Ekonomi

Është koha për një kompromis mbi Greqinë

Nga Dirk Kurbjuweit

Der Spiegel

Nëse situata përshkallëzohet dhe Greqia del nga euro, dy rreziqe të mëdha i kanosen Evropës. E para, është se Cipras do të siguronte paratë që vendi i tij ka nevojë nga Rusia apo Kina dhe ai ka lënë të kuptohet tashmë një mundësi të tillë. A duhet të bëjë ai këtë? Përgjigja është jo, sepse ata që bëhen financiarisht të varur nga Rusia apo Kina, mund të bëhen së shpejti gangot e një shteti autoritar

Screen Shot 2015-02-05 at 22.24.31Fitorja e Syriza-s në Greqi e bën fare të qartë se si kurrë më parë, një qasje e re është e nevojshme në Evropë. Kancelarja Angela Merkel, në veçanti, duhet të tregojë fleksibilitet në kërkim të kompromisit me kryeministrin grek Cipras. Nëse ata nuk merresh vesh, atëherë Evropa do të zhytet në telashe.
Thuhet shpesh, që Angela Merkel ka një ndjeshmëri të frikshme për popullin e saj. Dhe kjo është arsyeja, se përse ajo nderohet aq shumë nga zgjedhësit gjermanë dhe pse fiton zgjedhjet. Por ajo që është e vërtetë në Gjermani, nuk zbatohet në Greqi.
Fitorja e Aleksis Ciprasit në zgjedhjet greke të disa ditëve më parë është gjithashtu një humbje për kancelaren gjermane. Grekët kanë zgjedhur një qeveri radikale, në mënyrë të çlirojnë veten nga presioni gjerman.
Sigurisht që Merkel thjesht mund të thotë se ajo nuk është përgjegjëse për popullin grek. Interesat gjermane janë prioriteti i saj kryesor: duke e mbajtur monedhën e fortë dhe siguruar se të adhurat e Gjermanisë të mos marrin ndonjë goditje. Por kjo është një mënyrë e vjetër e të menduarit, tipike e mendimit mbi kombin-shtet.
Vetë Merkel ka luajtur një rol të rëndësishëm në rinacionalizimin e politikës në Evropë. Ajo mendon se do të mund t’ia dale sërish, pa i kushtuar shumë vëmendje ndjenjave në Greqi. Megjithatë tani populli grek është ngritur në këmbë për të marrë një rezultat.
Fakti është se ka një union politik në Evropë, ndonëse ai nuk ka institucione të forta. Është një bashkim i krijuar nga njerëzit. Dhe tani që populli grek ka zgjedhur Ciprasin si udhëheqësin e tyre, të gjithë e kanë një problem. Dhe ky është një problem, për të cilin zonja Merkel para së gjithash duhet të gjejë një zgjidhje.
Një qeveri legjitime
Nuk do të ishte mirë të ndëshkoheshin grekët për këtë zgjedhje. Cipras mund të jetë acarues – dhe sigurisht ksenofobia dhe anti-semitizmi i partnerit të tij në koalicion, Panos Kammenos, është e neveritshme – por të dy tani përbëjnë qeverinë e ligjshme të Greqisë. Shteteve të tjera anëtare të BE-së do t’u duhet të mësojnë të merren vesh me ta.
Nuk do të ishte gjithashtu mirë për të vazhduar me ankesën e vjetër se grekët nuk ishin ekonomikisht mjaftueshëm të pjekur për euron, se gjermanët kanë treguar solidaritetin e tyre në formën e ndihmave dhe se grekët duhet të kishim bërë përpjekje më të mëdha, për të kapërcyer krizën financiare në vendin e tyre.
Kjo është e gjitha e saktë, por nuk do të ndihmojë aspak, përsa kohë shumica e grekëve i shohin gjërat ndryshe. Dhe ata veprojnë ndryshe. Ndonjëherë ndjesia e publikut ka një ndikim më të madh në politikë, sesa faktet më kokëforta. Politikat që në fillim dukeshin të sakta janë provuar në praktikë të gabuara, nëse ato e bëjnë situatën edhe më keq sesa ishte më parë.
Dhe me zgjedhjen e Ciprasit, situata në Evropë është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Tani politikanët në të gjithë Evropën do të duhet të ndërmarrin hapa për ta përmirësuar atë. Para se kjo të mund të ndodhë, ata do të duhet të përcaktojnë qëllimet dhe strategjitë e tyre.
Flirtim me Moskën dhe Pekinin
Nëse situata përshkallëzohet dhe Greqia del nga euro, dy rreziqe të mëdha i kanosen Evropës. E para, është se Cipras do të siguronte paratë që vendi i tij ka nevojë nga Rusia apo Kina dhe ai ka lënë të kuptohet tashmë një mundësi të tillë. A duhet të bëjë ai këtë? Përgjigja është jo, sepse ata që bëhen financiarisht të varur nga Rusia apo Kina, mund të bëhen së shpejti gangot e një shteti autoritar.
Edhe në rast se Greqia do të largohej nga Eurozona, ajo do të mbetej ende një anëtare e BE-së, çka do të thotë që Putini apo Xi Jinpingu do të kishin një zë në Evropë dhe në NATO. Kundërshtimi i tij për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë tregon se Cipras nuk ka skrupuj mbi këtë çështje. Rreziku tjetër, është se Evropa do të shndërrohej në një ngrehinë qesharake në arenën ndërkombëtare.
Në një pjesë të Azisë dhe në Shtetet e Bashkuara ka rritje më të madhe ekonomike sesa në kontinentin e vjetër. Vetëm përmes unitetit të saj, Evropa mund të fitojë respekt. Vendet e tjera që nxisin luftën, ndërsa vetë synojnë ta shpëtojnë euron si spektatorë, nuk e kanë gjithnjë me qëllim të mirë në atë që thonë.
Nëse Greqia do të dalë nga zona e monedhës së përbashkët, kjo do të perceptohet si një dështim, veçanërisht për Merkelin. Një kontinent që udhëhiqet keq nuk ka nevojë të merret me seriozitet të veçantë nga të tjerët. Kjo është arsyeja pse duhen përmbushur dy synime: Greqia të mbetet në  euro dhe monedha e përbashkët të mbetet e qëndrueshme, pavarësisht se mund të duket e vështirë për t’i përputhur të dyja. Situata është e vështirë dhe nuk ka asnjë hapësirë për debate për teorinë politike. Është koha për një realpolitikë, koha e hapave të vogla.
Solidariteti është rruga më e drejtë
Kjo do të thotë se Gjermania duhet të shfaqet e vetëpërmbajtur. Gjermanët janë falur aq shumë herë në historinë e tyre, sa tashmë duhet të jenë të aftë për të falur të tjerët. Pavarësisht gabimeve të bëra nga grekët, solidariteti mbetet rruga më e drejtë. Kjo nuk do të thotë që administrata Cipras mund të injorojë traktatet që Greqia ka nënshkruar me BE-në.
As edhe që duhet të ketë një reduktim të borxhit, sepse atëherë edhe Spanja e Portugalia do të kërkonin trajtim të barabartë, dhe kjo do të bëhej e padurueshme për pjesën tjetër të eurozonës. Megjithatë, shtyrja e pagesës apo edhe ulja e normës së interesit janë të mundshme. Askush nuk duhet të jetë aq shumë krenar, sa të mos flasë për mundësinë e koncesioneve.
Nëse Cipras ka një grimë mirëkuptimi politik, atëherë ai e di se s’mund të kërkojë shumë nga Merkeli, sepse kjo e fundit e ka të qartë se duhet të japë ende llogari para votuesve gjermanë. Dhe për shkak se partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AFD) është duke pritur mënjanë. Asgjë nuk do ishte më e keqe, sesa rritja e fuqisë së populistëve. Nëse kjo është ajo që dëshiron Cipras, atëherë Evropa nuk ka asnjë shans.
Saktësisht 200 vjet më parë, krerët e Europës arritën në Kongresin e Vjenës të balancojnë interesat e tyre, duke krijuar një situatë disi të qëndrueshme, që zgjati për dekada me rradhë, edhe pse në atë kohë ishte i madh tundimi për t’i zgjidhur problemet me armë. Sot situata për demokratët evropianë është shumë më e lehtë. Tani ata duhet të dëshmojnë se i kuptojnë konceptet e diplomacisë dhe kompromisit./”Der Spiegel”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button