “Z. Duart e Pastra”, shpreson në një fillim të ri, për t’i thënë lamtumirë korrupsionit të pushtetit. Mirësevini në revolucionin e dytë rumun, në prag të Krishtlindjeve.
“Unë e njihja mirë, isha këshilltari i tij, më kot pas kthimit nga Feniani u përpoqa që ta bindja të hiqte dorë nga kulti i personalitetit dinastik koreano-verior, që e kishte joshur shumë. Më ndëshkoi duke më larguar nga çdo detyrë. Më dërgoi në një shtëpi botuese të provincës, dhe tre makina të Securitates-s ndiqnin mua dhe time shoqe në çdo lëvizje që bënim, ai ishte bërë viktimë e paranojave megallomane”, më rrëfen sot i qetë Ion Illiescu, gorbaçoviani i Pcr-së, të cilit pas grushtit të shtetit-revolucion i takoi të bëhet president i përkohshëm. Pëshkojmë së bashku qytetin, në trafik, mes pallateve të realizmit socialist dhe qiellgërvishtësve të shumëkombësheve mbërrijmë në varrezën e madhe të Ghenceas. “Janë varrosur atje, shko e shiko”. Në një qoshe, një varr laik me mermer të kuq, ku ndodhen eshtrat e  Nicolae Ceausescut dhe bashkëshortes, Elena. Pak metra më poshtë, Nicu, i projektuar si trashëgimtar, prehet nën një gur varri të bardhë, kush e di përse me një kryq përsipër. Varre të zbukuruar me karafila të paktë por të freskët. Të sjellë nga ata pak nostalgjikë që kanë mbetur dhe nga familja. www.bota.al
“Për ta – kujton Iliescu – luftova që t’u bëhej një gjyq i rregullt, civil, publik, përpara botës. Por ishin orë vendimtare. Gjenerali Stanculescu, shefi i shtabit, kishte kaluar Armatën në anën e revolucionit dhe kërkoi që të eleminoheshin menjëherë, për të privuar rezistentët e Kontinentit të Vjetër nga një idhull”. Ekzekutim që u krye në një kazermë, i transmetuar në televizion. I pari objektiv strategjik i arritur nga revolucionarët. Sot, mëshira kristiane për një varr që Ceausescu ua mohoi mijëra viktimave të tij: fëmijët e vrarë me bajoneta në Timishoarë në fillim të dhjetorit 1989, apo në 1957-ën fshatarët e Vadu Roscas, që u ngritën në revoltë kundër kolektivizimit të detyruar. “Ceausescu udhëhoqi personalisht represionin, kush nuk vritej nga plumbat e Securitates, ia shkulnin dhëmbët një nga një, me urdhër të tij”. Një tjetër kohë.
Bukureshti“Sot, 25 vjet më vonë, me stilin e ri të presidentit Iohannis jetojmë një revolucion të ri, si europianë”, më thotë Petre Roman, herro në barrikada 25 vjet më parë, më pas kryeministri i parë demokratik dhe reformator, teksa kalojmë në qendrën ku ka dyndje për blerjet e fundvitit. “Iohannis ka zgjedhur pikërisht ditët e përvjetorit për të thënë se në zgjedhje ka fituar shoqëria civile, e cila i thotë mjaft korrupsionit. Gjë e mirë, të bën të shpresosh”.  www.bota.al
Eshtë si të lexosh “Jetë paralele” të Plutarkut, kur dëgjon Iliescun dhe Romanin, dy heronjtë e atëhershëm që më pas u ndanë dhe sot rrijnë shpesh bashkë, me një vlerësim të ndërsjellë. “Atë mëngjes unë isha në shtëpinë botuese të provincës, në internim, kolegët më thanë që makinat e Securitates që më ndiqnin gjithmonë ishin zhdukur, një shenjë e çuditshme kjo. U nisa me shpejtësi në BUdapest, ku krijuam Këshillin Suprem”. Romani kishte filluar të rrezikonte pak orë më herët. “Isha docent – shpjegon – ndoqa studentët e mi në barrikadën e madhe në qendër. E dinim që nga një moment në tjetrin mund të vdisnim, e megjithatë fytyrat tona të qeta na e hiqnin frikën edhe vetë neve. Vite më vonë, kur u takuam, kujtuam një varg të Evtushenkos: mos u ndiej i vdekur, përpara se vdekja të të vijë. E dinim atëherë se kishim frikë vetëm se mos përfundonim të mundur, të torturuar dhe të vrarë”.
Pak orë më vonë, kujton Romani, i takoi të ishte i pari udhëheqës i revolucionit që u foli njerëzve nga ballkoni i Ceausescut. Dhe Iliescu krijoi qeverinë e përkohshme. “Për fat, morëm menjëherë televizionin qendror, yni ishte i pari revolucion që mori përmasa globale për shkak të televizioneve globalë”.
Më pas u ndanë: Romani donte reforma radikale menjëherë si në Poloni, Iliescu iu kundërvu aparatit të vjetër bolshevik, i vendosur të riciklohet. I denoncoi më kot si “të pasurit e rinj të një kapitalizmi të familjeve dhe miqve të miqve”.
Nepotizmi, korrupsioni, arroganca frenuan vendin për shumë vite, më thotë editorialisti Dan Turturica. Tani, me BE dhe NATO-n në krah edhe kundër Putinit, dhe pas zgjedhjeve presidenciale klima ka ndryshuar: askush nuk ka arritur t’i mbyllë gojën drejtësisë dhe mediave, si ka bërë në Hungari Orbani – i cili këtu shihet si makthi tek kufiri. “25 vjet më vonë, klimë inkurajuese”, më thotë Norman Manea, shkrimtar i suksesshëm i momentit. “E pabesueshme – arsyeton ai – një protestant nga pakica gjermane zgjidhet në një vend neolatin dhe ortodoks… Njerëzit janë të lodhur nga parodia e luftës politike mes të pushtetshmëve të të ashtuquajturës të majtë dhe një të djathte të dominuar nga zemërimi. iohannis ka përpara detyra të vështira, kundër politikanëve me sjellje dhe zakone mafiozë. Por sot, ashtu si 25 vjet më parë, është e vështirë të braktisësh shpresën”./la repubblica/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button