Analiza

A është ky fundi Luftës së Ftohtë në Amerikë?

Nga Jean-Jacques Kourliandsky
Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Barack ObamaA është një surprizë kjo etapë e re e afrimit mes Kubës dhe Amerikës?
Ky vendim është me të vërtetë një surprizë sespse askush nuk e priste që marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, të ndërprera qysh prej vitit 1962, të vendoseshin të mërkurën më 17 dhjetor 2014. Para disa ditëve, një bankë gjermane “Commerzbank”, u paraqit përpara drejtësisë amerikane – në të njëjtat kushte si banka franceze BNP disa muaj më parë – sepse ajo ishte akuzuar se nuk kishte respektuar embargon e njëanshme të vendosur nga Uashingtoni mbi Kubën. Ky njoftim pra bëri efektin e një bombe sepse nëse do të mund të vëzhgonim një numër elementësh të favorshëm, askush nuk e priste t’i shikonim ato të konvergonin për të arritur në një rezultat të tillë. Dihej në fakt që kontaktet ishin lidhur midis dy vendeve qysh prej vitesh dhe se Shtetet e Bashkuara dispononin një ambasadë jo zyrtare – e vendosur nën autoritetin e Zvicrës për arsye të së drejtës – në Kubë. Dihej gjithashtu se ekzistonin marrëdhënie ekonomike mjaft të rëndësishme midis dy vendeve, sidomos në fushën e bujqësisë. Përveç kësaj, amerikanët me origjinë kubaneze kishin fituar të drejtën të shkojnë në Kubë. Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili kishte përgëzuar Kubën për rolin e saj motorr në luftën kundra virusit të Ebolës, ishte interpretuar gjithashtu si një sinjal i favorshëm. Në vijim u mësua se të dy vendet kishin krijuar një grup pune, që dialogonte në mënyrë të përhershme qysh prej një viti, dhe se negociatat ishin mbajtur në sekretin më të madh në Kanada me mbështetjen e qeverisë kanadeze si dhe të Selisë së Shenjtë. Bisedimet sigurisht u realizuan në fshehtësinë më të madhe, gjë që shpjegon surprizën e shkaktuar nga njoftimi.
Çfarë impakti do të mund të ketë ky afrim midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, dhe në veçanti për qytetarët kubanezë?
Pasoja e parë e këtij afrimi – e kërkuar në mënyrë aktive nga autoritetet kubaneze – do të jetë njohja nga Shtetet e Bashkuara e specifikimit kubanez, me shëmbëlltyrën e përçapjes që ato kanë adoptuar vis-à-vis Kinës apo Vietnamit. Autoritetet kubaneze mendojnë që kjo marrëdhënie të jetë bazuar në respektimin e ndërsjelltë të diferencave (zgjedhja ekonomike, modeli social, etj.): nëse do të dëshironim të përdorej një term që i referohet luftës së ftohtë, do të mund të flisnim për “bashkëekzistencë paqësore në ndryshimet tona”. Në mënyrë më anekdotike, tre kubanezë – të dënuar nga drejtësia kubaneze për spiunazh por të konsideruar si heronj të revolucionit kubanez – u liruan nga Shtetet e Bashkuara dhe u shkëmbyen me dy shtetas amerikano-veriorë, të burgosur për spiunazh në Kubë. Mbrapa të gjitha këtyre elementëve, objektivi madhor i autoriteteve kubaneze është ndihma ekonomike dhe përfitimet e rëndësishme financiare që do të sjellë ky normalizim i marrëdhënieve me fqinjin e pasur amerikan. Një heqje e plotë e kufizimeve në lëvizjen e qytetarëve amerikanë drejt Kubës do të ndodhte kështu. Për qytetarët amerikanë pa origjinë kubaneze do të jetë e mundur të shkojnë për vizitë në Kubë. Kuba shpreson të ribëhet kështu siç ishte në fillim të shekullit XX, para revolucionit, pra një vend pushimesh tropikale, (vetëm 150 km larg nga brigjet amerikane), relativisht me një çmim të lirë. Ky afrim do t’i krijojë të ardhura në valutë shtetit kubanez, ekonomia e të cilit mbështetet në pjesën më të madhe në turizmin ashtu si dhe në një numër ishujsh fqinj.
A shënoi kjo ngjarje fundin e luftës së ftohtë në kontinentin amerikan ?
Siç e pranoi Obama, do të ishte absurde të mbahej një vijë politike vis-à-vis Kubës që daton me luftën e ftohtë ndërkohë që armiku kryesor i Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Sovjetik ishte zhdukur qysh prej më shumë se dy dekadash dhe se Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie normale me ish vendet e bllokut të lindjes, Kinën dhe Vietnamin. Armiku numër 1 i Shteteve të Bashkuara nuk është sot Kuba, por organizata e Shtetit Islamik. Të mbaje një embargo të tillë dhe një politikë të tillë ishte pra një gabim që qëndronte në elementë të politikës së brendshme në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ishte pra një vendim racional. Ky ishte sidomos rasti i vendeve të Amerikës Latine, të cilët e kanë përfshirë Kubën qysh prej shumë kohësh në lojën rajonale dhe kanë vendosur marrëdhëniet e tyre diplomatike. Vendet amerikano-latine kanë krijuar struktura paralele në Organizatën e Shteteve Amerikane – nga e cila Kuba ishte përjashtuar deri në vitin 2009 para se një votë e shteteve anëtare t’i jepte asaj të drejtën për ta integruar përsëri kur ajo e mendonte – për ta integruar Kubën edhe në Komunitetin e shteteve latino-amerikane dhe karaibeve (CELAC), Unionin e kombeve jug-amerikane (UNASUR), si shtet i ftuar dhe Aleancën boliviane për Amerikat (ALBA). Në Kubë u mbajtën negociatat e paqes midis FARC dhe qeverisë kolumbiane. Në vitet ’90, Kuba gjithashtu ka luajtur një rol motorr në rregullimin e konflikteve në Amerikën qendrore, të trashëguara nga lufta e ftohtë. Për latino-amerikanët, lufta e ftohtë kishte përfunduar qysh prej shumë kohësh në Amerikën latine, ndërkohë që deri dje nuk ishte për autoritetet amerikane. Mirëpo një politikë e tillë nuk ishte e pakuptueshme nga shtetet e tjera latino-amerikane, që kritikonin linjën e mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara. Ky normalizim i marëdhënieve me Kubën do ta nxjerrë gjithashtu Barack Obaman nga një situatë diplomatike mjaft e komplikuar. Në fakt Panamaja ka parashikuar të priste samitin e ardhshëm të Amerikave në vitin 2015, në të cilën ishte ftuar gjithashtu dhe Kuba. Situata  ishte shumë komplekse sepse presidenti amerikan duhej t’i bënte ballë dy opsioneve që paraqesin të dyja komplikime: Barack Obama do të mund kështu  ose të vendosë të bojkotojë samitin – por një vendim i tillë do ta vendosë atë në një gjëndje të pa sigurt vis-à-vis Panamasë, një nga aleatët më besnikë të Shteteve të Bashkuara – ose do t’i duhet të marrë përsipër rrezikun të takojë presidentin kubanez.
Cilat janë motivet që e shtynë Barack Obaman të normalizojë  marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kubën?
Kubanezët duke qenë të gatshëm qysh prej një kohe të gjatë për një afrim të tillë, është e ligjshme të pyesin përse presidenti amerikan vendosi të mirrte një vendim të tillë sot dhe jo më parë. Për mendimin tim është e nevojshme të përfshihet një dimension i politikës së brendshme në Shtetet e Bashkuara në ekuacion dhe të shohim këtu një pasojë të humbjes së kampit demokrat gjatë zgjedhjeve në mes të mandatit – dy vite para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Menjëherë pas zgjedhjeve, Barack Obama kaloi në sulm duke trajtuar shumë dosje të ndjeshme siç është zyrtarizimi i miliona imigrantëve pa dokumenta, që është me të vërtetë një përqasje e re e politikës së imigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo dënimin e qëndrimit të policëve bashkiakë vis-à-vis komuniteteve afro-amerikane për të nisur ripushtimin e opinionit publik amerikan dhe për të shënuar qartazi diferencat midis partisë së tij dhe partisë republikane. Obama vendosi këtë herë t’i shtrijë dorën komunitetit kubano-amerikan. Me gjeste të tilla ai mendon t’i detyrojë  Republikanët të hyjnë në një betejë politike, që ka gjasa të jenë premisat e  fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button