Analiza

A është Khorasan edhe më i rrezikshëm se ISIS?

khorasanQë prej muajsh, bota flet për dhunën e pashoqe të grupimit terrorist ISIS. Ekstremistët islamikë të këtij grupimi kanë vrarë mijëra njerëz. Madje kanë ekzekutuar pengje perëndimore përpara kamerave. Por autoritetet e sigurisë në SHBA kanë një paralajmërim tjetër: Perëndimi duhet të ketë frikë nga një rrezik më i madh se ISIS. Bëhet fjalë për një celulë terroriste, të quajtur Khorasan. Sipas NY Times, Khorasan përbëhet nga ish- luftëtarë të Al Kaedas nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika Veriore. Gazeta shkruan se asnjë grupim tjetër nuk po planifikon kaq shumë sulme në SHBA dhe në vendet aleate.
James Clapper, drejtor i Shërbimit Sekret Kombëtar në SHBA e bëri të qartë përpara disa ditësh: “Sa i përket kërcënimeve, Khorasan mund të jetë një rrezik më i madh se ISIS”. Mike Morell, ish- nëndrejtor i CIA-s tha se grupimi është i interesuar veçanërisht për linjat ajrore perëndimore. Qëllimi i tyre është që të hedhin në erë avionë në hapësirat ajrore të SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore. Për këtë arsye po rekrutojnë sa më shumë xhihadistë me pasaporta perëndimore.
Koka që drejton këtë strukturë është 33- vjeçari Muhsin Al Fadhli, me origjinë nga Kuvajti. Ai ka qenë pjesë e rrethit të ngushtë të Osama Bin Laden. Mësohet se ka qenë ndër të paktët njerëz që kishte dijeni për atë që ndodhi më 11 shtator 2001. Shërbimet sekrete amerikane e ndjekin atë prej një dekade.
Në vitin 2002 ai ishte pjesë e sulmit mbi anijen cisternë franceze “Linbourg”. Një varkë e mbushur me lëndë shpërthyese goditi tankerin. Një person vdiq dhe mbi 50 mijë litra naftë përfunduan në det në brigjet e Jemenit. Sipas autoriteteve amerikane, Al Fadhli ka jetuar në Iran përpara se të shkonte në Siri. Departamenti i Shtetit ka vendosur një çmim prej 7 milionë dollarësh për kokën e tij. Në vendin e tij, në Kuvajt, ai ka kontakte të mira me pasanikë, që mbështesin luftën e shenjtë.
Ku ndryshojnë ISIS dhe Khorasan? Kjo celulë e re e terrorit, e drejtuar nga Muhsin Al- Fadhli, ka për qëllim kryesisht sulmet në shtetet perëndimore, ndryshe nga ISIS, që interesohet më shumë për të forcuar pushtetin në Irak dhe Siri. /gazetatema.net/

Leave a Reply

Back to top button