Analiza

Eshtë tani koha për t’u përballur me ISIS

John McCain
Lindsey Graham

ISIS 10Pas më shumë se tre vitesh dhe mbi 200 mijë viktimash në Siri, pothuajse kolapsin e Irakut dhe ngjitjen e ushtrisë terroriste më të ligë që ka parë bota – Shteti Islamik në Irak dhe Siri, që ka pushtuar territore të mëdhenj të të dy vendeve – pranimi nga ana e Presidentit Obama këtë javë, se “ne nuk kemi ende një strategji” përballë këtij rreziku është alarmues. Eshtë edhe i rrezikshëm.
Eshtë e qartë se presidenti dëshiron të lëvizë me maturi dhe të konsultohet me aleatët dhe Kongresin, teksa mendon se çfarë duhet të bëjë me ISIS-in. Askush nuk e vë në diskutim këtë objektiv. Por rreziku që paraqet ISIS-i, vetëm sa rritet me kalimin e kohës. Kjo kërkon një strategji gjithëpërfshirëse, lidership presidencial dhe një sens shumë më të madh të urgjencës. Nëse Obama ndryshon kurs dhe adopton një qasje strategjike për të mposhtur ISIS-in, ai e meriton mbështetjen.
Një strategji e tillë do të kërkonte që komandanti ynë i përgjithshëm t’u shpjegonte amerikanëve të frikur nga lufta, përse nuk mund ta injorojë këtë rrezik. ISIS është tashmë një prej organizatave terroriste më të mëdha dhe më të pasura të historisë. Ka pushtuar një hapësirë sa madhësia e Indianës, mu në mesin e Lindjes së Mesme, dhe radhët e saj janë të mbushura me mijëra radikalë që mbajnë pasaporta perëndimore, përfshirë edhe disa amerikanë. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa një biletë avioni për të fluturuar drejt qyteteve të SHBA.
Prandaj Sekretari i Sigurisë së Brendshme e ka quajtur Sirinë “një problem i sigurisë së brendshme”. Paralajmërimet e tij për ISIS-in janë përsëritur nga Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i shërbimit të fshehtë kombëtar dhe Sekretari i Mbrojtjes. Amerikanët duhet të dinë se ISIS nuk është vetëm një problem për Irakun dhe Sirinë. Eshtë një rrezik për Shtetet e Bashkuara. Ka qenë problem fakti që është bërë shumë pak për të luftuar ISIS-in. Dhe sigurisht, të bësh edhe më pak, nuk mund të jetë përgjigja e duhur tani.
Eshtë e vërtetë e rëndomtë të thuash se nuk ka zgjidhje ushtarake për ISIS. Sigurisht, çdo lloj strategjie duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të shtrydhë financat e ISIS. Ajo kërkon një qeveri përfshirëse në Bagdad, që ndan pushtetin dhe pasurinë me sunitët e Irakut, në vend që t’i shtyjë ata drejt ISIS-it. Ajo kërkon t’i jepet fund konfliktit në Siri dhe një tranzicion politik atje, sepse regjimi i Bashar al-Assadit nuk do të jetë asnjëherë një partner i besueshëm kundër ISIS-it; në fakt, ai e ka ndihmuar ngjitjen e ISIS, ashtu sikurse ka lehtësuar edhe terrorizmin e paraardhësit të ISIS-it, al Kaedës në Irak. Një strategji për t’iu kundërvënë ISIS-it kërkon gjithashtu një qasje rajonale, për të mobilizuar partnerët e Amerikës, në një përpjekje të bashkërenduar shumëpalëshe.
Por në fund të fundit, ISIS është një forcë ushtarake, dhe duhet përballur ushtarakisht. Obama ka filluar të ndërmarrë veprime ushtarakë kundër ISIS-it në Irak, por ato kanë qenë masa taktike dhe reaktive. Të vazhdojmë të luftojmë kundër ISIS-it në Irak, por jo në Siri, është njësoj si të luftojmë me një dorë të lidhur prapa shpinës. Ne kemi nevojë për një plan ushtarak për të mundur ISIS-in, kudo ku ndodhet.
Një plan i tillë do të kërkonte forcimin e partnerëve, që tashmë po i rezistojnë ISIS-it: peshmergat kurdë, forcat e moderuara në Siri, dhe njësitë efektive të forcave irakene të sigurisë. Partnerët tanë janë “çizmet në terren”, dhe SHBA duhet t’i furnizojë në mënyrë të drejtpërdrejtë me armë, informacione dhe asistencë ushtarake. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë të mbështesim forcat ushtarake iraniane, prania e të cilave vetëm i përkeqëson tensionet sektarë që fuqizojnë ISIS-in.
Ne duhet të dërgojmë forca speciale shtesë që t’u bashkohen partnerëve në terren – jo të angazhohen në luftime, por të ndihmojnë partnerët tanë të luftojnë ISIS-in dhe të orientojnë sulmet ajrorë kundër saj. Aleatët rajonalë duhet të luajnë një rol kyç në këtë përpjekje. Askush nuk po mbron pushtimin njëpalësh, apo shtetndërtimin. Duhet të jetë më shumë si Afganistani i 2001-shit, ku një numër i kufizuar ushtarakësh ndihmuan forcat vendase, me sulme ajrorë dhe ndihmë ushtarake, për të dëbuar ushtrinë e ekstremistëve.
Gjithësesi, duhet të përballemi me faktet: Një strategji gjithëpërfshirëse për të mposhtur ISIS-in do të kërkonte më shumë trupa, asete, burime dhe kohë. Një sipërmarrje e tillë duhet të përfshijë Kongresin. Ne kemi mbrojtur vazhdimisht rishikimin e Autorizimit për Përdorimin e Forcës Ushtarake, që ka ofruar mbështetjen e Kongresit për operacionet antiterrorizëm që nga shtatori 2001. Tani mund të jetë koha e duhur për të përditësuar këtë autorizim, në dritën e rreziqeve terroristë si ISIS. Nëse Obama ofron një strategji koherente dhe lidership të vendosur, ai mund ta fitojë mbështetjen e Kongresit.
Një prej gjërave më të vështira që duhet të bëjë një president është ndryshimi, dhe gjykimi i historisë është shpesh herë i “mirë” me ata që gjejnë kurajën për ta bërë. Jimmy Carteri ndryshoi politikën e tij ndaj Bashkimit Sovjetik, pasi ky pushtoi Afganistanin. Bill Clintoni ndryshoi politikën e tij në Ballkan dhe ndali spastrimin etnik. Dhe George W. Bushi ndryshoi kurs në Irak, duke shpëtuar Amerikën nga humbja.
ISIS e vendos Obamën përballë një sfide të ngjashme, dhe e ka detyruar tashmë atë që të ndryshojë kurs, ndonëse me hezitim. Ai duhet të pranojë domosdoshmërinë e ndryshimit të mëtejshëm dhe të adoptojë një strategji për ta mposhtur këtë rrezik. Nëse e bën, atëherë e meriton mbështetjen dypalëshe. Nëse jo, ISIS do të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një rrezik edhe më i madh për aleatët tanë dhe për ne. /NYT/
John McCain, senator republikan nga Arizona
Lindsey Graham, Senatore republikane, Karolina e Jugut
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button