Analiza

A është ISIS vërtetë problemi ynë?

Përpara se të futemi edhe më thellë, le të ngrejmë disa pyetje radikale, duke filluar me këtë: Po sikur të mos bëjmë asgjë? Kur vjen puna për të ndërhyrë në luftën ekzistenciale të botës arabe, duhet të ndalemi dhe të pyesim veten përse vallë kemi kaq shumë vështirësi për t’i angazhuar ata, arabët, që të na ndihmojnë që t’i shpëtojmë?

Thomas L. Friedman

Isis fighters wave the group's flag from what is thought to a damaged a Syrian air force jetNjë luftë ekzistenciale po zhvillohet në botën arabe sot. Po a është e jona, apo është e tyrja? Përpara se të rrisim praninë ushtarake në Irak dhe Siri, kjo është pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi.
Ajo që më shqetëson më shumë në lidhje me vendimin e Presidentit Obama për t’u angazhuar përsëri në Irak, është se më duket sikur kjo po bëhet si përgjigje të disa frikërave të ekzagjeruara qëllimisht – frika e shkaktuar prej videove në YouTube të prerjes së kokave të dy gazetarëve – dhe frikës se ISIS, ose Shteti Islamik, po na vjen “në një supermerkatë” diku pranë nesh. Si ka mundësi që filluam të frikësohemi sërish, kaq shpejt? A nuk ndërtuam dikur një Departament të Sigurisë së Brendshme?
Nuk po e injoroj ISIS-in. Obama ka të drejtë kur thotë se ISIS duhet të degradohet dhe shkatërrohet. Por kur vepron nga frika, nuk mendon strategjikisht dhe të shpëtojnë pyetjet thelbësore, si për shembull përse vallë Irani shiit, i cili ndihmoi për të shkaktuar të gjithë rebelimin sunit në Irak, po tallet qoftë edhe për të koordinuar me ne, ndërkohë që Turqia dhe disa shtete arabë po vendosin limite për përfshirjen e tyre?
Kur e lexova, mendova që Nader Mousavizadeh, i cili udhëheq firmën globale të konsulencës Macro Advisory Partners, ka të drejtë kur shkruan: “Kur vjen puna për të ndërhyrë në luftën ekzistenciale të botës arabe, duhet të ndalemi dhe të pyesim veten përse vallë kemi kaq shumë vështirësi për t’i angazhuar ata, arabët, që të na ndihmojnë që t’i shpëtojmë”.
Kështu që, përpara se të futemi edhe më thellë, le të ngrejmë disa pyetje radikale, duke filluar me këtë: Po sikur të mos bëjmë asgjë? George Friedman, Drejtori i Stratfor e ngriti këtë ide në një ese të ditëve të fundit tek Stratfor.com: “Virtyti i Finesës”. Ai vëren se kryengritja e ISIS ishte në fakt kundërveprimi i pashmangshëm i sunitëve, të cilëve u ishte hequr brutalisht pushteti dhe burimet prej qeverisë shiite proiraniane në Bagdad dhe Siri. Por më tej, ai pyet: “A është ISIS “vërtetë një problem për SHBA? Interesi amerikan nuk është stabiliteti, por ekzistenca e një ekuilibri dinamik të fuqive në të cilin të gjithë aktorët janë praktikisht të paralizuar, me qëllim që të mos shfaqet askush që të kërcënojë SHBA… Por parimi i ekuilibrit të fuqive nuk do të thotë që ekuilibri duhet ruajtur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Turqia, Irani dhe Arabia Saudite kanë shumë më tepër në lojë se sa SHBA. Sa kohë që ata besojnë se Amerika do të përpiqet të kontrollojë situatën, atëherë është shumë racionale për ta që të tërhiqen dhe thjeshtë të vështrojnë, ose të veprojnë në skaje, madje edhe të pengojnë amerikanët. SHBA duhet ta kthejnë këtë nga një ekuilibër të fuqive mes Sirisë dhe Irakut, në një ekuilibër të fuqive mes kësaj tresheje të fuqive rajonale. ATa kanë shumë më tepër për të humbur dhe, pa SHBA, nuk kanë zgjedhje tjetër përvecse të përfshihen. Nuk munden të qëndrojnë mënjanë dhe të shohin kaosin që mund të përhapet edhe tek ata vetë”.
Kështu që, konkludon ai, “strategjia më e mirë e SHBA është që të bëjë sa më pak të jetë e mundur dhe të detyrojnë fuqitë rajonale të futen në “fushëbetejë”, e më pas të ruajë ekuilibrin e fuqive në këtë koalicion”. Nuk jam i sigurtë, por ia vlen të debatohet.
Ja dhe një tjetër pyetje: Për se bëhet kjo luftë?
“Kjo luftë është për shpirtin e Islamit – kjo është që e dallon këtë moment nga gjithë të tjerët”, argumenton Ahmad Khalidi, një studiues palestinez në Antony’s College, në Oxford. Ja përse: Për dekada të tëra, Arabia Saudite ka qenë financuesi kryesor i xhamive dhe shkollave në të gjithë botën myslimane, të cilat promovojnë versionin më puritan të Islamit, i njohur si Salafizëm, i cili është armiqësor ndaj modernitetit, grave dhe pluralizmit fetar, apo edhe pluralizmit Islamik.
Financimi i sauditëve për këta grupe është një nënprodukt i një ujdie për sundimin atje, mes familjes al Saud dhe establishmentit fetar salafist, të njohur si vehabitë. al Saudët sundojnë dhe jetojnë si të duan prapa mureve, ndërsa vehabistët propagandojnë Islamin salafist si brenda Arabisë Saudite, ashtu edhe në të gjithë botën myslimane, duke përdorur pasurinë e madhe që buron prej naftës. Praktikisht, Arabia Saudite po ndihmon për të financuar edhe luftën kundër ISIS, edhe ideoloshinë islamike që krijon anëtarët e ISIS (mendohet që afro 1000 sauditë luftojnë me grupet xhihadistë në Siri), përmes xhamive salafiste në Europë, Pakistan, Azinë Qendrore dhe botën arabe.
Kjo lojë ka arritur kufirin e saj. Së pari, sepse ISIS paraqet një sfidë për Arabinë Saudite. ISIS thotë se është “kalifati”, qendra e Islamit. Arabia Saudite beson se ajo është qendra. Dhe së dyti, ISIS po kërcënon myslimanët kudo. Khalidi më tregoi për një shoqen e tij myslimane në Londër, e cila thoshte se ka frikë të dalë e mbuluar sepse druhet që njerëzit do mendojnë se është me ISIS – thjeshtë sepse vishet si myslimane. Arabia Saudite nuk mund të vazhdojë të luftojë ISIS-in dhe të ushqejë ideologjinë që ushqen ISIS-in. Ajo do të dëmtojë gjithnjë e më shumë myslimanë.
Edhe ne duhet të pushojmë së toleruari këtë. Për vite të tërë, “SHBA ka luajtur rolin e bankës qendrore të stabilitetit të Lindjes së Mesme”, vëren Mousavizadeh. “Ashtu si Banka Qendrore Europiane vonon ditën kur Franca duhet të zbatojë reforma strukturore, mburoja e sigurisë që ofron Amerika, e cila është gjithmonë aty, pavarësisht se çfarë bëjnë sauditët, ka vonuar ditën kur Arabia Saudite të përballet me kontradiktat e saj të brendshme”. E ardhmja e Islamit dhe suksesit tonë kundër ISIS varet pikërisht prej kësaj. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button