Ekonomi

Euro dixhitale: Pse kaq të matur, kur përfitimet janë të pafundme?

Në nëntor, projekti i nisur në vitin 2021 do të duhet të marrë miratimin e shumicës politike për të vazhduar. Si një mjet pagese elektronik, i aksesueshëm falas për të gjithë, ai do t’u ofrojë familjeve dhe bizneseve «pagesa të garantuara, arkëtim të menjëhershëm, më pak burokraci». Është përgjigjja europiane ndaj stablecoin-ëve amerikanë. Me shpresën që të mos jetë tepër vonë.

Shtytja nga Amerika

Nxitja e fuqishme që erdhi nga Amerika me stablecoin-ët e Trumpit, mund të rikthejë në skenë euron dixhitale. Sipas Financial Times, frika se kriptovalutat e reja private mund të «konkurojnë» monedhën e përbashkët ka nxitur zyrtarët e Frankfurtit të përshpejtojnë planet për këtë dosje të ndjeshme, të hapur që prej vitit 2021. Në majin e kaluar, Piero Cipollone, anëtar i komitetit ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), kishte deklaruar se përgatitja teknike për euron dixhitale po ecën sipas planit, por për kalimin në fazën operative është i nevojshëm «një vendim politik, që të miratojë rregulloren». Nëse kjo do të ndodhte në fillim të vitit 2026, pra në skenarin më optimist, «nga mesi i vitit 2028 mund të nisin transaksionet e para».

Konkurrenca e kriptovalutave

Është një e ardhme shumë e largët, duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën po ndryshon peizazhi i pagesave dixhitale. Sidomos pasi Trumpi, në korrikun e kaluar, dha miratimin për Genius Act. Me fjalë të tjera, duhet vepruar shpejt. E njëjta gjë është theksuar edhe nga bankieri Corrado Passera, themelues dhe administrator i Illimity, në një intervistë për Les Echos më 30 korrik.

«Nëse stablecoin-ët e lidhur me dollarin do të bëheshin mjeti kryesor i transaksioneve – për pagesat ndërkufitare, ato me pakicë e madje edhe për kursimet familjare – euroja do të rrezikonte të margjinalizohej. Politika monetare europiane do të humbiste efektshmërinë dhe rregullatorët do të detyroheshin të mbikëqyrnin një sistem që, në pjesën më të madhe, do të ishte jashtë kontrollit të tyre. Duke deleguar zemrën e sovranitetit tonë financiar, do të komprometonim aftësinë e euros për t’u afirmuar si valutë ndërkombëtare rezervë dhe shkëmbimi».

Edhe BQE, nga ana e saj, ka paralajmëruar në disa raste për rreziqet që lidhen me stabilitetin financiar dhe autonominë strategjike të Europës. Thelbi është ky: nëse stablecoin-ët e mbështetur mbi dollarin amerikan do të përdoreshin gjithnjë e më shumë nga familjet dhe bizneset, politika monetare europiane do të bëhej më pak efektive, sepse një pjesë e madhe e likuiditetit do të qarkullonte në një shteg paralel, jashtë kontrollit të autoriteteve europiane.

Mundësia që monedhat dixhitale private të bëhen «mjeti kryesor i transaksioneve», siç paralajmëron Passera, duket e guximshme. Por implikimet e mundshme janë aq të mëdha, sa ndezin një sinjal alarmi që nuk duhet nënvlerësuar.

Gjurmueshmëri

Çfarë kanë kriptovalutat private që monedha e përbashkët – ajo që qarkullon në kartëmonedha apo në formë elektronike përmes sistemeve të pagesave dhe transfertave bankare – nuk e ka? «Shpejtësi, gjurmueshmëri, mungesë ndërmjetësimi», shpjegon Valeria Portale, drejtoreshë e Observatorit Blockchain dhe Web3 në Politeknikun e Milanos. Paraja në blockchain lëviz më shpejt dhe ka kosto shumë më të ulëta. Stablecoin-ët, të lidhur me vlerën e dollarit apo euros, zgjidhin edhe problemin e paqëndrueshmërisë që e bën Bitcoin-in dhe kriptovalutat e tjera të papërshtatshme si mjete pagese.

Ka edhe një aspekt tjetër: «programueshmëria», kujton Portale. Në blockchain mund të vendosen automatizma që lejojnë funksione të reja pagese ose thjeshtojnë ato ekzistuese. Një shembull konkret? «Kur bëhen blerje në një platformë e-commerce, pagesa është e menjëhershme, por produkti vjen disa ditë më pas. Një sistem më i avancuar pagese mund të garantonte tregtarin, duke verifikuar që fondet janë të disponueshme, dhe njëkohësisht të mbronte konsumatorin, duke autorizuar transaksionin vetëm pas dorëzimit të produktit. Mund të programosh një urdhër që thotë: “Sa herë që merr një faturë, paguaje dhe derdhe edhe taksën për shtetin”. Apo: “Sa herë që dërgon këtë lloj pagese, ndaje në 10 pjesë të barabarta”».

Përtej parasë së gatshme

Mundësitë janë të pafundme. Por duhet kujtuar se «konsumatorët dhe bizneset sot tashmë kanë akses në një përvojë të jashtëzakonshme pagese, qoftë përmes telefonit dhe smartwatch-it, qoftë me transfertat e menjëhershme. Që euroja dixhitale të ketë sukses, duhet të shpalosë plotësisht potencialin e saj, duke përfshirë edhe këto karakteristika: nuk mund të kufizohet thjesht në të qenit ekuivalenti dixhital i parasë së gatshme», paralajmëron Portale.

Sipas Passera-s, euroja dixhitale mund të sjellë «funksionalitete të avancuara si kontratat inteligjente brenda sistemit financiar të rregulluar, të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në shërbimet bankare dhe të kontribuojë në parandalimin e përhapjes së sistemeve të decentralizuara anonime që favorizojnë aktivitetet e paligjshme».

Për familjet dhe bizneset, «euroja dixhitale do të ofrojë pagesa të garantuara, arkëtim të menjëhershëm, më pak burokraci. Do të kemi një thjeshtim të ndjeshëm, me mundësinë për të përdorur euron edhe brenda aplikacioneve dhe portofolëve dixhitalë», theksojnë ekspertët e Sella-s. Fjala është për European Digital Identity Wallet: portofolin e identitetit dixhital europian, aktualisht në fazë pilote, që do t’i mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të identifikohen online në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, duke ndarë dokumente si patentë, diplomë ose të dhënat e llogarisë bankare me ofruesit e shërbimeve publike dhe private.

Zgjedhjet e vendeve

Ku jemi sot? Më 16 korrik, BQE publikoi raportin e tretë mbi ecurinë e fazës përgatitore, që do të përfundojë në fund të tetorit. Do të jetë një moment vendimtar për të kuptuar se cili do të jetë e ardhmja e euros dixhitale. Rezultati nuk është i sigurt. Në fakt, vendet kryesore po ndjekin rrugë të ndryshme. Në Kinë, juani dixhital është tashmë funksional, megjithëse jo ende në shkallë kombëtare. Në Shtetet e Bashkuara, përkundrazi, është zgjedhur braktisja e kësaj rruge, në favor të stablecoin-ëve privatë. Genius Act ndalon zyrtarisht nisjen e një CBDC amerikane (monedhë dixhitale të bankës qendrore), që do të binte në konflikt me objektivin për të nxitur përhapjen e kriptovalutave private, të afta të gjenerojnë fluks të vazhdueshëm blerjesh për obligacionet e thesarit amerikan.

Për Europën, nga ana tjetër, lançimi i euros dixhitale do të kishte një funksion të rëndësishëm gjeopolitik: «Duke qenë se rrjetet kryesore të pagesave janë amerikane, nga një këndvështrim strategjik është e dobishme të krijohet një rrjet alternativ pagesash», vëren Ferdinando Ametrano, CEO i CheckSig dhe profesor në Universitetin e Milanos Bicocca. «Sidomos nëse aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk mund të merret më si e mirëqenë».

A ka vullnet politik?

Nga ana tjetër, bankat europiane nuk janë aspak të prira të mbulojnë kostot për zhvillimin e infrastrukturës së re, duke qenë se euroja dixhitale do të cenonte një pjesë të fitimeve të tyre. Ekziston frika reale se mund të ketë një «ikje depozitash» nga bankat drejt euros dixhitale, duke reduktuar kështu likuiditetin në dispozicion të sistemit financiar për dhënien e kredive dhe gjenerimin e të ardhurave përmes interesave. Nuk është rastësi që BQE po shqyrton një kufi prej 3.000 eurosh për person në mbajtjen e euros në format dixhital – një zgjedhje që, megjithatë, do ta bënte këtë ekuivalent dixhital të euros më pak tërheqës.

Ndërkohë, duhet parë nëse ekziston një shumicë politike pro vazhdimit të këtij eksperimenti, si në Parlament ashtu edhe në Këshill. Ka nga ata që kanë dyshime të forta. Sipas disa vëzhguesve që marrin pjesë në tryezat e punës në Frankfurt, megjithatë, euroja dixhitale shihet si një proces i pashmangshëm dhe do të marrë jetë brenda dy ose tre viteve të ardhshme. Me shpresën që të mos jetë tepër vonë. / bota.al

Back to top button