Analiza

Euro, sovraniteti, monedha e përbashkët: Një nga të treja duhet sakrifikuar

Screen Shot 2015-11-01 at 16.07.39

Maurizio Ferrera

Në vjeshtën e vitit 2012 Luuk van Middelaar, një filozof belg që i ka hyrë dhe politikës, më ftoi të takoja Herman Van Rompuyn. Presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian donte të fliste me disa intelektualë për t’u përballur me ide të reja. Lista, e hartuar bashkë me filozofin e njohur Philippe Van Parijs, përfshinte rreth pesëmbëdhjetë persona, të cilët zhvilluan me Rompuyn biseda private mbi krizën dhe të ardhmen e BE-së.

Mendoj se shumë prej nesh kanë dalë nga pallati Charlemagne (selia e Këshillit Europian në Bruksel) me dy përshtypje. E para: Van Rompuy është një politikan kureshtar, një interlokutor i përgatitur dhe kërkues. E dyta: vështirë se ajo që i thashë, do t’i duhet. Të paktën pjesërisht, gaboheshim. Në vitin 2014, vitin e fundit të presidencës së tij, Van Rompuy ka shkruajtur në fakt një libër të shkurtër (Europe in the Storm), në të cilin shfaqen shumë prej pikave që dolën nga bisedat. Në veprimtarinë e qeverisë, rëndësi kanë veprimet konkrete, ditë pas dite. Por cilësia e një politikani matet edhe mbi bazën e aftësisë për të përpunuar strategji afatgjata, për të kuptuar nga përvoja.

Duke lexuar librin e tij, kuptova se Van Rompuy kishte qenë një lider cilësor dhe që idetë e tij kishin bërë ndryshimin në disa prej momenteve më të vështirë të “stuhisë”.

Në libër, pjesëmarrësit në ata takime parashtrojnë diagnozën e tyre dhe sugjerimet e tyre mbi të ardhmen e Europës. Titulli i zgjedhur nga dy kuratorët, Middelaar dhe Van Parijs (Pas Stuhisë) është më shumë një mendim i dëshiruar. Në të vërtetë, asnjë prej autorëve nuk mendon se stuhinë e kemi lënë pas tashmë. Sigurisht, toa ka pushuar së lëkunduri dhe euro i mbijetoi rrezikut të shpërbërjes. Por të çarat mbeten. Dhe mbi të gjitha, janë ngritur erëra shumë të fuqishme në rrafshin politik. Sakrificat e imponuara gjatë kohës së krizës dhe pakënaqësitë mes popujve dhe mes qeverive po vënë sot në rrezik themelet e Bashkimit Europian, si komunitet shtetesh.

Krizat politike mund të kenë pasoja tragjike, na e ka mësuar historia e Nëntëqindës. Ne kishim iluzionin se integrimi  do të eleminonte rrezikun e konflikteve të rinj ndëreuropianë. Por sot ndodhemi me kundërvënie të thella, dhe pjesërisht të paprecedenta: mes Veriut dhe Jugut, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Brukselit dhe kryeqyteteve të shteteve.

Praktikisht, të gjithë autorët e librit bien dakord në një diagnozë. Monedha e përbashkët, sovraniteti kombëtar dhe demokracia nuk janë njëkohësisht të pajtueshme, nuk mund të kombinohen në një përbërje të vetme politiko-institucionale. Disa autorë thonë se duhet që të sakrifikohet euro. Shumë të tjerë (përfshirë mua) thonë se duhet të sakrifikohet sovraniteti, të paktën në disa sfera të rëndësishme, si politika ekonomike. Por me kushtin që t’i jepet Euros, një dimension i ri social. Janë të shumtë çekuilibrat mes ekonomive të shteteve të ndryshëm, që pjesërisht varen pikërisht nga prania e një monedhe të përbashkët. Pa një minimum solidariteti mbarëeuropian, është e pamundur të stabilizohen marrëdhëniet politike mes shteteve anëtare dhe të rritet mbshtetja e qytetarëve.

Përgjegjësia që rëndon sot mbi supet e udhëheqësve të BE është shumë e madhe. Dhe, ashtu si shpjegon Jurgen Habermas, është mbi të gjitha e madhe, përgjegjësia e Gjermanisë. Gjatë krizës, ky vend iu kundërvu me kokëfortësi çdo propozimi për të “socializuar” BE-në. Por duke vepruar kështu, Berlini ka nxitur një pakënaqësi në rritje kundrejt “dominimit” gjerman. Stuhia politike e BE-së do të ketë kaluar me të vërtetë, kur vendi i saj më i madh të transformohet në një hegjemon dashamirës, në gjendje të bëjë që të përkojnë, interesi i tij kombëtar, me interesin europian.

“Lettura” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button