Kulture

Eshtë mizore të mbyllësh bibliotekë. Si të vrasësh të vegjlit e fokës…

Nëse jeni duke e lexuar këtë artikull, ndoshta nuk jeni gjahtarët e fokave, vrasësit e bibliotekave. Por ndoshta njihni miq, të afërm, politikanë që kanë pushtetin e jetës ose të vdekjes mbi një bibliotekë. Nëse është kështu, ju lutem u thoni këtyre personave që gjenden përpara një udhëkryqi: një rrugë të çon drejt errësirës, tjetra drejt dritës. Dhe ju e dini tashmë cila është rruga e drejtë

nga GLENN COOPER

Screen Shot 2015-05-21 at 21.46.08

Ta pranojmë: është absurde të vijë dita, kur ti të jesh i detyruar të mbrosh një biblotekë. E megjithatë, me sa duket, pikërisht për këtë nevojë, kur sheh shkurtimet e vazhdueshme të fondeve nga ana e administratave lokale dhe kombëtare, jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA. Numri i biblotekave të detyruara të mbyllen, apo që janë vazhdimisht në prag falimentimi, është i tillë, sa mund të flasësh për një krizë të vërtetë ndërkombëtare.

Për mua, të dënosh një bibliotekë me falimentim nuk është më pak mizore sesa të vrasësh të vegjlit e fokës, dhe burokratët që vendosin të ndërpresin fondet nga buxheti janë tashmë një hap më lart, se gjahtarët e armatosur të tufave të përgjakura. Mendoni që kam një opinion drastik për këtë temë? Sigurisht që e kam! A ka ndoshta një mënyrë më të mirë, për të vrarë në djep brezin e ardhshëm të lexuesve, kërkuesve, studiuesve dhe ëndërruesve? Për të siguruar apokalipsin kulturor? Një mënyrë më të mirë për të nxjerrë në pah mungesën e largpamësisë së klasës drejtuese?

Duhet ta shohim në sy realitetin. Librat, mbi të gjitha ata të rinj, kushtojnë. Dhe detyra më e rëndësishme e një biblioteke është t’i bëjë të arritshëm për të gjithë. Të gjithë, të rinj e pleq, duhet të kenë mundësinë të lexojnë atë që dëshirojnë, kur e dëshirojnë, pavarësisht nga mundësitë e tyre ekonomike. Sepse librat janë si oksigjeni, dielli e uji: të gjithë kemi nevojë për ta, për të ushqyer shpirtin.

Me sa duket, bibliotekat nuk shërbejnë vetëm për të huajtur libra. Janë vende të qeta dhe të rehatshme, në të cilat mund të kërkosh strehë për t’i shpëtuar botës, në të cilat mund të mendosh e të ëndërrosh. Janë vende takimi, shëkmbimi, studimi. Për disa, janë zemra pulsuese e një lagjeje, një vendi, një qyteti. Për mua ka qenë kështu. Qysh kur isha fëmijë, kam frekuentuar gjithmonë bibliotekën. Ishte vendi im i shenjtë.

Kur më binte në dorë libri i duhur, ishte si të nxirrje një copë flori nga një shkëmb. E më pas, kur më kanë bërë dokumentin e anëtarësisë, kam patur nderin dhe privilegjin të mbaja ata libra në shtëpi me mua, për një javë ose dy javë.

Mund ta imagjinoj mirë që, pa të gjitha ato momente të lumtura të kaluara në bibliotekë, nuk do të kisha fituar kurrë ato aftësi, që kur hyra në kolegj rezultuan të domosdoshme. Ndoshta nuk do t’i kisha lexuar kurrë librat e aventurës që kanë kontribuar në formimin e shpirtit tim nismëtar. Nuk do të kisha qënë kurrë i interesuar në arkeologji dhe mjekësi. Nuk do të isha bërë kurrë një shkrimtar romanesh. Me siguri nuk do të kisha filluar historinë time të dashurisë me librat, këtë pasion të jashtëzakonshëm që më shoqëron gjithë jetën.

Nëse jeni duke e lexuar këtë artikull, ndoshta nuk jeni gjahtarët e fokave, vrasësit e bibliotekave. Por ndoshta njihni miq, të afërm, politikanë që kanë pushtetin e jetës ose të vdekjes mbi një bibliotekë. Nëse është kështu, ju lutem u thoni këtyre personave që gjenden përpara një udhëkryqi: një rrugë të çon drejt errësirës, tjetra drejt dritës. Dhe ju e dini tashmë cila është rruga e drejtë. /Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button