Analiza

Epoka e re e rrezikshme e autarkisë globale

Screen Shot 2016-06-10 at 15.17.51Nga Catherine Rampell

Pas më pak se dy javësh Britania do të votojë nëse do të largohet apo jo nga Bashkimi Evropian, projekt i madh i pasluftës që synonte të promovonte paqen dhe prosperitetin. S’ka gjë se ekonomistët kanë paralajmëruar thuajse njëzëri, se një “Brexit” i mundshëm do të shkatërrojë ekonominë britanike, me një kosto që llogaritet në rreth 6.000 dollarë për çdo familje britanike.

Ndërkohë shpërfillen edhe lajmet se tregjet janë duke u lëkundur për shkak të pasojave për paundin dhe sektorin financiar në përgjithësi; se punonjësit më të talentuar dhe të kualifikuar po hezitojnë të zhvendosen në ishujt britanikë, marrëdhëniet e të cilave me BE në një botë post-Brexit mbeten ende të panjohura; dhe se klientët e huaj kanë filluar pezullimin apo vonimin e kontratave me kompanitë britanike.

Kush shqetësohet që këta ishuj të vegjël, kaq të ndërvarur nga kontinenti si për atë që konsumojnë dhe atë që eksportojnë, janë duke e vendosur aktivitetin aq shumë ekonomik në rrezik? Shumë britanikë duan të tërhiqen nga unioni, për të treguar se ata janë të ndarë dhe politikisht të vetë-përcaktuar, dhe jo realisht pjesë e këtij bashkimi atavik e të kushtueshëm pan-etnik dhe pan-evropian.

Kështu ata mund të tërhiqen. Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetësit e “largimit” dhe “qëndrimit”, mund të ndahen në mënyrë të barabartë. Financiarisht të vetë-mundur sikurse mund të duken në këtë ndërmarrje, britanikët nuk janë të vetëm në flirtin e tyre me separatizmin ekonomike, politik dhe kulturor. Anëtarë të tjerë të unionit – Grexit, Itexit, Spexit – qëndrojnë në rradhë. Brenda Spanjës, katalanasit janë duke bërë sërish thirrje për pavarësi. Separatistët në rajonin e Flandrës në Belgjikë janë rizgjuar.

Edhe brenda vetë Britanisë, Skocia jo shumë kohë më parë mbajti një referendum për t’u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar. Më larg në lindje, Rusia është angazhuar në shfaqjen e saj shoviniste të separatizmit ekonomik, kur shkatërroi mijra tonë ushqime të huaja dhe bllokoi qasjen tek importet shtesë. Po ashtu edhe Kina, që dikur shihej se lëvizte drejt hapjes më të madhe ekonomike dhe kulturore, ka marrë kohët e fundit një qasje më nacionaliste, ksenofobe dhe proteksioniste. Këtë pranverë qeveria filloi një fushatë propagandistike, duke paralajmëruar qytetarët të mos mpleksen me të huajt simpatikë.

Dhe sigurisht në Shtetet e Bashkuara, tre kandidatët presidencialë- Donald Tramp, Bërni Sanders dhe Hilari Klinton –përqafuan zhargonin kundër tregtisë ndërkombëtare. Nga të tre, Tramp ka ofruar një vizion më izolacionist dhe nacionalist, të përmbledhur në sloganin “Amerika e para”. Për Trampin, tregtia dhe diplomacia nuk janë kurrë përmirësuese në konceptin e Paretos- që është bërja e cilidto më të mirë, pa e bërë dikë më të keq – por gjithmonë një lojë me shumën zero.

Ai jo vetëm që përqesh pasojat e tmerrshme të një lufte tregtare, por në mënyrë aktive ushqen ksenofobinë në SHBA dhe përkrah një mosangazhim shkallë të gjerë nga aleatët tanë jashtë vendit. Në një farë mënyre, këto zhvillime ndërkombëtare – ose të paktën afër-njëkohshmëria e tyre – janë paksa të habitshme. Ne jetojmë në epokën e një globalizimi të paparë.

Në fillim masmedia dhe më pas media sociale na ekspozojnë ndaj ideve, produkteve dhe gjuhës së homologëve tanë më të largët në mbarë botën. Përparimet në financë, teknologji dhe logjistikë e kanë lehtësuar shumë tregtinë, dhe me një shumëllojshmëri më të pasur të mallrave dhe shërbimeve, sesa në çdo epokë tjetër të historisë njerëzore.

Dhe megjithatë ende – ose pavarësisht këtyre përparimeve në globalizimin ose ndoshta për shkak të tyre – shtetet, rajonet dhe popujt në mbarë botën janë papritmas duke u tërhiqur nga njëri-tjetri në mënyrë të sinkronizuar, dhe po mbyllen në vetevete. Në mbarë botën, qytetarët janë duke shpërfillur përmirësime në standardet  e jetesës që kanë rezultuar ndër shekujt në shkëmbimin e ideve, produkteve dhe zakoneve, dhe në vend të kësaj po grinden për më shumë izolim.

Për herë të parë në histori, asnjë ishull nuk është me të vërtetë i tillë. Por gjithnjë e më shumë, vendet dhe popujt shpresojnë të distancojnë veten nga ndikimet ekonomike, politike dhe kulturore të të tjerëve. Ne jemi shumë më të ndërlidhur me të tjerët se kurrë më parë, dhe përgjigja jonë është përpjekja për t’u shkëputur.

Ne kemi parë përqafime të ngjashme të autarkisë ekonomike dhe intelektuale në të kaluarën. Në përgjithësi ato kanë përfunduar keq. Koreja e Veriut për dekada të tëra ka praktikuar “Juche”-n, zakonisht e përkthyer si “vetë-mbështetje”. Në praktikë kjo do të thotë mbyllja në vetvete dhe izolim nga pjesa tjetër e botës ekonomike dhe kulturore, çka ka shkaktuar uri dhe varfëri.

Precedentë të mëhershëm të ndjekjes së qëllimshme të autarkisë përfshijnë Burmën nën juntën e saj ushtarake, si dhe një mori liderësh diktatoriale të mesit të shekullit XX-të (Spanja nën Franko, Italia nën Musolinin, Gjermania nën Hitlerin, Kina dhe Revolucioni i saj kulturor nën Maon). Edhe Shtetet e Bashkuara ndërmorrën një politikë të qëllimshme të izolimit, dhe një embargo të plotë ndaj tregtisë në fillim të shekullit të XIX-të nën presidentin Thomas Xheferson. Ky proces shkatërroi zonat bregdetare, ndaj dhe u anulua shpejt.

Në çdo rast, autarkia është prezantuar si një antidot për disa kombinime të sëmundjejeve ekonomike dhe trazirave etnike. Çdo herë, vendet kanë shkrirë izolimin me pavarësinë, dhe shpërbërjen me vetëvendosjen. ”Vetë-mjaftueshmëria” ekonomike, është thjesht një mënyrë e lehtë për t’u vënë në zbatim – deri sa ti e kupton se sa kushton ajo.

“The Washington Post” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button