Analiza

“Enigma” Putin e zbërthyer nga brenda

Screen Shot 2015-04-27 at 18.24.03

Nga Vincent Jauvert
“Le Nouvel Observateur”

Moskë – Mjeshtri i Kremlinit ishte zhdukur. Për dhjetë ditë, Vladimir Putini nuk i dha asnjë shenjë të vetme jete popullit të tij. Ai nuk ishte askund në televizion, dhe as po dëgjohej në radio. Zakonisht i gjithëpranishëm, ai anuloi të gjitha aktivitetet e axhendës së tij. Madje nuk priti që të merrte pjesë, sikurse bën çdo vit, në takimin vjetor të krerëve të KGB, ku ai e filloi karrierën e tij.

Ndërmjet 6 dhe 16 marsit – një përjetësi politike – rusët nuk e dinin se çfarë ndodhi me presidentin e tyre. Ishte apo nuk ishte gjallë. Në Moskë, jeta politike u ndal, ndërsa e gjithë Rusia mbajti frymën pezull. Nga Shën Petersburgu në Vladivostok, mungesa në publik ishte ndoshta shenja më e qartë, se funksionimi i këtij vendi të madh mbështetet tek një njeri i vetëm: ish-spiuni 62-vjeçar, Vladimir Vladimiroviç Putin, shkurt VVP.

Po kush është ky kryetar enigmatik shteti, i konsideruar nga shumë njerëz si lideri më i fuqishëm në botë? Prej nga vjen dhe çfarë dëshiron? Si e qeveris vendin e tij? Për të dhënë një portret më të qartë të kësaj figure turbulluese, Observatori intervistoi burra dhe gra, të cilët e njohin Putinin në momente të

ndryshme të jetës së tij – duke përfshirë edhe ata që e njohin sot.
Ata flasin për karrierën përcëlluese të këtij kolonel-lejtnanti truppakët që u bë “Car”: psikologjinë e tij, magjepsjen ndaj televizionit, teknikat për të pasur në dorë fatin e cilitdo që guxon të flasë kundër tij… Dëshmitari i parë e sheh atë pothuajse çdo ditë. Ai është një gazetar, i akredituar për një kohë të gjatë në Kremlin, dhe që si gjithë të tjerët dëshiron të mbetet anonim. Ai thotë se zhdukja e Putinit ishte një nga ato manipulimet e opinionit publik, që vetëm Putin di si ta realizojë, dhe që këtë herë, thuajse shkoi keq.

Ai thotë se kur e pa Putinin sërish në datën 16 mars, mollëza e djathtë e tij e fytyrës ishte “veçanërisht e fryrë”. “Ai padyshim kishte

shkuar të bënte një tjetër injeksion me Botox. Mos harroni zonjushën e tij thuajse zyrtare, ish-gjimnasten Alina Kabaeva, është shumë më e re se ai … Sipas mendimit tim, pas vrasjes së Boris Nemçovit, Putini e shfrytëzoi këtë operacion kirurgjikal për të zhdukur për disa ditë dhe shpërqëndruar kësisoj vëmendjen e opinionit publik” – thotë gazetari.

“Por, kur thashethemet për një grusht shteti ushtarak u bënë këmbëngulëse, rrethi i ngushtë i presidentit mendoi se ishte më mirë t’i jepnin fund kësaj maskarade, e cila mund t’i shkaktonte Putinit humbjen e kontrollit mbi popullin”. Pas kësaj, Putini vendosi të jetë më shumë i gjithëpranishëm se kurrë. “Që nga 16 marsi, ne marrim axhendën e tij të përditësuar dy herë në ditë!” – vijon më tej gazetari.

Mania mbi televizionin

Putini është i fiksuar me mediat, sidomos me televizionet. “Mbi tavolinën e tij nuk ka stilolapsa, vetëm një telekomandë” – ishte shprehur Boris Nemçovi për gazetën tonë, disa vite më parë.

Sergej Dorenko është një moderator i famshëm televiziv, që mendohet se është shumë i afërt me presidentin rus, të cilit ky i fundit i detyrohet shumë.

Në vitin 2000, Dorenko ishte një nga kontribuesit kryesorë për fitoren e tij presidenciale, duke njollosur imazhin e kundërshtarit të Putinit në një lokal nate. Putini shpesh më thoshte: “Sergej, në qoftë se ti nuk flet për këtë informacion, ai nuk ekziston” – kujton Dorenko. “Për të, fuqia e vetme është

televizioni. Ai vendos mbi programet, përzgjedh të ftuarit. Ai i thërret drejtorët e televizioneve në vilën e tij, për gjënë më të vogël që nuk i pëlqen. Kjo është mënyra sesi ai e drejton vendin”.

Cari i Rusisë së Madhe, ka ndërtuar gjithmonë gjithçka rreth ekranit të vogël. Karriera e tij politike filloi me një shfaqje, që ai vetë e urdhëroi. Ndodhi 23 vjet më parë. Në vitin 1992, Igor Shadkan ishte një producent i famshëm në Shën Petersburg: “Një ditë, mora një telefonatë nga bashkia e qytetit” – kujton burri 75-vjeçar, duke folur në zyrën e tij, që ndodhet ngjitur me lumin Neva, ku në mure nderen disa fotografi me nënshkrimin personal të presidenti rus. “Mu ofrua të bëja një dokumentar mbi një farë Putin. ‘Kush është ky? – Një bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit të

bashkisë” – mu përgjigjën. Shadkan shkoi për ta takuar.
Zëvendëskryetari 39-vjeçar përmendi disa thashetheme që qarkullonin rreth tij: se ai gjoja ka punuar për KGB. Ai më tha: E pra, është e vërtetë! Dhe unë dua të konfirmoj këtë thashethem sipas mënyrës time, në një dokumentar që do e bëni ju. Ai më zgjodhi mua sepse asokohe kisha një program shumë popullor. Ai më rekrutoi për ta bërë edhe atë të dukej i tillë”.

Kjo është mënyra sesi ata prodhuan në vitin 1992, filmin e pare dokumentar mbi Putinin, i titulluar Clast (“Fuqia”), në të cilin Putini tregonte se kishte qenë vërtet një oficer i inteligjencës në Gjermaninë Lindore, por se prej atëherë kishte “dhënë dorëheqjen nga KGB”.

Kostoja e filmit u pagua nga ish-banka e Partisë Komuniste të qytetit, Rossiya, ku ka punuar një nga miqtë e tij të ngushtë, Juri Kovalçuk” – thotë producenti. Disa vjet më vonë, Kovalçuk do të bëhet një miliarder dhe pronari i Rossiya- s, e cila tani konsiderohet si banka personale e Putinit dhe miqve të tij oligarkë. Si e tillë, banka ka qenë në shënjestër të sanksioneve të SHBA-së, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Një ngritje verbuese

Ngjitja verbuese e Putinit mund të shpjegohet me aftësinë e tij të jashtëzakonshme për ta bërë veten të domosdoshëm dhe të mbeturit sekret. Në fund të vitit 1996, miqtë nga Shën Petersburgu, të impresionuar nga përkushtimi që Putini tregonte ndaj shefit të tij, e rekomandojnë atë tek presidenti Boris Jelcin.

Ai mbërriti në Kremlin nga dera e pasme, por punoi kaq mrekullisht, saqë, në vetëm pak muaj, u ngarkuar me menaxhimin e të gjitha transaksioneve financiare të presidencës, një pozicion ky që kërkon besim të madh. “Në fund të vitit 1998, Putini më ftoi për darkë” – shpjegon gazetarja Elena Tregubova. “Ai sapo ishte emëruar si kreu i Byrosë Federale të Sigurisë (ish-KGB). Ishte katapultuar në këtë pozicion strategjik, pasi Kremlini s’mund të gjente ndonjë kandidat tjetër të besueshëm”. Gazetarja shton: “Unë isha duke pritur të kaloja mbrëmjen me një burrë të mërzitshëm, por ai ishte i aftë të fliste për çfarëdolloj teme, ai i përshtatet personit që ka përballë. E takova disa herë të tjera dhe kam kuptuar se ky njeri shkëlqeu në marrëdhëniet publike – ai është një

pasqyrë, në të cilën njerëzve që ai u flet për të, mund të reflektojnë”.
Në fund të mbretërimit të Jelcinit, njerëzit e afërt me presidentin e vjetër – i cili po luftonte me alkoolizmin – zgjodhën Putinin, si një pasardhës dukshëm transparent dhe të besueshëm. Shumica e zyrtarëve të lartë ishin të kënaqur, do të kujtonte më vonë ish-ministri i Financave, Mikail Kasjanov. “Ne menduam se kishim nevojë për një të ri, energjik si ai, për të kryer reformat demokratike dhe ekonomike. Nuk e imagjinuam për asnjë moment, se ai kishte diçka tjetër në mendje”.

Fill pas zgjedhjes së tij, në vitin 2000, Putini emëroi Kasjanovin si kryeministër. “Gjatë 3 viteve të para, ai mbajti një profil të ulët. Ai mësoi si të “lundronte” brenda administratës, të

manovronte mjetet e qeverisë. Ai nuk kishte krijuar ende ekipin e tij. Zbatoi reformat që ekipi im i pati propozuar. Falë tyre, kemi krijuar bazën për stabilitetin ekonomik, mbi të cilin Putini më vonë mburrej se kishte krijuar popullaritetin dhe fuqinë e tij” – kujton Kasjanovi.

Kështu në vitin 2004, ai u ndje mjaftueshëm i fortë, për të hequr dorë nga maska. Ai emëroi një kryeministër të ri, sfidoi demokracinë – tek e cila gjithësesi nuk ka besuar kurrë – dhe pengoi çdo reformë të re ekonomike. Pastaj filloi rishpërndarjen e pronave publike për miqtë e tij në Shën Petersburg, duke filluar me Gazpromin. Regjimi i Putini kishte filluar të ndërtohej.

I vetmuar dhe i tronditur

Tani, pas 15 vitesh në pushtet, ku qëndron ai? Njerëzit që kanë qenë të afërt me të që nga fillimi – dhe vazhduan ta mbështesin – janë të shqetësuar, për mënyrën sesi ai po qëndron në pushtet. Herën e fundit që e pa Putinin, regjisor Igor Shadkani u pikëllua. Ishte viti 2012, pak javë pas protestave të mëdha popullore që kundërshtonin mandatin e tretë presidencial të Putinit.

Shadkani thotë se e priti 3 orë në paradhomën e zyrës së tij, para se ta thërriste, aty rreth orës 01:00 pas mesnate. “Ai qëndron zgjuar deri natën vonë, si Stalini. Për t’i ngritur disi humorin, i tregova një barcaletë. Ai tashmë e dinte atë, kështu që nuk qeshi. Atmosfera ishte e ftohtë. Ai dukej i vetmuar. I tronditur. Ai nuk i beson askujt, madje as edhe të afërmve të tij

më të ngushtë. Unë mendoj se ai është i frikësuar. Ai nuk ka lëvizur me kalimin e kohës. Ka ardhur koha të dorëzojë pushtetin. Ne kemi nevojë për dikë të ri” – tha Shadkani. Historiania dhe specialistja mbi Rusinë, Helen d’Enkyze nuk e fshehu kurrë admirimin e saj për Putinin, me të cilin ajo u takua disa herë. Ajo është tanimë shumë e zhgënjyer në lidhje me evolucionin e tij. “Në fund të vitit 2000, disa muaj pas zgjedhjes të parë, ai kërkoi të takohet me mua. Kalova dy orë në zyrën e tij në Kremlin, ballë për ballë. Ai dukej i pasigurt për veten e tij, por i vendosur për të rindërtuar Rusinë”. Dhe kjo është ajo që çka bëri gjatë 2 mandateve të tij të para. Por qëkur u rikthye në Kremlin në vitin 2012, Putini, në sytë e d’Enkyze, nuk ka qenë i njëjti. “Unë e pashë atë

përsëri gjatë vjeshtës së vitit 2013, me disa ekspertë. Komentet e tij ishin dukshëm më të vrazhda. Muaj para kësaj, ai kishte tundur muskujt në televizion. Putin bëri deklarata homofobike. Ai që kishte aq shumë vështirësi në përshtatjen ndaj borgjezisë, po linte veten të degradonte. Ngjante sikur personaliteti i tij i vërtetë, i fshehur aty poshtë, kishte shpërthyer” – thotë ajo.

Kur do të ndryshojë era? Përgjigja e ekspertes të habit: “Rusët i janë mirënjohës për aneksimin e Krimesë, por ata nuk mund të mashtrohen nga kjo mënyrë qeverisjeje. Ata mendojnë se boll kanë duruar. Diçka është thyer tashmë mes Putinit dhe njerëzve … Kjo është arsyeja pse unë nuk mendoj se ai do të

rikandidojë për një mandat të katërt, në vitin 2018” – përfundon historiania.
Pavël Gusev, pronar i një prej të përditshmeve më të mëdha ruse, “Moskovski Komsomolets”, bën një analizë edhe më të ashpër. Ai është një botues i fuqishëm – por jo një kundërshtar i regjimit. Me përvojën e tij në punë dhe lidhjet që ka krijuar, ai është njeriu më i mirë- informuar në Kremlin. “Qëkur erdhi në pushtet, unë e kam takuar Putinin dy ose tri herë në vit, në grupe të vogla njerëzish” – shprehet ai nga zyra e tij. “Herën e fundit, ishte nëntorin e vitit të shkuar. Përgjatë viteve, ai ka fituar shumë besim. Tani, ai ka besimin më të madh tek vetvetja, dhe sundon i vetëm” – shpjegon botuesi. “Ai mendon se Rusia është Putini, dhe Putini është Rusia. Askush, madje as ata në

krye, nuk mund të marrin vendime të rëndësishme pa aprovimin e tij”. Gusev vëren se aq shumë pushtet i përqëndruar në duart e një njeriu, vë nën presionin si këtë të fundit, ashtu edhe shtetin: Situata është veçanërisht e rrezikshme.

a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button