Analiza

Energjia, sërish motorri i gjeopolitikës

Nga Moises Naim

oil geo

Bota po zbulon tashmë se rënia e konsiderueshme dhe krejtësisht e papritur e çmimit të naftës, mund të jetë aq shkatërruese sa goditja që solli rritja e çmimeve të naftës në vitin 1974. Lajmet më të fundit që vijnë nga Rusia, Venezuela dhe Kuba, janë shembulli më i mirë se këto pasoja po bëhen mëse të dukshme.
Në Venezuelë, ekonomia po ecte me një hov të madh, deri kur çmimi i  naftës ishte 120 dollarë për fuçi, ndërsa tani që çmimi po bie nën 60 dollarë për fuçi, qeverisë vendase, të njohur gjerësisht për korrupsionin e madh dhe mënyrat e tmerrshme të menaxhimit ekonomik, duket qartë se po i del situata jashtë kontrollit.
Presidenti Nikolas Maduro, pretendon ende se situata kritike është pasjë e një komploti ndërkombëtar, duke kundërsulmuar kritikët e tij (sikurse jam edhe unë), si dhe duke vazhduar represionin ndaj politikanëve të opozitës. Rrënimi ekonomik i Venezuelës ishte një faktor kyç në ndryshimin historik të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Kubës, e njoftuar kjo nga vetë presidenti Obama dhe homologu i tij kuban Raul Kastro në 17 Dhjetor.
Ekonomia thuajse e falimentuar e Kubës është mbajtur gjallë kryesisht në sajë të subvencioneve masive në naftë nga Venezuela e epokës së Hugo Chavez-it, qëkurse ky erdhi në pushtet në vitin 1998. Kohët  e fundit megjithatë, ishte bërë  qartë se të përdorje ekonominë e Venezuelës si një barkë shpëtimi për ekonominë kubane, ishte shumë rrezikshme. Politika dhe ekonomia kaotike e Venezuelës rriti shpejt gjasat që arritjet e 15 viteve të fundit, të ishin të vështira për t’u ruajtur.
Kjo sigurisht i bëri udhëheqësit e Kubës më të prirur për të pranuar një shkrije akujsh me SHBA-në, me shpresën e nxitjes së tregtisë dhe investimeve amerikane në ishull. Kështu, në një mënyrë të tërthortë, por të vendosur, çmimi i ulët i naftës ka qenë gjithashtu një faktor në dhënien fund të asaj që kishte qenë një politikë statike dhe e padobishme, për më shumë se gjysmë shekulli mes dy vendeve.
Të hënën, në bursën e Moskës aksionet ranë me 11 përqind, dhe vetë  rubla ra me 13 për qind, që do të thotë se një e katërta e vlerës së dollarit e të gjithave kompanitë ruse të listuara në bursë, u zhduk brenda një dite. Banka Qëndrore reagoi duke rritur normën bazë të interesit nga 10.5 në 17 përqind.
Po ky veprim i dhimbshëm, nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur rënien e shpejtë dhe masive të rezervave dhe një zhvlerësim po aq të madh të kursit të këmbimit valuator, shkaktuar pikërisht nga rënia e madhe e të ardhurave të naftës, (75 për qind e totalit të eksporteve dhe 50 për qind të të ardhurave të buxhetit publik), apo ikja masive e kapitalit, pa harruar edhe sanksionet ekonomike.
Frika, natyrisht, është se një Vladimir Putin luftarak do të eksportojë problemet e veta jashtë vendit, për të shpërqënduar vëmendjen nga situata kaotike që ka në shtëpi.
* Moises Naim është një anëtar i think-tankut për “Paqen Ndërkombëtare” dhe autor i librit “Fundi i Pushtetit: Nga salla në fushëbeteja…”

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button