Analiza

Erdoganit “i shpëtoi nga duart”, ëndrra e madhe e “Sulltanatit”

Duke vënë projektin e tij të “sulltanatit”, në qendër të zgjedhjeve legjislative, ai bëri një referendum mbi personin e tij. Përgjigja e elektoratit është e qartë. Ai mendonte të kishte 400 deputetë të AKP në Parlament. Tani nuk i ka. Ai ëndërronte të ndryshonte Kushtetutën, për të forcuar pushtetin e tij. Nuk mundi. Jo vetëm projekti i tij vdiq pa lindur, por ylli i tij është zbehur në mënyrë të konsiderueshme

Në vitin 2002, Erdogani fliste për pluralizëm, liri dhe reforma. Në vitin 2015, ai fliste për “komplot”, “terrorizëm” dhe “struktura paralele”

Erdogan

Nga Marie Jego

Le Monde

Zgjedhjet legjislative të 7 qershorit në Turqi janë një disfatë serioze për Partinë për drejtësi dhe Zhvillim (AKP, islamike-konservatore), e cila për herë të parë qysh prej vitit 2002, humbi shumicën absolute në Parlament. Me 40 % të votave të marra, ose 254 deputetë nga 550, AKP-ja mbetet partia e parë politike e vendit, por rënia e saj është e fortë.

Për herë të parë pas trembëdhjetë viteve, islamiko-konservatorët do të jenë të detyruar të formojnë një qeveri koalicioni. Ata nuk do të jenë më zotër absolutë të vendit. “Vendimi i popullit është më i miri”, deklaroi kryeministri Ahmet Davutoglu, me njoftimin e rezultateve. Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, nuk është prononcuar.

Tabela e rezultateve sipas rajoneve tregon se sa e madhe është pakënaqësia, në radhë të parë në rajonet kurdofonë të lindjes dhe jug-lindjes, por gjithashtu në rajonet bregdetare (të Marmarasë, Mesdheut dhe të Egjeut), ku votimi në favor të AKP-së ra në raport me zgjedhjet legjislative të vitit 2011.

Para së gjithash, ky është një kthim pas për Erdoganin, i cili e shihte veten e tij tashmë si super-président. Duke vënë projektin e tij të “sulltanatit”, në qendër të zgjedhjeve legjislative, ai bëri një referendum mbi personin e tij. Përgjigja e elektoratit është e qartë. Ai mendonte të kishte 400 deputetë të AKP në Parlament. Tani nuk i ka. Ai ëndërronte të ndryshonte Kushtetutën, për të forcuar pushtetin e tij. Nuk mundi. Jo vetëm projekti i tij vdiq pa lindur, por ylli i tij është zbehur në mënyrë të konsiderueshme.

Autoritarizëm pa kufi

Duke marrë pjesë vetë në fushatën e zgjedhjeve, pavarësisht neutralitetit për shkak të funksionit presidencial, ai e polarizoi shoqërinë turke me fjalimet e tij (laikë kundër fetarëve, sunitë kundër alavitëve, kurdë kundër turqve). Erdogan ka humbur një pjesë të mirë të elektoratit të tij. Ai është larg Taipit të vitit 2002, që tërhiqte vëmendjen e turmave të njerëzve, duke folur për pluralizëm, liri dhe reforma. Në vitin 2015, fjalët “komplot”, “terrorizëm” dhe “struktura paralele”, janë në qendër të çdo fjalimi të tij.

Autoritarizmi i tij është pa kufi. Shtypi, drejtësia policia ishin vendosur në një kontroll të rreptë. Gjatë dhjetorit 2013, në një spastrim të gjerë kundra vëllazërisë së ish mentorit të tij, imamit Fethullah Gülen, në mërgim në Shtetet e Bashkuara, ai transferoi, hoqi, arrestoi policë, gjykatës dhe prokurorë.

Në se një gazetar bën një kritikë, ai keqtrajtohet. Në rastin më të mirë i pushuar dhe në rastin më të keq i akuzuar për “terrorizëm”, ose për “komplot kundër shtetit’’.

Në se një video që nuk i pëlqen qarkullon në YouTube apo Twitter, ai e bllokon atë. Kundërshtarët e tij janë “tradhëtarë” dhe Demirtas, kryetari i Partisë demokratike të Popullit (HDP), i cili i ka bërë atij hije gjatë gjithë fushatës elektorale, është një  “ateist”.

E nxitur nga paroksizmi dhe jeta në një pallat me më shumë se 1 000 dhoma në Ankara, pas zgjedhjes së tij president në gusht të vitit 2014, marrëzia e tij e madhështisë bëri që t’i vinin nofkën “sulltani”. Krijimi i një garde presidenciale me kostume, e denjë për serinë “Game of Thrones” e bëri më qesharake megallomaninë e tij.

Deri asokohe, turqit kishin gëlltitur gjithshka, përfshirë dhe zbulimet e korrupsionit në dhjetor të vitit  2013, në rrethin e tij familjar dhe të disa ministrave dhe djemve të tyre. Të gjitha këto ngjarje lanë një shije të hidhur tek ata që besonin në pastërtinë dhe mos njollosjen e partisë “AK” (në turqisht ak don të thotë “e bardhë, e pastërt”).

Por kjo nuk e pengoi “partinë llampë” (simbol i AKP-së), të fitonte me shkathtësi zgjedhjet lokale në mars të vitit 2014, si dhe liderin e saj historik në zgjedhjet presidenciale në gusht të vitit 2014. Përkundrazi kur bëhet fjalë për t’i dhënë Erdoganit pushtet të plotë, zgjedhësit i thanë atij jo. Endra e tij e madhështisë u bllokua në kutitë e votimit.

Kthesë në historinë e vendit

Nëse 88 % e zgjedhësve shkuan në votime, kjo nuk ishte për të zgjedhur deputetët e tyre, se sa për t’i thënë jo synimeve autokratike të kryetarit historik të AKP-së. Misioni u përmbush, meqënëse nuk ka perspektivë tjetër veçse në kthimin e rolit të presidentit pa pushtete të mëdha, siç e parashikon Kushtetuta aktuale .

“Ky është triumfi i paqes mbi luftën, i modestisë mbi arrogancën, i përgjegjesisë mbi papërgjegjshmërinë”, deklaroi Sirri Süreyya Önder, deputet i HDP-së, sapo u njoftuan rezultatet, të dielën në mbrëmje. Duke marrë 13 % të votave, formacioni i vogël kurd i majtë e theu ëndrrën e kryetarit historik të AKP-së. Gjithshka u luajt me këto vota.

Në Turqi, pragu i nevojshëm që një parti të përfaqësohet në Parlament është 10 %. Basti ishte në rrezik për HDP-në, sepse në rast dështimi, ajo do të favorizonte kundërshtarin, pasi votat e saj automatikishtdo t’i kalonin AKP-së, sipas sistemit proporcional në fuqi.

Hyrja e një partie pro-kurde në Parlament shënon një kthesë në historinë e vendit. Ajo u bë e mundur në sajë të Selahattin Demirtas, një avokat karizmatik 42 vjeç i cili e shpuri atë me shkathtësi në këtë sukses. Nën shtysën e këtij ish militanti të drejtave të njeriut, i lindur në një familje kurde modeste në qytetin e Elazig, në lindje të vendit, HDP-ja e turbulloi aspektin e saj pro-kurd, duke u distancuar me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK, e ndaluar në Turqi), për të zgjeruar bazën e saj me të zhgënjyerit nga “taipizmi”.

Tribun i mirë dhe me një sens të fuqishëm humori, Demirta u imponua në këto zgjedhje si zëdhënësi i një Turqie tjetër, asaj të minoriteteve etnike dhe fetare, grave, homoseksualëve, ekologjistëve. Fitorja e tij është gjithashtu një mesazh i fuqishëm në drejtim të PKK, duke treguar se është koha të mendohet për zgjedhjet dhe të harrohen armët.

S.Metani/Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button