Ekonomi

A është me të vërtetë Kina fuqia e parë ekonomike botërore?

Silvi Mateli

Drejtoreshë e Kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

shanghai

Ndërkohë që mediat e botës njoftojnë me zhurmë të madhe që GDP e Kinës e shprehur “në paritetin e fuqisë blerëse” ka kaluar GDP e SHBA, çfarë mendoni ju për këtë indikator ekonomik? A është e drejtë të pranojmë që ai është më i besueshëm se sa indikatorët e tjerë?

Pariteti i fuqisë blerëse është përdorur nga ekonomistët qysh prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh. Ai është një indikator i përdorur shpesh nga Banka Botërore. Në fakt është veçanërisht interesant për të llogaritur fuqinë blerëse të popullsive.

Ai lejon të llogariten kurset e këmbimit midis dy monedhave duke u nisur nga vlera e tregut në secilin nga vendet duke u përpjekur në shmangien e luhatjes, paqëndrueshmërisë dhe arbitraritetit të kurseve të këmbimit (që mund të jenë nënvleftësuar apo mbivlerësuar nga zgjedhja politike, për shkak të spekullimit apo të një shkaku tjetër).

Ai krahason në fakt vlerën e të njëjtës shportë të produkteve në dy vendet. Le të marrim me mend për shëmbull që e njëjta shportë e produkteve vlen 1000 jen në Kinë kundrejt 100 dollarëve në Shtetet e Bashkuara: duke konsideruar që e njëjta shportë produktesh duhet të ketë të njëjtën vlerë, të konsiderojmë që kursi i këmbimit është 1 000 jen për 100 dollarë (ose një dollar për dhjetë jen). Kur llogaritet GDP në paritetin e fuqisë blerëse, kjo lejon kështu të lëmohen ndryshimet e çmimeve – tradicionalisht çmimet janë më të ulëta në vëndet në zhvillim se sa në vëndet e zhvilluara.

Kështu sipas shembullit të mësipërm, një kinez që zotëron 1 000 jen është i pasur në Amerikë sa një amerikan që zotëron 100 dollarë në Shtetet e Bashkuara. Vendi ku ndodhesh është i rëndësishëm sepse ai shpreh gjithashtu kufirin e paritetit të fuqisë blerëse: me 1000 jen në Shtetet e Bashkuara, kinezi mund të blejë vetëm një pjesë të shportës 100$ meqënëse kursi i këmbimit që do të zbatohet është kursi i këmbimit të tregut. Por kemi të kundërtën në rastin që amerikani në Kinë do të ketë më tepër mjete me 100$ e tij, se sa ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës …

Ky indikator pra nuk është më i besueshëm se sa të tjerët. Për shembull, shpesh në shportën e produkteve të studiuara përfshihen produkte ushqimore. Por zakonet ushqimore ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme sipas vëndeve. Kufiri i këtij indikatori qëndron kryesisht në nivelin e çmimeve. Mirëpo, çmimet më të besueshme të vëzhguara në vendet në rrugën e zhvillimit shpjegohen gjithashtu nga një konsumim më i vogël i popullsisë. Kur një vend pasurohet, të ardhurat tentojnë të rriten, gjë që gjeneron kërkesë dhe që shkakton një rritje të konsumit dhe pra të çmimeve: ndryshimi i paritetit të fuqisë blerëse midis dy vendeve tenton ahere të zvogëlohet, ndërkohë që niveli i popullsisë rritet. Ky indikator gjithashtu është zbulues i pabarazive të thella që kalon shoqëria kineze, ku ekziston një kontrast shumë e theksuar midis zonave të pasura të bregdetit dhe varfërisë të pjesës tjetër të territorit, gjë që bën që çmimet të mbesin shumë të ulëta.

Ky njoftim a është shprehje e një kalimi stafete midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës? Realisht a bëhet fjalë për “tërmet gjeopolitik”?

Unë mendoj se qartësisht nuk kemi të bëjmë me këtë. Sigurisht ky indikator zbulon zhvillimin dhe pasurimin e Kinës, por nuk kemi këtu një risi të madhe. Ende më kujtohet, kur unë llogarisja para dhjetë viteve GDP/banor të Kinës në rreth 800 dollarë, ndërkohë që sot kjo e fundit është rritur në më shumë se 7 500 dollarë. Të gjithë kemi asistuar gjatë dy dekadave të fundit në një rritje të madhe të GDP dhe GDP/banor. Megjithatë ndryshimi madhor midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është ndryshimi në numrin e popullsisë që ekziston midis dy vendeve. Në fakt nëse kemi dy ekonomi ekuivalente në paritetin e fuqisë blerëse, nga njëra anë kemi një vend me treqind milion banorë dhe nga ana tjetër, një vend me më shumë se një miliard e treqind milionë qytetarë. Krahas kësaj të dy vendet nuk janë absolutisht në të njëjtën situatë zhvillimi ekonomik dhe krijimi pasurish. Së fundi, strukturat ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kinës nuk janë absolutisht të krahasueshme. Shtetet e Bashkuara kanë një ekonomi të larmishme, terciare, me teknologji të avancuara, që i siguron një avantazh real krahasues dhe i lejon asaj të jetë një nga motorrët kryesorë të ekonomisë botërore, me një nivel të lartë jetese të popullsisë. Ndërsa Kina ka një ekonomi e cila karakterizohet nga një konsum shumë të vogël dhe e varur shumë nga eksportet e saj dhe për rrjedhojë e mvarur nga tregjet e huaja, pra nga konjuktura ekonomike botërore. Për mendimin tim, ende nuk jemi në nocionin e “tërmetit gjeopolitik”. Tërmeti do të ndodhë ditën kur GDP e Kinës do të arrijë GDP e Amerikës. Kalimi në krye do të jetë shenjë që ekonomia kineze do të jetë zhvilluar, e larmishme dhe konsumi do të kompensojë vartësinë ndaj eksporteve dhe niveli i jetesës së popullsisë kineze do të jetë rritur mjaft.

Cilat është pika e fortë dhe dobësitë aktuale të ekonomisë kineze? A është një realitet rritja e fuqisë ekonomike e Kinës, apo kjo rritje zbulon veçse një kolos me këmbë argjili?

Rritja e fuqisë ekonomike të Kinës është një realitet. Kjo nuk i heq asgjë faktit që çdo ekonomi – edhe ekonomitë e vendeve të zhvilluara – si përkufizim është e brishtë: në çdo ekonomi, periudhat e begatisë dhe të rritjes ekonomike ndërthuren me periudhat e krizës. Pika e fortë aktuale e ekonomisë kineze është pesha e saj në ekonominë botërore. Kina është sot ekonomia e dytë e planetit dhe ajo është futur në ndarjen ndërkombëtare të punës dhe në veçanti në ndarjen aziatike të punës. Në fakt është shumë e ndërlikuar që të kalohet Kina. Në disa degë të industrisë (elektronike, tekstile etj), ky vënd zë një rol qëndror dhe të paevitueshëm në zinxhirin e vlerave botërore. Në shikimin e bankave amerikane, të cilat janë në zemër të sistemit financiar botëror ndërmarrjet kineze, jo aq nga madhësia e tyre, se sa nga roli i tyre, luajnë një rol të krahasueshëm në industrinë botërore. Në këtë kontekst dobësimi i Kinës do të ishte një lajm i keq për të gjithë planetin. Ai do të sillte me shumë gjasa një shtrenjtim të kostove të prodhimit, pra të çmimeve të shitjes të shumë produkteve. Megjithatë ekonomia kineze ka disa dobësi. Ne jemi kështu gjithmonë në kuadrin e një ekonomie në zhvillim e cila karakterizohet nga një konsum i vogël dhe një vartësi shumë të madhe vis-à-vis eksporteve. Gjithashtu vërehet një mplakje e popullsisë kineze, gjë e cila shtron një numër të madh sfidash për të ardhmen. Më në fund duhet të përmendim çështjen e mjedisit, vendet e zhvilluara nuk kanë delokalizuar vetëm prodhimin e tyre në Kinë, por dhe ndotjen që lidhet me të. Kina duhet të kontrollojë ndotjet industriale dhe dhe sidomos çlirimin e gazit CO2, që ka pasoja jashtëzakonisht negative. Kina është sot vendi i parë për sasinë e lëshimit në atmosferë të CO2 (nga viti 2006) dhe në vitin 2012, në vendin e 71 për banorë … Pakësimi i sasisë së lëshimit të gazrave në atmosferë përbën një sfidë madhore për ekonominë kineze dhe për të gjithë botën.

SHQIPERUAR NGA SALI METANI/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button