Analiza

Euro dhe lotët e Merkelit. Çfarë ndodhi vërtetë në nëntor 2011

euro dhe lotwt e merkelitEdhe gruaja më e pushtetshme e botës ka qarë para burrit më të pushtetshëm të botës (dhe në një prej vendeve më të mrekullueshëm të planetit). Ka ndodhur në Kanë në vitin 2011: Franca organizonte mbledhjen e radhës të G20-ës, mes 20 shteteve më të pasur të planetit. Natyrshëm, aty ndodheshin Angela Merkel si përfaqësuese e Gjermanisë dhe Barack Obama si përfaqësues i SHBA. Pak më tutje, në tregjet financiarë, furtuna mbi borxhin publik europian ishte duke fundosur Euron.

Kur në Kanë ra mbrëmja, mbledhja e 20 krerëve të shteteve dhe kryeministrave drejtohej nga Obama. Për të frenuar hemorragjinë e shitjeve me efekt kaskadë të bonove dhe titujve të tjerë europianë, disa udhëheqës i kërkuan Angela Merkelit që të hapte pakëz më shumë portofolin. Dhe këtu ka ardhur shfryrja e asaj që, sipas sondazheve, sot është një prej politikaneve më të mbështetura nga qytetarët e vet. Me lot në sy, sipas një rindërtimi të ngjarjes që ka bërë Financial Times, kancelarja ka shpërthyer: “Nuk është e drejtë, nuk mund të vendos për një gjë që nuk më takon mua, por Bundesbankut (banka qendrore gjermane). Nuk mundem”.

Më pas, nga ai nëntor i 2011-ës në të cilin përqindja e bonove dhe titujve arriti maksimumin (për Italinë 7.5%), shumë gjëra kanë ndryshuar në Europë. Nga Gjermania – jo nga kanceleria e Berlinit, por nga Banka Qendrore Europiane me qendër në Frankfurt – erdhën ndihmat që rinxorrën Euron në dritë dhe forcuan titujt shtetërorë të vendeve të jugut të Europës. Në Itali, kryeministri Berlusconi dha dorëheqjen në mesin e nëntorit të po atij viti, i pasuar në qeverisje nga Mario Monti, Enrico Letta dhe tani Matteo Renzi. Në po atë nëntor të tre viteve më parë, në Spanjë u bë Kryeministër Mariano Rajoy. U lançua Unioni bankar europian, dhe bashkë me të mbikëqyrja mbikombëtare e bankave si dhe bashkëpjesëmarrja e investitorëve në krizat bankare.

E megjithatë, në Kanë eurozona dukej një hap larg greminës. Ashtu sikurse dhe Greqia. Por, sipas të përditshmes angleze, ishte Italia vendi që shkaktonte më shumë frikë duke parë dimensionet (2 mijë miliardë euro ishte borxhi publik). Aq sa u desh të fillojë monitorimi ndërkombëtar i vendit mesdhetar. “Roma nuk ka më besueshmëri”, dekalroi atëherë numri një i FMN-së, Christine Lagarde. “Nuk mund të lejojmë një faliment të Italisë”, do të shtonte një funksionar francez. “Ky do të ishte fundi i eurozonës”.

Por se si shkuan gjërat në atë nëntor të 2011-ës, ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Giulio Tremonti e mendon ndryshe. “Nuk ishte një krizë e Italisë, por një krizë e euros”, thotë ministri i qeverisë së fundit Berlusconi. “Faji është i atyre që në zemër të Europës morën hua para me risqe të lartë dhe me norma më të larta interesi në jug, për shembull Spanja. Por ishte dhe faji i Bankës Qendrore Europiane që nuk ishte vigjilente”, thotë Tremonti. Senatori i sotëm mendon “për vitet e euforisë së eurozonës, ata vite kur kartmonedhat Euro fluturonin nga veriu në jug për të financuar olimpiadat greke dhe betonimin e bregdetit iberik, një Floridë europiane për jetën e dytë të popujve në jug”.  Kështu do të lindte vala e dytë e produkteve subprime: atyre europianë, pas atyre amerikanë “të financuar nga bankat franceze, gjermane etj.” -vazhdon Tremonti.

“Në rastin e Greqisë – shton senatori – Italia kishte një risk potencial prej 20 miliardë Euro, Franca dhe Gjermania të marra së bashku e kishin 200 miliardë”. Më tej, ai thotë: “Si për të provuar këto që ju thashë, ato 200 miliardë që Greqia mori nga Europa qëndron në Athinë vetëm për një gjysmë dite, sepse u rikthyen menjëherë mbrapsht, në duart e kredidhënësve”. Për Tremontin “Financial Times analizon pasojat dhe jo shkaqet: në vitet 2010-2012 po hidhej në erë vetë Euro, dhe jo për faj të Italisë”.

Sot, mbledhja e Kanës duket vite drite larg. Por jo problemet. Edhe pse në menaxhimin e krizës presidenti i BQE, Mario Draghi “ka thënë fjalët e duhura në momentin e duhur, politika monetare europiane duhet të japë impulse të mëtejshëm për rritjen ekonomike”, ka deklaruar drejtorja e FMN, Christine Lagarde. Ajo ka shtuar se “tani fluksi i kredive në sektorin bankar vazhdon të jetë i ndalur dhe tregjet e kredidhënies janë të fragmentuar”. Me një pabarazi Veri-Jug, në favor të të parëve.

Leave a Reply

Back to top button